Italia ka zgjedhur “San Siro-n” për t’u përballur me Suedinë, më 13 nëntor, në ndeshjen e kthimit të play off-it të botërorit Rusi 2018. Takimi i parë do të luhet më datë 10 në Suedi, ndërsa italianët kanë menduar se impianti i Milanos është ideali për t’ia bërë ndeshjen e kthimit, një “ferr” të vërtetë suedezëve.
Stadiumi atje ka një kapacitet prej 80 mijë vendesh, ndërsa prania në këtë qytet e dy tifozërive të zjarrta, si ajo e Milanit dhe e Interit, i japin garanci federatës italiane, se në ndeshjen e 13 nëntorit, publiku do të jetë një armë e fortë në favor të tyre.
Pas shortit, Ventura u shpreh i sigurt se Italia do t’ia dalë të marrë pjesë në botëror, ndërsa theksoi se do të kenë mbështetjen e të gjithë publikut italian.
“Në Rusi do të shkojmë me siguri dhe do t’ia dalim me mbështetjen e të gjithë popullit italian. Nuk ka kuptim një botëror pa Italinë. Më vjen mirë që u zgjodh ‘San Siro’, sepse është vendi ideal për të luajtur sfida të tilla delikate”, tha Ventura.