Ismajli rrezikon Anglinë, balotazh “Uzuni-Manaj” në sulm. Si pritet të luajë Shqipëria në Uembli

Nëse mund të ëndërrojmë për një rezultat pozitiv në Uembli, qoftë këtu edhe një pikë, padyshim që duhet një mbrojtje solide për të përballuar forcat dhe sulmet e shumta të Anglisë.

Por, problemet, me sa duket kanë nisur herët për Silvinjon, sepse në seancën e djeshme, “Panorama Sport” mëson se Ardian Ismajli ka shfaqur probleme dhe ka lënë përgjysmë seancën. Mbrojtësi po projektohej si titullar së bashku me Gjimshitin, por pas disa minutash lojë mes njëri-tjetrit, 28-vjeçari ka hequr jelekun e stërvitjes dhe është shtrirë jashtë fushe duke u konsultuar me doktorin e përfaqësueses shqiptare, Xhanluka Stesina. Ismajli duket se ndjente probleme muskulare dhe ende nuk është gati 100 përqind nga lëndimi që ka pësuar javë më parë. Ai ka munguar në disa ndeshje të Empolit dhe ka vijuar me terapi për rikuperimin e plotë. Në dyshim serioz prezenca e tij nga minuta e parë në ndeshjen kundër Anglisë.

Në seancën e djeshme stërvitore, Marash Kumbulla ishte i vetmi lojtar i cili nuk u stërvit me grupin. Mbrojtësi punoi biçikletë dhe ushtrime të lehta në palestër dhe mesa duket ka pasur një ngarkesë muskulare dhe nuk është rrezikuar. Ai pritet të bashkohet me grupin në seancën e sotme stërvitore, e cila do të jetë e fundit në Tiranë, pasi mbasdite ekipi do të fluturojë për në Londër, dy ditë përpara ndeshjes.

FORMACIONI- Pas ushtrimeve të lehta dhe atyre koordinative, Silvinjo u mundua që të provonte diçka në lidhje me titullarët që do të zbresin në fushë ditën e premte. Në vendin e Ismajlit, gjatë lojërave u vendos Ajeti, i cili do të jetë në balotazh me Marash Kumbullën për një vend në formacion, gjithmonë nëse Ismajli nuk ia del. Ndërkohë, Gjimshiti dhe Balliu janë të konfirmuar. Krahu i majtë pritet t’i besohet Alijit. Trajneri do të vijojë me skemën e njëjtë, ku përfshihen katër mbrojtës dhe jo më shumë. Në mesfushë do të jenë Ramadani, Asllani dhe Laçi. Gjithashtu, edhe krahët e sulmit do të formohen nga Jasir Asani dhe Nedim Bajrami, dyshe e cila ka “pronotuar” këto pozicione. Ndërkaq, një dilemë e madhe është për majën e sulmit. Gazeta mëson se Silvinjo duhet të zgjedhë një mes Rei Manajt dhe Myrto Uzunit. Ky i fundit është disi më i avantazhuar, për shkak të shpejtësisë, e cila mund të shërbejë kundër anglezëve. Megjithatë, të dy janë në balotazh dhe është braziliani ai që do të vendosë ditën e ndeshjes. Në portë pritet ta nisë Tomas Strakosha.

8

 

Artikulli paraprak“Ku e mori drogën? Vetë e montoi lëndën eksplozive”- Abuzimet e rënda me detyrën, Altin Dumani i zbulon shkeljet e kryeprokurorit Erjon Shehaj: KPA ta shkarkojë
Artikulli tjetërGazment Koduzi: Shëndetësia e centralizuar, një model i dështuar – Koalicioni Euroatlantik sjell zgjidhjen