Italia s’na tremb!

Johachim Low nuk i trëmbet Italisë. Trajneri i Kombëtares së Gjermanisë, i ka idetë e qarta për takimin kundër të kaltërve. Pavarësisht se në miqësoren e fundit të zhvilluar mes dy skuadrave, “Die Manchaft” arritën të fitonin kundër të kaltërve me rezultatin e thellë 4-1, në eventet e mëdha të futbollit, historia nuk flet në favor të kampionëve të botës. Sidoqoftë Low duket i përgatitur dhe beson tek fitorja. “Nuk kemi aspak frikë, sepse unë besoj tek kapacitet që kanë futbollistët e mi. Humbjet e fundit përballë tyre në evenimentet madhore nuk i marr në konsideratë, pasi nuk ishim ende një skuadër e konsoliduar, por tani gjërat kanë ndryshuar. Të gjithë gabojmë, ashtu siç edhe ne gabuam kundër tyre. Por, tashmë gjërat kanë ndryshuar”, u shpreh Low.
Më tej, Low analizon dhe mënyrën se si ka ndryshuar skuadra e Antonio Contes, duke vënë në pah dhe cilësitë e disa prej futbollistëve të kaltër. “Italia nuk është më ajo skuadër që jemi mësuar të shohim. Ata sot nuk luajnë më vetëm në mbrojtje, por dinë edhe të sulmojnë. Do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi të shënosh gol është një mision jo i lehtë, duke patur parasysh se ata kanë një mbrojtje të fortë. Buffon në portë është një garanci më shumë për ta. Gjithashtu dhe De Rossi më pëlqen shumë, pasi është një mesfushor i ekuilibruar. Do të jetë një ndeshje e bukur, tha ai.
Në fund trajneri 45-vjeçar shprehet se nuk do të ketë ndryshime në formacion dhe përsa i përket sulmuesit Thomas Muller, i cili ende nuk ka arritur të shënojë gol. Low shprehet optimist, duke deklaruar se pavarësisht këtij fakti është i kënaqur nga loja e tij.
Te Italia nuk ka kohë për të festuar. Menjëherë pas fitores fantastike që përfaqësuesja e kaltër arriti ndaj Spanjës në raundin e 1/8-ve të Europianit, mëngjesin e kësaj të marte, Conte dhe te besuarit e tij kanë zbritur në fushë në Montepellier për t’u stërvitur për takimin e të shtunës ndaj Gjermanisë. Do të jetë një ndeshje e madhe, ajo ndaj Die Manschaft që mund të konsiderohet edhe si finalja e parakohshme e këtij Europiani. Megjithatë problemet janë të shumta te Italia në vigjilie të kësaj sfide dhe ndoshta Antonio Conte duhet t’i bëjë llogaritë pa disa prej lojtarëve të tij më të rëndësishëm.
Mesfusha është reparti që shqetëson më shumë trajnerin e 4-herë kampionëve të Botës. Antonio Candreva nuk u stërvit me grupin këtë të martë dhe sipas të gjitha gjasave futbollisti i Lazios do të mungojë në duelin ndaj gjermanëve. Candreva vuan nga një problem muskulor, por anësori i mesfushës nuk është i vetmi që mund t’i mungojë Italisë, pasi edhe Daniele De Rossi, i cili u zëvendësua në pjesën e dytë ndaj Spanjës ka disa probleme.
Gjatë ditëve në vijim do të mësohet më shumë mbi gjendjen fizike të lojtarit të Romës, por nëse De Rossi nuk ja del, Conte duhet të improvizojë në mesfushë, sepse kundër Gjermanisë do të mungojë edhe Thiago Motta, i cili është i skualifikuar. Në seancën e fundit të kombëtares së kaltër u stërvitën të veçuar edhe Alesandro Florenzi dhe Eder, por këta dy lojtarë nuk kanë asgjë serioze dhe do të zbresin rregullisht në fushë ndaj përfaqësueses së pançerave.

Exit mobile version