Italia thellon krizën e Holandës

Italia thellon krizën e Holandës, duke fituar 1-2 në miqësoren e luksit të zhvilluar në “Amsterdam Arena”. Në fakt “të kaltrit” e nisën keq ndeshjen, duke pësuar që në minutën e 10-të, kur Alessio Romagnoli në tentativë për të larguar rrezikun devijoi drejt portës së tij. Vetëm një minutë më pas, Eder përfitoi nga një spastrim i gabuar i zonës, duke shënuar golin e barazimit me një goditje thuajse në vijën e 16 metrave.
Të pafat holandezët në minutën e 32-të teksa topi i mbetur në zonën e portierit u shty me forcë drejt rrjetës nga Bonucci.
Ky ishte finalizimi i fundit i këtij takimi pasi në pjesën e dytë pavarësisht presionit të vendasve Donarumma nuk lejoi tjetër gol në portën e tij.
Miqësorja tjetër e luksit e zhvilluar mes Francës dhe Spanjës përfundoi me fitoren 0-2 të La Rojas. Në “Stade de France” të dy golat e skuadrës së Lopeteguit u shënuan në pjesën e dytë. David Silva u tregua i saktë në të 68-ën nga pika e bardhë e penalltisë pas një ndërhyrjeje të gabuar të Koscielnit.
Në të 77-ën talenti i Spanjës Deulofeu realizoi të dytin nga një distancë e afërt pas pasimit të saktë të marrë nga e majta nga Jordy Alba.
Spektakël në stadiumin “Olimpik” të Sochit në miqësoren mes Rusisë dhe Belgjikës, që përfundoi në barazim 3-3. Vendasit shënuan të parët pa u mbushur tri minuta lojë me Vasin, pas ekzekutimit të një goditjeje standarde.
Gjithsesi belgët e kthyen shumë shpejt baraspeshën në rezultat me Mirallas nga pika e bardhë e penalltisë.
Në fund të pjesës së parë Benteke realizoi dy gola të shpejtë me kokë, në minutat 42 dhe 45, me Belgjikën që shkoi në pushimin mes pjesëve në avantazh 1-3.
Pjesa e dytë foli e tëra për Rusinë që në këtë fraksion realizoi fillimisht me Miranchuk në të 74-ën, ndërsa Bukharov shmangu humbjen e vendasve në minutën e dytë shtesë me golin e 3-3.

Exit mobile version