Përfaqësuesja italiane zhvilloi në Montpellier seancën e fundit stërvitore para se të nisej drejt Lille për ndeshjen e fundit në grup me Irlandën e Veriut. Në qendrën Bernard Gasset u rikthye në fushë Gianluiggi Buffon, pasi kaloi një gjendje të lehtë gripale. Qëndroi pushim Antonio Candreva, për shkak të një problemi muskular, kështu që në sulm Conte prite t’i besojë dyshesh Zaza-Immobile.
Në një mesfushë me 5 do të rreshtohen De Sciglio, Sturaro, Thiago Motta, Florenzi dhe El Shaarawy, ndërsa në mbrojtje Barzagli, Ogbonna dhe Darmian.
Me vendin e parë të siguruar, Conte do të provojë modulin 3-5-2, me emra të tjerë në fushë. I vetmi balotazh është ai mes El Shaarawy-t dhe Bernardeschit.
Ndaj Irlandës do të ketë vend gjatë lojës edhe për Lorenzo Insignen. Sfida Itali– Irlandë është me shumë interes edhe për Shqipërinë, pasi nëse të kaltrit nuk humbasin dhe Suedia nuk fiton me Belgjikën, çka ka probabilitet të madh të ndodhë, në këtë grup vendi i tretë do të ketë më pak pikë se skuadra e De Biasit.
Portugalia vijon përgatitjet e saj për ndeshjen e saj të fundit në grup ndaj Hungarisë. Edhe pse është skuadra që ka gjuajtur më shpesh portat e kundërshtarëve në krahasim me pjesën tjetër të pjesëmarrëseve në Euro 2016, Portugalia ka shënuar vetëm 1 gol, ndërkohë që edhe ka pësuar 1 të tillë. Për më tepër Portugalia nuk ka mundur të fitojë asnjë nga 2 ndeshjet e para dhe rrezikon seriozisht eliminimin nga Euro 2016.
Në këtë moment Portugalia është në vendin e tretë me vetëm 2 pikë, ndërkohë që Grupi F kryesohet nga Hungaria me 4 pikë. Ndeshja vendimtare mes Portugalisë dhe Hungarisë do të luhet në Lion, ndërsa Islanda dhe Austria do ta luajnë sfidën mes tyre në Paris.