2 ton drogë e nisur nga Shqipëria është sekuestruar mëngjesin e djeshëm nga autoritetet italiane dhe greke. Ngarkesa e lëndës narkotike po transportohej me skaf, kur u zbulua nga rojet kufitare greke dhe ato italiane. Sipas mediave të vendeve fqinje, operacioni i madh antidrogë është zhvilluar nga policia italiane dhe greke në orët e para të mëngjesit të djeshëm.
Mediat greke bënë të ditur se, forcat e policisë greke dhe italiane kanë ndjekur për disa orë në det skafin e ngarkuar me drogë. Sikurse bëjnë me dije mediat greke, 3 personat që ndodheshin në skaf hodhën në det pakot me kanabis sativa për të lehtësuar peshën në mënyrë që të mund t’i shpëtonin kapjes nga autoritetet.
Një helikopter po patrullonte nga ajri ndjekjen në det, që më pas vazhdoi në ujërat territoriale shqiptare. Skafistët u drejtuan drejt bregdetit shkëmbor shqiptar, ku dhe mundën t’i shpëtonin rojeve bregdetare italiane dhe greke.
Autoritetet greke dhe ato italiane mblodhën 122 pako të mbushura me kanabis sativa, që ishin hedhur në det. Nga peshimi rezultoi se bëhet fjalë për një ngarkesë prej 2 ton drogë. Sa i përket autorëve, ata mundën të arratiseshin dhe janë fshehur në Shqipëri. Identiteti i tyre është i panjohur. Droga do të transportohej në Itali, por pasi u zbuluan nga Guarda di Finanza, manovruan për t’u shmangur dhe iu afruan bregdetit grek.
5 ton drogë drejt Italisë pas emërimit të Qibinit
Trafiku i drogës drejt Italisë dhe Greqisë është rritur frikshëm pas emërimit të Besmir Qibinit, drejtor i Kufirit në Policinë e Vlorës. Sipas statistikave, në një javë që njeriu i Tahirit u vu në krye të Policisë Kufitare të Vlorës drejt Italisë dhe Greqisë janë futur plot 5 tonë drogë nga brigjet shqiptare.
Një skaf me 800 kg drogë që vinte nga Shqipëria u diktua të dielën e kaluar në gjirin e San Cataldo-s. Operacioni, sipas tyre, është finalizuar nga reparti operativ aeronaval i Guardia di Finanza në Bari dhe Taranto, që po kryen funksionet e qendrës së koordinimit lokal të misionit Frontex.
Skafi u kap 20 milje larg bregut. Ai kishte një gjatësi prej 8 metrash dhe një motor të fuqishëm (225 kuaj fuqi). Nëse do të kishte përfunduar në treg, sasia e drogës do t’i kishte siguruar 7 milionë euro organizatës kriminale.
Pas sekuestrimit të 800 kg kanabis, të hënën e kaluar Guardia Di Finanza sekuestroi përsëri 500 kg drogë në ujërat e detit Adriatik, ndërsa në pranga kanë përfunduar dy transportuesit nga Vlora. Sipas mediave italiane, operacioni nga deti dhe ajri u zhvillua në brigjet e Sao-s, në Leçe, ndërsa ngarkesa me lëndë narkotike ishte nisur nga brigjet e Vlorës.
Mediat italiane shkruajnë se të dy trafikantët në bord u përpoqën të iknin, duke hedhur jashtë varkës, (7 metër e gjatë dhe me motor të fuqishëm), drogën, por ata u arrestuan. Kontrabandistët, identiteti i të cilëve nuk dihet, të moshave 30 dhe 48 vjeç, të dy nga Vlora, akuzohen për posedim dhe trafikim ndërkombëtar të drogës. Marijuana e nxjerrë nga deti ishte paketuar në 28 pako me madhësi të ndryshme, me një peshë totale prej 506 kg.
Po ashtu, bëhet e ditur se nëse droga do të kishte dalë në treg për shitje, ajo kapte vlerën e 5 milionë eurove. Ky është operacioni i dytë i zhvilluar nga Guardia Di Finanza në të njëjtën zonë brenda 48 orëve.
Mediat italiane shkruajnë se, tonelata me drogë vijnë papushim nga Shqipëria në Itali përmes Adriatikut. Vetëm në Pulja, Guardia di Finanza ka sekuestruar 5 ton hashash në këto ditë të para të vitit 2017, ndërsa në vitin 2016 numërohen 20 ton.
R.POLISI