Izraeli bllokon ndihmat, reagon Mjekët pa Kufij: Gaza është kthyer në varrezë masive

Izraeli nuk ka ndërmend të lejojë hyrjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës në këtë fazë të konfliktit.

Deklarata është bërë nga ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, i cili ka theksuar se politika e shtetit hebre lidhur me këtë çështje është e qartë.

“Sikurse e kam thënë edhe më parë, asnjë ndihmë humanitare nuk do të hyjë në Gaza”, ka deklaruar Katz i cituar nga “Times of Israel”.

Ministri ka shtuar se ndihmat në Gaza janë një ndër instrumentet kryesore për t’i bërë presion lëvizjes së Hamasit, krahas masave të tjera që Izraeli po ndërmerr.

“Në realitetin aktual, askush nuk do të sjellë ndihma humanitare në Gaza dhe askush nuk po përgatitet për ta bërë këtë”, ka thënë Katz.

Duke reaguar, shoqata Mjekët pa Kufij ka akuzuar Izraelin për bllokimin dhe ka theksuar se për palestinezët nuk ekziston asnjë vend i sigurt.

“Gaza është kthyer në një varrezë masive për palestinezët dhe për ata që u shkojnë në ndihmë”, ka thënë Amande Bzerolle, koordinatore e Mjekëve pa Kufij.

Ndërkohë, një gazetare palestineze dhe anëtarë të familjes së saj janë vrarë në një sulm izraelit ndaj banesës së tyre në Qytetin e Gazës.

Agjencia e lajmeve “Wafa” ka raportuar se avionët ushtarakë izraelitë bombarduan shtëpinë e gazetares Fatima Hassouneh, në zonën Al Tufah, duke vrarë atë dhe 10 familjarë të saj, përfshirë gra dhe fëmijë.

Artikulli paraprakDel Piero tregon ndryshimin e madh që po ndodh në Champions: Interi më befasoi, nuk është se nuk besoj te zikaltrit…
Artikulli tjetërPërpara se të shkonte te Berisha, Elvis Roshi përfitoi 300 mijë euro nga AZHBR-ja e Edi Ramës