Në vitin 1992, ambasadori Rajerson u ngjit në skenë dhe ngriti dy gishtat në mitingun e PD. Pastaj zbriti bëri fushatë për PD, lagje më lagje.
Më pas iu dha leje Sali Berishës për të shtypur Partinë Socialiste, sepse socialistët ishin armiq të ShBA për 45 vjet dhe ishin megafoni anti-amerikan në Shqipëri, ndërsa Sali Berisha ishte pushtetari i ri, aleati i ShBA, njeriu i cili mirëpritej në Shtëpinë e Bardhë.
Socialistët shqiptarë e kuptuan mesazhin dhe në vitin 2005, gjuhë zyrtare të Partisë Socialiste bënë anglishten. Për qejf mbanin rusishten e frengjishten. Mirëpo qejfi dhe zgjuarsia politike, nuk duhen ngatërruar me njëra-tjetrën. Jo gjithçka që ke qejf është njëkohësisht edhe gjëja e duhur.
Vijmë tek Partia Demokratike, tek demokratët, tek “baza”, tek oficerët që komandojnë “bazën” dhe tek komandanti që komandon oficerët. Këta nuk duan ta pranojnë se qysh në momentin kur kanë rrëshkitur në pozita anti-amerikane, Edi Ramës i është dhënë miratimi për të shtypur armiqt e Amerikës dhe për tia këputur kabllon autoporlantit anti-amerikan në Shqipëri.
Perandoria është gjigand ndërkombëtar. Nuk vepron në bazë të dëshirave tona. Popujt dhe udhëheqësit e popujve, të mëdhenj apo të vegjël qofshin ata popuj, mundohen të krijojnë politikanë apo entitete përfaqësuese për të negociuar me perandoritë e kohës. Italianët psh thanë, na duhet Mario Dragi sepse e njeh bota dhe ai di të flasë me botën për llogari të Italisë.
Demokratët shqiptarë, të djathtët, opozita, nëse nuk krijojnë lidership që di të flasë me botën për llogari të opozitës, nuk kanë për të fituar kurrë. Do kalojnë 10 vjet derisa të konsolidohet opozitë tjetër e këta nuk kanë për të fituar.
Nuk jemi në vitin 1200 në Mesjetë kur sundimtari mundej të sundonte mes malesh me thika e me kama. Sot në 2023, jemi në globalizëm dhe shtetet kanë atë që quhet përgjegjësi ndërkombëtare sepse sistemi ndërkombëtar ndikon më shumë se në vitin 1800.
Kësisoji një parti e cila synon të drejtojë shtetin, duhet t’i rrijë përgjegjshmërisë ndërkombëtare. Nuk mundet ta përfytyrojë veten jashtë kësaj sfere.
Madje meqenëse përmenda Mesjetën, duhet të mos harrojmë se edhe para 500 vjetësh, ka pasur popuj të cilët ka kanë ofruar fronin një monarku të huaj, vetëm që të mos u shuhej emri si vend e si strukturë interesash.
Demokratët e Shqipërisë, gjysma e tyre, nuk duan të pranojnë në “fronin” e kryetarit të PD një mëkëmbës amerikan në mënyrë që të mos shuhen si popull e si strukturë interesash. Përkundrazi, luftojnë për sovranitetin e Sali Berishës e Ilir Metës.
Dhe do vazhdojnë deri në fund, deri në shuarje. Nuk veprojnë këta siç kanë vepruar popujt e tjerë përgjatë historisë me qëllim për të mbijetuar. Janë më të mençur këta.