Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov ka akuzuar opozitën, sektorin civil, por edhe struktura nga jashtë për tentim të, siç tha, destabilizimit të vendit, por që sipas tij kanë dështuar falë politikave shtetërore që janë përballur me sukses me elementët e tillë, në kohën kur siç tha Maqedonia po përballej me krizën e migrantëve në pjesën jugore të vendit.
Në një paraqitje të jashtëzakonshme pas dështimit të votës së mosbesimit në Kuvend, nga ana e opozitës, Presidenti Ivanov tha se, dy liderët e partive politike, ai i Lidhjes Social-Demokrate të opozitës, Zoran Zaev dhe i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti përmes politikave destruktive dhe mos njohjes së tij si president, kanë punuar kundër interesave shtetërore.
“Bëhet fjalë për politikanë të papërgjegjshëm që nuk duhet të kenë vend në skenën politike”, ka thënë Ivanov, duke mbrojtur vendimin e tij për faljen e zyrtarëve të partive në pushtet që po hetohen nga Prokuroria Speciale për vepra të rënda penale. Kreu i Shtetit të fjalimin e tij drejtoi akuza edhe ndaj kësaj prokurorie, duke e akuzuar për veprime selektive.
“Me veprimet selektive, Prokuroria Speciale ka krijuar atmosferë të rëndë në vend. Nga qindra mijëra biseda të përgjuara, ajo ka nisur hetimet vetëm për përfaqësuesit e partive në pushtet. Kjo dëshmon qartë qasjen selektive të kësaj prokurorie”, ka deklaruar Ivanov, duke përjashtuar çdo mundësi për dorëheqjen e tij, meqë siç u shpreh, për zgjedhjen e tij nuk kanë vendosur partitë politike, por qytetarët në zgjedhje të lira.
Presidenti Ivanov ka dënuar edhe veprimet e sektorit civil që po protestojnë kundër tij dhe krizës politike, duke i akuzuar për vandalizëm.
“Institucionet, tha ai duhet të funksionojnë, pasi askund në botë nuk lejohet vandalizmi i tillë siç po ndodhë në Maqedoni.
Ivanovi ka kritikuar edhe qasjen e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Maqedonisë, duke kërkuar nga ajo zhbllokimin e procesit të integrimit euroatlantik.