Lajmi që prisnim mbërriti. 100 përqind e pacientëve me koronavirus kanë prodhuar antitrupa. Kështu shkruan gazeta italiane, Repubblica.
Studimi kinez është publikuar nga revista prestigjioze Nature Medicine.
Ky është një lajm i mirë, shkruan gazeta, pasi e bën të besueshme diagnozën serologjike. Në këtë mënyrë, ato që njihen si pasaportat e imunitetit do jenë të rëndësishme.
Kujtojmë se para pak ditësh, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se nuk ka të dhëna të besueshme se njerëzit krijojnë imunitet pasi infektohen nga koronavirusi i ri.
Studimi i ri tregon se 100 përqind e pacientëve kishin antitrupa kundër koronavirusit 19 ditë pasi kishin shfaqur simptomat.
Kjo megadozë optimizmi vjen në kohën kur shumë vende duan të hapin ekonominë bazuar te ‘licencat e imunitetit’.
Por sa zgjat imuniteti i krijuar nga koronavirusi i ri? Ende nuk dihet me saktësi, por eksperienca me viruse të ngjashme tregon se bëhet fjalë për 12 deri në 14 muaj.