Italia me 4 sulmues

Do të jetë një Itali shumë sulmuese ajo që do të zbresë në “Renzo Barbera” të Palermos, mbrëmjen e të premtes në sfidën kualifikuese ndaj Shqipërisë. Giampiero Ventura, trajneri i përfaqësueses së kaltër e cilësoi këtë ndeshje si shumë të rëndësishme për fatet e Italisë në Grupin G kualifikues të Botërorit Rusi 2018, nëse 4 herë kampionët e botës kërkojnë vërtet të lënë pas Spanjën në garën për vendin e parë. Italia luan vetëm për fitore ndaj Shqipërisë dhe kjo është një nga arsyet që Ventura do të hedhë në fushë formacionin më të mirë të mundshëm përballë kuqezinjve të Gianni de Biasit. Duke parë provat e trajnerit në stërvitjen e parë pas grumbullimit, “Sky Sport” ka zbuluar skemën dhe 11-shen me të cilën do të luajë Italia ndaj Shqipërisë, të premten në Palermo.
Në modulin 4-2-4, porta do të mbrohet nga i përhershmi Gianluiggi Buffon që është edhe kapiteni i skuadrës. Portieri i Juventusit ndaj Shqipërisë do të luajë ndeshjen e tij të 1000 në karrierë. Mbrojtja me 4 lojtarë do të përbëhet nga Zapacosta në krahun e djathtë edhe pse në këtë pozicion nuk përjashtohet aktivizimi i Darmian ose D’Ambrosios. Në qendër do të luajë dyshja e Juventusit, Barzagli-Bonucci, ndërsa në krahun e majtë është e sigurtë prania në formacionin titullar e De Scglios. Dy mesfushorët e qendrës sipas “Sky” do të jenë De Rossi e Verratti, ndërsa sulmi do të përbëhet nga plot 4 lojtarë. Candreva do të veprojë në krahun e djathtë, ndërsa Insigne do të jetë i vendosur në krahun e majtë, në qendër të repartit të prapavijës do të luajnë dy sulmuesit e momentit në Serinë, Andrea Belotti dhe Ciro Immobile.
Trajneri i Italisë, Giampiero Ventura, disa ndeshje ka luajtur lojë tepër sulmuese me vetëm dy mesfushorë e katër sulmues (4-2-4), por nuk ka treguar nëse ngjashëm do të luajë edhe të premten ndaj Shqipërisë. Ai ka shtuar se do të provojë skema të ndryshme gjatë kohës sa është te azzurët.
“4-2-4 kundër Shqipërisë? Një ekip kombëtar nuk mund ta ketë vetëm një mënyrë të lojës, sepse përndryshe çdo gjë bëhet tepër regjimentale”, ka deklaruar Ventura. Ndeshja mes Italisë dhe Shqipërisë do të luhet të premten në Palermo në stadiumin “Renzo Barbera”, e cila zhvillohet nga ora 20:45, e vlefshme për kualifikueset për botërorin Rusia 2018.

Artikulli paraprakNdeshja do drejtohet nga slloveni Vinçiç
Artikulli tjetërMbreti i drogës