Islanda bën mrekullinë, shkon në 1/8

Anglia jashtë edhe nga Europa e futbollit

E pabesueshme, Islanda në çerekfinale, Anglia jashtë. Ishullorët modestë shkruajnë historinë e futbollit modern me një fitore 2-1 që do të mbetet një plagë e hapur për futbollin anglez për shumë vjet. Dy gola që rrëzuan “Tre Luanët” në një 90 minutësh të lexueshëm për skuadrën e Roy Hodgson, ekipi i të cilit largohet me kokën ulur dhe mes turpit pas një ndeshjeje ku nuk tregoi pothuajse asgjë edhe pse vitrina e kombëtares angleze reklamoi në këtë evropian disa nga xhevahirët më të çmuar të futbollit europian. Anglia e nisi ndeshjen me treshen e sulmit Kane, Sterling, Sturridge të mbështetur nga Rooney dhe ishin menjëherë “Tre Luanët” që arritën të shënonin falë një 11 metërshi të fituar nga Sterling. Kapiteni Wayne Rooney nuk gaboi përballë Halldorson.
Islanda nxori në pah krenarinë dhe tregoi se di të luajë edhe në sulm pasi 2 minuta më vonë, Ragnar Sigurdsson i pamarkuar në zonën e rreptësisë goditi saktësisht. Për Anglinë ndeshja mori një rrjedhë të papritur në minutën e 19 kur skuadra e Hodgson e pa veten në disavantazh. Aksion model nga ana e islandezëve ku kombinimi mes Bodvarsson e Sigthorsson e liroi këtë të fundit në limitet e zonës së rreptësisë. Një e djathtë shumë e fortë për duart e Hart.
Shokuese, Islanda bën goditjen e madhe në stadiumin e Nice ku Anglia humbi busullën. Kane i vetëm në sulm dhe dyshja e krahëve nuk funksionuan për asnjë moment, ndërsa ky ishte goli i 6 në 11 goditje në portë që Islanda ka regjistruar gjatë europianit, çka konfimon ekipin e Lagerbak si më cinikun e evenimentit. Skuadrat shkuan në dhomat e zhveshjes me këtë rezultat dhe pas rikthimit në fushë Islanda tregoi se emocionet dhe presionin i kishte lënë në dhomat e zhveshjes duke bërë ndeshjen e saj.
Anglia nuk e gjeti asnjëherë shkëndijën për të ndezur ndeshjen me Keane të përhumbur në fushë, ndërsa as hyrja e Vardy në fushën e lojës nuk e ndryshoi rrjedhën. Islanda e vendosur mirë në fushë priti me qetësi lojën e rrëmujshme të anglezëve që me kalimin e minutave humbën qartësinë dhe kjo u duk qartë edhe në këmbët e Keane në minutën e 66 kur qendërsulmuesi i Tottenham ekzekutoi një goditje dënimi jo të denjë për repertorin e tij.
Kronometri po tregohej i pamëshirshëm për skuadrën e Hodgon që rrezikoi goditjen e nokdaunit në minutën e 73 kur Saevarsson tentoi golin e tretë. Ishte sërish Islanda me Gunnarsson që 6 minuta nga fundi tronditi grushtat e Hart. Minutat e fundit nuk treguan asgjë të re. Anglia pa zemrën e luanëve që mban në stemë nuk di të sillet si e madhe në evenimentet prestigjioze, ndërsa Islanda tashmë nuk është më një ishull i vetmuar në mes të Atlantikut, ajo është skuadra që europianin e saj e ka fituar, por ndoshta do të kërkojë të shkojë më tej edhe pse pengesa e radhës është Franca organizatore.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërAnglia, ja 4 arsyet e dështimit