Ish-kryeministri italian Giuseppe Conte pranoi të enjten një mandat të ri për të provuar të krijojë një qeveri të re të mbështetur nga Lëvizja populiste 5 Yje dhe demokratët e qendrës së majtë, me qëllim bllokimin e një gllabërimi të pushtetit nga udhëheqësu i krahut të djathtë, Matteo Salvini.
Zoti Conte tha pas një takimi me Presidentin Italian Sergio Mattarella se ai do të takohej menjëherë me palët në përpjekje për të vendosur sa më shpejt stabilitetin politik pas krizës shkaktuar nga loja e pushtetit të zotit Salvini që rrëzoi qeverinë populiste 14-mujore.
“Është një emërim që e pranova me rezerva,” tha zoti Conte, i cili u detyrua të jepte dorëheqjen më 8 gusht pasi Salvini tërhoqi mbështetjen për qeverinë e tij.
Lëvizja e zotit Salvini krijoi paqëndrueshmëri politike që e ktheu edhe një herë vëmendjen e investitorëve në Itali, duke rritur kostot e huamarrjes në borxhin e saj që vazhdon të mbetet i lartë. Italia gjithashtu përballet me një afat kritik në vjeshtë për hartimin e një buxheti për Bashkimin Evropian, me mundësinë e ngritjes së taksës së vlerës së shtuar për të mbuluar mangësitë.
Lëvizja populiste me 5 yje dhe demokratët janë bashkuar në një aleancë jo të natyrshme së bashku për ta frenuar përpjekjen e zotit Salvini për të rrëmbyer pushtetin kur ai papritmas tërhoqi mbështetjen për qeverinë e brishtë të koalicionit mes Legës dhe 5 Yjeve, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme.
Aleanca e re duket se do të parandalojë zgjedhjet – tani për tani. Por edhe nëse zoti Conte arrin të formojë qeverinë, fiton mbështetjen e Presidentit Sergio Mattarella dhe një votëbesim në parlament, analistët politikë paralajmërojnë se qeveria nuk ka gjasa të zgjasë.
Partia Demokratike nuk pranoi as të shqyrtojë mundësinë e bisedimeve me 5 Yjet pasi zgjedhjet kombëtare pa rezultat të qartë në mars 2018 përfundimisht çuan në koalicion me Legën, dhe të dy partitë kanë shkëmbyer prej kohësh ofendime.
Zoti Salvini u mori zemër të rrëzonte qeverinë me mbështetjen e madhe që mori në zgjedhjet evropiane të pranverë, zgjedhjet lokale dhe sondazhet politike që treguan se Lega gati sa e kishte dyfishuar mbështetjen e saj që nga zgjedhjet e vitit 2018, ndërsa ajo e 5 Yjeve ishte përgjysmuar.
Por zoti Salvini, popullariteti i të cilit u rrit me politikat e tij kundër imigracionit, nuk bsonte se ish rivalët politikë do të bashkëpunonin për të bllokuar përpjekjen e tij për pushtet.
Zoti Conte shihet si një aleat i 5-Yjeve, edhe pse profesori i së drejtësnuk kishte asnjë përkatësi partiake kur u bë kryeministër në qershor 2018. Ai mbajti një profil relativisht të ulët gjatë qeverisjes 14 mujore të 5 Yjeve dhe Legës, por para se t’i dorëzonte dorëheqjen Presidentit Matarella, ai sumoi ashpër zotin Salvini që shkaktoi rënien e qeverisë.