Natën e së hënës, Izraeli bombardoi një pozicion të Hamasve radikalë islamikë në Rripin e Gazës. Sipas ushtrisë izraelite, sulmi ishte reagim ndaj një goditjeje të mëparshme me raketë nga zonat palestineze. Më pas, mediat libaneze raportuan se sulmet ajrore izraelite patën goditur një grup palestinez pro-iranian.
Të dielën, kreu i Hizbollave, Hassan Nasrallah e kërcënoi me masa shpaguese Izraelin për sulmet e dronit. Një dron pati shpërthyer në ajër dhe kishte dëmtuar rëndë një qendër mediatike të Hizbollave.
Lufta në Siri dhe pasojat
Përplasjet e fundit kanë lidhje me kolapsin e shtetit sirian, thotë politologu Johannes Becke nga Shkolla e Lartë e Studimeve Hebraike në Heidelberg. Për një kohë të gjatë, Siria ishte kundërshtari më i rrezikshëm ushtarak për Izraelin. “Por me kolapsin e sistemit shtetëror sirian ne po përjetojmë një lloj libanizimi të Sirisë: ndikim në rritje të Iranit dhe në lidhje me të, zgjerim të ndërhyrjeve iraniane dhe zgjerim të milicive shiite”.
Vitet e fundit, Hizbollatë janë përfshirë thellë nga ana e regjimit të Asadit në luftën civile siriane. Në këtë kuadër, ata kanë marrë njohuri për forma të reja të shkollimit ushtarak. Kjo ka ndodhur në kontekstin e disa luftërave me përfaqësim, në të cilat është përfshirë Irani, për shembull në Jemen. Izraeli nuk ka qenë i përfshirë në to, përkundrazi, shtete arabe të lidhura me Izraelin kanë luftuar atje kundër monarkive të Gjirit.
Përplasje të drejtpërdrejta midis Izraelit dhe Iranit kanë ndodhur së fundi në territorin sirian. Që të enjten, sipas të dhënave, Irani kishte provuar të ndërmerrte një sulm atje, tha një zëdhënës i ushtrisë izraelite: “Ne kemi qëlluar disa objektiva terroriste të njësisë al Quds dhe të milicëve shiitë”. Aktualisht, ushtria izraelite është në gjendje gatishmërie të lartë. “Ne do të ndërmarrim veprime kundër kujtdo që do të sulmojë objektivat izraelitë,” tha një zëdhënës ushtarak.
Kërcënime iraniane
Deklarata ka të ngjarë të jetë një përgjigje ndaj deklaratave nga Teherani. Zëdhënësi i qeverisë iraniane, Ali Rabiei pati paralajmëruar më parë se sulmet e “regjimit sionist” në territorin libanez nuk do të mbeteshin pa përgjigje. Durimi i shteteve në rajon është i kufizuar, prandaj Irani do të mbështeste çdo përgjigje nga Hizbollahu.
Për më tepër, Qassem Soleimani, kreu i Brigadave iraniane al-Quds, e kërcënoi Izraelin përmes Twitter-it në mënyrë indirekte, por masive. “Këto operacione të çmendura janë betejat e fundit të regjimit sionist,” shkroi ai në rrjetin e mesazheve të shkurtra.
Irani dhe Hamasët
Konflikti midis Izraelit dhe Iranit ka të bëjë me pushtet dhe me ndikim, thotë gazetari dhe analisti politik libanez, Iyad Abu Shakra. “Irani po përpiqet të zgjerojë kufijtë e ndikimit të tij në rajon. Kjo e ka detyruar Izraelin t’i pengojë sulmet. Irani synon një rol hegjemonik, që për mendimin e Izraelit e kalon masën e lejuar”, thotë Abu Shakra në bisedë me DW.
Më tej duket se Irani po i inkurajon Hamasët, të cilët qeverisin Rripin e Gazës, të ngacmojnë Izraelin. Prej muajsh, në kufirin me Izraelin ka gjithmonë përplasje. Që nga fillimi i këtij muaji, palestinezë radikalë kanë qëlluar vazhdimisht me raketa kundër territorit izraelit.
Grupe pjesërisht të armatosura janë përpjekur të depërtojnë në gardhin kufitar të Rripit të Gazës. Izraeli u përgjigj me sulme ajrore ndaj rripit bregdetar. Në përgjigje të sulmeve të fundit, kryeministri Netanjahu, i cili njëkohësisht është edhe ministër i Mbrojtjes, urdhëroi përgjysmimin e furnizimeve me naftë.
Një konflikt i zgjidhshëm?
Operacione më të vogla ushtarake, siç janë ato në Rripin e Gazës, kanë pasur si synim kryesisht një jehonë mediatike, thotë politologu Johannes Becke. “Pavarësisht nëse bëhet fjalë për zjarrvënien e qëllimshme të fushave nga Hamasët afër Rripit të Gazës apo për përpjekjen për të rrëzuar një dron në lartësitë Golan: “provokime të tilla nuk përbëjnë asnjë rrezik për Izraelin”.
Megjithatë, si forcat izraelite, ashtu edhe Hizbollatë po përgatiten për një përshkallëzim intensiv. Në këtë kuadër, Izraeli mund të ndërhyjë ushtarakisht në Liban, kurse Hizbollatë të godasin me raketa iraniane me rreze të mesme veprimi. Një konflikt i tillë do të ishte lufta e tretë në Liban. “Por unë mendoj se nuk jemi akoma atje.”
Kështu që zhvillimi aktual nuk dihet se ç’drejtim do të marrë. Sidoqoftë, midis Izraelit dhe Libanit dhe Iranit nuk ka konflikte territoriale, thotë Becke. Edhe konfliktet territoriale midis Izraelit dhe Sirisë në Lartësitë Golan në thelb janë të zgjidhshme.
E vështirë është megjithatë pyetja se deri ku dëshiron të afrohet Izraeli me pozicionet e Iranit. “Në plan afatgjatë – por me të vërtetë afatgjatë – nuk ka asnjë arsye pse Izraeli dhe Irani të mos ulen një ditë në një tryezë bisedimesh.”