Irlandë befasuese, pikë e vuajtur për Suedinë
Italia debuton me fitore në Euro 2016. Të kaltërit triumfuan 2-0 me Belgjikën, skuadrën që në letër cilësohej më e vështira e Grupit E për të besuarit e Antonio Contes. Një sukses i vuajtur, i arritur me këmbëngulje dhe eksperiencë përballë yjeve të Djajve, nga Hazard, te Lukaku e Mertens. Një ndeshje e vështirë, me belgët që dhanë sinjalet e para të rrezikshme me Nainggolan. Fillimisht mesfushori gjeti në rrugën e tij Buffon, ndërsa në tentativën e dytë shënjestra nuk ishte e duhura.
Për të krijuar momentin e parë të rrezikshëm, Italisë iu nevojitën 29 minuta, me Pelle që nuk inkuadroi si duhet, por në të 32-ën të kaltërit gjetën golin e avantazhit me Giaçherini-n. Sulmuesi i Bologna-s shfrytëzoi në mënyrë perfekte pasimin e gjatë të Bonuçi-t, duke thyer Courtois. Avantazhi i dha zemër italianëve, që provuan edhe me Candreva-n, ndërsa në të 37-ën ishin fare pranë golit të dytë me Pelle, me topin që përfundoi pak centimetra jashtë portës.
Pjesa e dytë vazhdoi me Belgjikën në sulm, me Lukakun që në të 54-tën mund të kishte ndëshkuar Buffon, por sulmuesi i Djajve të Kuq ishte i pafat. Edhe Italia ishte pranë golit me Pelle, me Courtois që mbajti të tijtë në lojë, ndërsa Hazard dhe yjet e tjerë të Belgjikës u dukën të pafuqishëm për të gjetur rrjetën. Pas tij, pa sukses provuan edhe Lukaku dhe Mertens, ndërsa Origi 7 minuta përpara fundit kishte mundësinë më të mirë për të barazuar, por sulmuesi nuk e kalibroi si duhet goditjen me kokë.
Duke shfrytëzuar hapësirat e krijuara, Italia provoi ti godiste rivalët me Immobile, ndërsa belgët të hedhur dëshpërimisht në sulm nuk kishin forcën e duhur goditëse. Për të mbyllur çdo diskutim mendoi Graziano Pelle, që finalizoi në mënyrë të shkëlqyer një kundërsulm perfekt të Italisë, duke dërguar të kaltërit në delir. edhe pse me pak kualitet dhe pa yje të mëdhenj, Italia konfirmoi se do të jetë protagonistë në Euro 2016.
Ndërkohë, Republika e Irlandës befason në ndeshjen e parë në Kampionatin Europian, duke treguar se nuk do të jetë një skuadër e thjeshtë për rivalët. Në sfidën e parë të Grupit E, të luajtur në Stade de France, të besuarit e Martin O’Neill barazuan 1-1 përballë Suedisë. Një pikë që nuk i lë aspak të kënaqur, pas një ndeshje të dominuar me karakter dhe grintë. Në këtë duel , Irlanda nuk shfaqi asnjë emocion, madje në të 17-ën ishte fare pranë golit me O’Shea, që me portën e boshatisur ishte me një kohë vonesë, duke mos gjetur devijimin drejt rrjetës.
Në të 28-të Brady drithëroi suedezët, ndërsa 5 minuta më pas tentativa e Hendrick u frenua nga traversa. Irlandezët nuk e ulën ritmin dhe pas dominimit në pjesën e parë të lojës, gjetën avantazhin në minutën e 48-të me Hoolahan, që shfrytëzoi asistin e Coleman. Goli i pësuar zgjoi Suedinë, që deri në ato momente ishte apatike dhe pa ide në fushë. Tentativat e Forsberg dhe Ibrahimovic paraprinë golin e barazimit. Pikërisht nga harkimi i Ibrahimovic, suedezët arritën të barazonin, me devijimin fatal të Clark që me kokë e dërgoi topin në portën e tij.