Ivanov anulon vendimin për faljen e zyrtarëve nën hetim

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, anuloi të hënën faljet që ai kishte dhënë për 34 zyrtarë të implikuar në një skandal përgjimesh që ka shkaktuar trazira politike në atë vend, duke plotësuar kështu kërkesat nga opozita, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.
Në një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian vitin e kaluar, partitë politike në Maqedoni u pajtuan për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Mes të tjerash ishte edhe propozimi për një prokuror special për të hetuar akuzat ndaj ish-kryesministrit Nikola Gruevski dhe aleatëve të tij të ngushtë se kishin autorizuar përgjimin e më shumë se 2 mijë njerëzve.
Vendimi i presidentit në muajin prill për faljen e 56 zyrtarëve lidhur me përfshirjen e tyre në skandal, shkaktoi protesta në mbarë vendin, që çuan edhe në anulimin e zgjedhjeve të përcaktuara me 5 qershor. Nën presionin ndërkombëtar, muajin e kaluar Parlamenti i vendit kandidat për BE, miratoi një legjislacion që e mundësoi presidentin të tërheqë faljen ndaj 22 politikanëve me 27 maj. Nuk është e qartë nëse Gruevski i partisë në pushtet apo Zoran Zaev i opozitës, ishin në mesin e atij grupi.
Një javë më parë me kërkesë të partive opozitare, Parlamenti maqedonas filloi një procedurë për shkarkimin e Presidentit, një nismë që nuk ka gjasa të ketë sukses, për arsye se ata nuk mund të sigurojnë shumicën e nevojshme të votave.

Artikulli paraprakKoha e reformatorëve të Europës
Artikulli tjetërMavraj mungon në stërvitje