Italia bllokon drogën me vlerë 4 milionë euro

Guardia di Finanza italiane ka sekuestruar në ujërat e Adriatikut 400 kg marijuanë, e ardhur nga Shqipëria. Gjatë një operacioni policor në orët e para të ditës së mërkurë, roja bregdetare e Barit u vu në ndjekje të gomones që po transportonte drogën, duke arritur ta neutralizojë pranë Kanalit të Otrantos. Në pranga ranë dy skafistët italianë, Antonio Zecca, 51 vjeç dhe Antonio Lococciolo, 66 vjeç, të dy me origjinë nga Brindisi, dhe të njohur si persona me precedentë penalë. Ngarkesa e konsiderueshme prej 4 kuintalë marijuanë ishte ndarë në 23 koli të mëdha dhe ishte mbështjellë me material të posaçëm. Mediat italiane shkruajnë se roja bregdetare pikasi gomonen që po i drejtohej brigjeve të Puljas me drita të fikura dhe me një shpejtësi të ulët. Menjëherë pasi kuptuan se kishin rënë në gjurmët e policisë, skafistët hodhën një pjesë të madhe të drogës në det, për të lehtësuar mjetin lundrues, por nuk arritën t’u shpëtonin prangave. Nëse do të hidhej në treg, droga do t’i sillte trafikantëve fitime që i kalonin 4 milionë eurot. Prokuroria e Barit vijon hetimet për zbardhjen e rrjetit të narkotrafikut dhe identifikimin e furnizuesve të lëndës narkotike, që sipas të gjitha gjasave janë shqiptarë. Kultivimi i kanabisit ka marrë një hov të gjerë. Harta e Shqipërisë ka marrë ngjyrën e drogës. Asnjëherë më parë nuk ka ndodhur pushtimi masiv i vendit nga kanabisi siç po ndodh nën këtë qeverisje, me mbikëqyrjen e ministrit të Brendshëm. Propaganda false e mashtruese të disa rrënjëve që nxjerr qeveria në ekran gjoja si sukses të luftës ndaj drogës është një fasadë. Policia bën gjoja sikur organizon aksione për shkatërrimin e parcelave me kanabis, por në fakt shkatërron ato parcela, të cilat nuk zotërohen nga Tahiri dhe njerëzit e tij, por të disa “hallexhinjve”. Kështu, pra policia korr kanabisin e parcelave ku nuk u del për zot njeri. Nëse qeveria do të kishte pikësynim goditjen e kultivimin e lëndëve narkotike, atëherë si shpjegohet që kanabisi lulëzon në të gjithë vendin, ndërsa policia bën sikur organizon aksione, duke korrur disa parcela të vogla që u përkasin njerëzve pa mbështetje nga policia. Apo më keq akoma, korr kanabisin, pasi është vjelë droga nga trafikantët. Kultivimi në masë të gjerë i kanabisit në të gjithë vendin tonë është kthyer në një shqetësim ndërkombëtar. Policia italiane, ndryshe nga ajo shqiptare, është shumë e shqetësuar për këtë situatë. Sipas autoriteteve italiane, kultivimi i hashashit është zgjeruar në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe ky përbën një shqetësim serioz.

Exit mobile version