Italia presion Shqipërisë, Beloti-Imobile kërcënojnë

Ndonëse duhen edhe 16 ditë nga ndeshja e radhës në Grupin G mes Italisë dhe Shqipërisë, “Axurrët” gjejnë rastin të reklamojnë formën e disa prej yjeve të kombëtares së Venturës. Në një shkrim të publikuar në prestigjiozen “La Gazzetta dello Sport”, duket qartësisht se “axurrët” kërkojnë jo vetëm që të bëjnë presion kundrejt kundërshtarit të radhës, por edhe më gjerë.
Referuar formës së dy prej sulmuesve italianë, numri i golave të realizuar deri në këtë fazë të sezonit është vërtet kërcënues jo vetëm për mbrojtjen e cunguar të Shqipërisë, por edhe për secilën nga mbrojtjet më hermetike të kombëtareve europiane.
Andrea Beloti dhe Çiro Imobile, janë shndërruar në vrasësit e Serisë A. Për formën që ata po kalojnë, “La Gazzetta dello Sport” ka botuar një shkrim kërcënues për cilëndo skuadër europiane. “Andrea e Çiro, dyshe me 38 gola. Askush si Italia”, është titulli i një shkrimi me autor Fabio Licari të “La Gazzetta dello Sport”.
Të dhënat e paraqitura në shkrim, janë vërtet kërcënim për kombëtaren kuqezi në ndeshjen e radhës që do të kenë përballë një dyshe të tillë sulmuesish. “Vështirë të gjesh dy sulmues që kompletojnë njëri-tjetrin kaq mirë. Beloti është sulmuesi klasik i zonës, me shumë potencë dhe të dhëna pozitive për realizimin e golave. Ndërkohë, Imobile bën mjaft mirë ‘9’-ën te Lacio dhe ndër më të mirët për momentin në këtë rol, pasi di të sakrifikohet mjaftueshëm në favor të sulmuesit të parë, duke krijuar hapësira, vertikalizuar, por edhe pa harruar shijen e golit personal.
Deri në këtë fazë të kampionatit kanë shënuar 38 gola, 22 torinezi që është edhe kryegolashënuesi i Serisë A dhe 16 laciali. Asnjë kombëtare, të paktën në Europë, nuk ka për momentin një dyshe të tillë sulmuesish”, shkruan “La Gazzetta dello Sport”.

Artikulli paraprakLlullaku e nis keq në Kazakistan
Artikulli tjetërInteri nuk heq dorë