Nga Kastriot Islami
Edi Rama ka vendosur nën kontroll PS përmes Rilindjes dhe grupin e saj parlamentar, i cili pas zgjedhjeve të vitit 2017 kontrollon i vetëm maxhorancën.
Ky është një kontroll autoritar dhe klientelist i Partisë, Grupit Parlamentar dhe Parlamentit nga një individ i vetëm që bën çfarë të dojë.
Nuk ka asnjë shans që dikush brenda maxhorancës ose thënë ndryshe brenda grupit parlamentar të maxhorancës ose më saktë brenda Rilindjes të gjykojë racionalisht dhe të vendosë interesin publik mbi interesin e ngushtë të të kësaj klientele.
Sepse kjo klientelë është ndërtuar mbi bazën e interesave korruptive, kriminale dhe oligarkike. Në këtë grup klientelist bëjnë pjesë pinjollë të ish-nomeklaturës së lartë puniste, politikanë të korruptuar, biznesmenë oligarkë, individë me rekorde kriminale, manjatë të medias dhe manekine e kukulla që ngrenë dorën sa herë fluturon gomari, mbrojnë me fanatizëm lideri e tyre dhe shajnë dhe kërcënojnë çdo kundërshtarë të liderit të tyre suprem. Një nga synimet e kësaj bande qeverisës ka qënë dhe mbetet kërcënimi i opozitës, rrudhja e saj, dhe komprometimi i veprimtarisë së saj.
Kjo maxhorancë ka goditur rëndë, deri në eliminim, të gjithë funksionet opozitare dhe rregullat e lojës.
FUNKSIONI VENDIMARRËS, Rama e ka përjashtuar opozitën nga çdo vendimmarrje
Ky grupim i merr të gjithë vendimet duke shpërfillur opozitën dhe çdo mendim alternative. Edhe kur i duhen vota për një vendimmarrje me shumicë të cilësuar e shpërfill opozitën dhe mendon të arrijë shifrën prej 84 votash duke blerë apo kërcënuar deputetë kundërshtarë. Në këtë kuptim opozita nuk ka asnjë mundësi të marrë pjesë në vendimmarrjet e parlamentit; e thënë ndryshe funksioni i saj vendimmarrës për interesin publik është krejtësisht i mohuar.
FUNKSIONI ANKIMUES, Rama me shkatërrimin e GJK i ka hequr opozitës të drejtën e ankimimit
Kohët e fundit, Rilindja ka shkatërruar Gjykatën Kushtetuese dhe praktikisht vendi drejtohet me vendime të KM që kthehen në ligje antikushtetuese nga shumica e Rilindjes dhe opozita nuk ka asnjë mundësi që të ankohet në Gjykatën Kushtetuese. Pra opozitës i është hequr edhe funksioni ankimues dhe në Shqipëri shteti ligjor ka rënë dhe vëndi drejtohet në mënyrë subjektive dhe voluntariste nga një individ.
FUNKSIONI HETIMOR, Rama e ka penguar opozitën të kryejë hetime të aktivitetit qeverisës
Një nga funksionet e rëndësishme të opozitës është funksioni hetimor apo investigativ i opozitës për veprimtarinë qeveritare. Fillimisht Rilindja e kundërshtoi haptas këtë funksion duke penguar për një kohë të gjatë ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare derisa u desh ndërhyrja e Gjykatës Kushtetutës e cila i dha të drejtë opozitës.
Më tej, Rama sa herë që opozita ka kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor e ka penguar veprimtarinë e tij përmes manovrave hileqare dhe zvarritjeve të ministrave për të furnizuar anëtarët e komisionit me dokumentet e kërkuar. Në gjithë raste Rama ka udhëzuar anëtarët e tij në komisionin hetimor të mos miratojnë raportin e propozuar nga opozita duke dërguar në parlament gjithnjë dy raporte diametralisht të kundërta. Pra strategjia e Ramës ka qenë komprometimi i veprimtarisë së komisioneve hetimore përmes bllokimit të tyre.
FUNKSIONI VERBAL, Rama ka vrarë fjalën e opozitës në parlament dhe jashtë tij
Rama në krye të një bande deputetësh manenikë jo vetëm ka sharë dhe ofenduar me një fjalor rruge opozitën në tërësi dhe deputetë konkretë, por edhe i ka kërcënuar dhe goditur në mënyrë të orkestruar deputetët e opozitës. Nuk kanë qenë të pakta rastet kur vetë Rama me një fjalor banal dhe fyes i ka provokuar deputetët e opozitës të cilët më tej i kanë ndëshkuar duke i përjashtuar nga parlamenti. Thënia me domethënëse e Ramës për opozitë, pasi e kishte ofenduar dhe fyer ishte legjendare: Nuk keni parë gjë akoma!
FUNKSIONI PROTESTUES, shteti policor i Ramës ka paralizuar veprimin qytetar e protestues
Në disa raste opozita ka organizuar protesta të mëdha qytetare, por gjithnjë ato janë paraprirë apo pasuar nga veprimet e shtetit ligjor. Veprimet e shtetit ligjor kanë kërcënuar qytetarët për të dalë në protesta dhe pothuajse pas çdo proteste janë ndaluar apo arrestuar aktivistë të opozitës thjesht për ti bërë presion apo për ti kërcënuar që të mos dalin në protestë. Në sintoni me veprimtarinë policore të shtetit të Ramës kanë qenë shumë agresive edhe mediat klienteliste dhe gazetarët e blerë nga Rama të cilët kanë sulmuar opozitën dhe janë munduar të krijojnë një imazh të gabuar për protestat e opozitës.
Opozitës i kanë mbetur vetëm të drejtojë REVOLTËN POPULLORE, MASIVE DHE AFATGJATË…
Edi Rama ja mbyllur të gjitha mundësitë veprimit institucional opozitar dhe shprehjes publike të mendimit opozitar. Ai ka paralizuar dhe vrarë çdo mundësi reagimi demokratik. Ai ka shkuar aq larg sat ë komprometojë dhe zyrtarë të lartë të huaj që merren me zhvillimet në Shqipëri.. Për rrjedhojë, hapësira e veprimit opozitar është ngushtuar në ekstrem. Opozitës dhe qytetarëve nuk ju ka mbetur gjë tjetër, ose të nënshtrohen dhe të pranojnë vendosjen e një regjimi diktatorial hibrid. Ose të ngrihen në revolta masive dhe të pandalshme deri në largimin e këtij regjimi të rrezikshëm që po vjedh pronën publike dhe po boshatis vendin nga shqiptarët.