Iva Tiço, Jabanxhie e Mendimit

Nga Elona CASLLI

Iva Tiço, meqënëse pata mundësinë të përballesha me ligjërimin tuaj pranë kryebashkiakut Erion Veliaj, jam e shtrënguar të përball qëndrimin tim qytetar me qëndrimin tuaj.

Ju nënvizuat faktin se është detyra e çdo qytetari të shprehë mendimin e tij.

Në përputhje të plotë me këshillën tuaj, ndiej t’ju them se jabanxhiet në këtë qytet janë dy llojesh- jabanxhie në mendim dhe jabanxhie për shkak të prejardhjes.

Pse po përdor fjalën “jabanxhie”?!

Po e përdor këtë fjalë, për të respektuar terminologjinë që ju përdorët gjatë ligjërimit tuaj. Në ligjëratë të drejtë ju thatë- Unë tek Selvia, tek zona ku banoj, jam jabanxhie.

Le të rikthehemi tek jabanxhiet. Sikundër e nënvizova më sipër ekzistojnë jabanxhiet në mendim dhe jabanxhiet nga prejardhja.

Jabanxhiet në mendim Ernesto Sabato i quan Ateistët e vërtetë një kombi. Sipas Sabatos ateistët e një kombi janë ata njerëz që jetojnë kudo, si të ishin në një dhomë hoteli.

Me pak fjalë, jabanxhiet në mendim, nuk krijojnë në raport të brendshëm me qytetin në të cilin jetojnë. Ato jetojnë në një qytet sikur të jetonin brenda një dhome hoteli.

Aq i ndjeshëm sa mund të jetë një individ për një dhomë hoteli, ku qëndron një javë, aq e ndjeshme mund të jetë edhe një jabanxhie në mendim për qytetin ku jeton.

Kategoria e dytë e jabanxhijeve përbëhet nga jabanxhiet për shkak të prejardhjes.

Kjo kategori përbëhet nga individë që krijojnë një raport të brendshëm me qytetin, ndonëse nuk kanë lindur brenda tij. Futen natyrshëm në rrjedhën e qytetit ku kanë shkuar të jetojnë dhe nëse nuk do të dije prejardhjen e tyre, do të mendoje se ata kanë qenë gjithmonë pjesë e tij.

Me pohimet që bëtë në krah të kryebashkiakut, ju nuk bëtë gjë tjetër veçse pohuat se jeni një “jabanxhie në mendim”.

Ju e konsideruat arritje faktin, se kryebashkiaku ju kish vënë një kosh plehrash në fillim të rrugës dhe kish asfaltuar rrugicën ku jetoni.

Duke qenë se nënvizuat me dhjetra herë faktin që jeni gazetare dua t’ju bëj një pyetje- Në ç’vend të botës ndodh që një gazetare të japë si argument për të votuar një kryebashkiak, një kosh plehrash dhe një rrugicë të shtruar?!

Më gjeni një kryebashkiak që bën fushatë me një argument të tillë?

Iva Tiço, nëse do ta kryenit me ndershmëri profesionin tuaj, do t’i bënit një pyetje Lali Erit, sikundër e quani ju…

Si ka mundësi që ai erdhi me premtimin se nuk do të jepte asnjë leje ndërtimi dhe Tirana ka kaluar në vdekje klinike nga ndërtimet?! Meqënëse i keni dhënë votën, sikumdër pohuat, keni të drejtën ta pyesni.

Së fundmi, theksuat faktin se punët e Lali Erit duhet të thuhen dhe duhet të rithuhen, sepse njerëzit harrojnë sa keq kanë qenë më parë dhe nuk arrijnë dot të vlerësojnë mirëqënien që u ka mundësuar Lali Eri.

Iva Tiço, nuk jemi të gjithë Ateistë të Kombit ose “jabanxhinj në mendim”.

Ne e mbajmë mirë mend si ka qenë ky qytet para 6 vitesh dhe si u shndërrua pas 6 vitesh. Për fat të mirë ka akoma njerëz që nuk e konsiderojnë Tiranën si dhomë hoteli, por si qytetin e tyre.

Dhe për sa kohë ka të tillë njerëz ka edhe kujtesë të shëndetshme e cila ngulmon fort tek fakti, që ky qytet kishte një stadium dhe tani nuk e ka më. Kishte një kënd lojrash tek ” Rruga e Elbasanit” dhe tani nuk e ka më. Kishte një Teatër Kombëtar dhe tani nuk e ka më. Ka një Sahat që ka gjasa mos ta ketë më.

Ndaj Iva Tiço para se të përpiqeni të riaktivizoni kujtesën e shqiptarëve për punën e mira të Lali Erit, riaktivizoni kujtesën tuaj dhe kuptoni se Tirona nuk është një dhomë hoteli.

Post Scriptum- Firmosur nga një jo jabanxhie.

Artikulli paraprakPartia e Jozefinës si “vrasëse me pagesë” për shpresën e shqiptarëve
Artikulli tjetërReagimi i fortë i Presidencës ndaj Bolinos: Sa bordero përdorin kompanitë e tua? A është bashkëshortja juaj ortake në…