Telenovela për pasardhësin e Antonio Contes në stolin e Kombëtares Italiane ka nisur javë përpara se trajneri të zyrtarizonte marrëveshjen me Chelsea-n. Sipas Presidentit të Federatës Italiane, Taveçhio, trajneri i ardhshëm i të kaltërve nuk do të ketë një profil luksi, edhe sepse financat e federatës nuk janë të larta. Megjithatë, nuk përjashtohet që të ketë një surprizë.
E papritura lidhet me emrin e Roberto Mançinit, i cili prej kohësh diskutohet për stolin e Italisë. Trajneri i Interit duket se është i preferuari i Federatës. Shqetësimi i vetëm lidhet me rrogën e lartë të teknikut, që në të njëjtën kohë pret të mësojë edhe më tepër rreth së ardhmes te zikaltërit, pas ftohjes së marrëdhënieve me drejtuesit e klubit, prej mos-përmbushjes së objektivit Champions.
Nëse Mançini do të largohej nga Interi, kjo do t’i hapte rrugën bisedimeve me Taveçhio-n. Në të kundërt, presidenti i federatës do të nisë negociatat me të preferuarin tjetër, Vincenzo Montella. Ky i fundit duket drejt largimit nga Sampdoria, por puna e tij po studiohet me kujdes edhe nga Milani.
Në garën për stolin e Italisë, që gjithmonë e më tepër po i ngjason një maratone, vazhdon të jetë edhe trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, por edhe tekniku i Torinos, Giampiero Ventura, Gian Piero Gasperini i Genoa-s dhe Walter Mazzarri, që aktualisht është i papunë.