Izraeli krijon një institucion për largimin e palestinezëve, synon ikjen e tyre “vullnetare” nga Rripi i Gazës për në vendet e treta

Me institucionin e ri qeveria izraelite synon të nxisë “largimin vullnetar” të palestinezëve nga Rripi i Gazës në vendet e treta.

Institucioni i ri do të jetë në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes të Izraelit, konfirmoi një zëdhënëse e zyrës së kryeministrit Benjamin Netanyahu. Detyra e tij është të “përgatisë largimin vullnetar të banorëve të Rripit të Gazës për në vende të treta në mënyrë të sigurt dhe të kontrolluar”. Kabineti i Sigurisë e miratoi propozimin përkatës të Ministrit të Mbrojtjes, Israel Katz.

Ata që dëshirojnë të largohen nga zona e rrethuar bregdetare palestineze në brigjet e Detit Mesdhe duhet t’u mundësohet largimi “në përputhje me ligjet izraelite dhe ndërkombëtare si dhe në përputhje me vizionin e presidentit amerikan Donald Trump”, tha ministria në një deklaratë. Se cilat janë vende të treta ku mund të shkojnë personat që duan të largohen nuk përmendet.

“Shkelje flagrante e së drejtës civile ndërkombëtare”

Kritika të ashpra ndaj këtij plani pati nga shteti fqinj i Izraelit, Jordania. Ministria e Jashtme në Aman tha se kemi të bëjmë me plane për dëbim të detyruar. Së bashku me synimin për t’i kthyer 13 zona të banuara në vendbanimet ekzistuese izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar në vendbanime të pavarura, po u hapet rruga “ngulimeve të tjera për kolonë”, thuhet në deklartën e Ministrisë së Jashtme të Jordanisë. Të gjitha planet janë një shkelje e hapur së drejtës civile ndërkombëtar.

Jordania është një nga vendet që ka strehuar numrin më të madh të refugjatëve për qytetar. Në Jordani jetojnë një numër i madh palestinezësh dhe sirianësh. Rreth 30 deri në 40 për qind e të gjithë jordanezëve kanë origjinë palestineze, përfshirë edhe mbretëreshën Rania. Jordania nënshkroi një traktat paqeje me Izraelin në vitin 1994.

Kritika nga organizatat joqeveritare

Organizata të ndryshme joqeveritare e kritikuan këtë plan dhe thanë se njerëzit nuk largohen vullnetarisht nga vendi i tyre. Lëvizja izraelite e paqes Paqe Tani e quajti institucionin e ri për imigracionin si një “njollë të pashlyeshme” për Izraelin.

Kurse organizata Mjekët pa Kufij paralajmëroi ndaj një dëbimi masiv të banorëve palestinezë në Bregun Perëndimor verior të pushtuar nga Izraeli. “Izraeli duhet të ndalojë menjëherë dëbimin me forcë të palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe ndihma humanitare duhet të rritet dhe të arrijë tek ata që kanë nevojë”, thuhet në një apel./DW

Artikulli paraprakEndri Hasa: Koalicioni Euroatlantik premton ndryshim të thellë në politikën fiskale
Artikulli tjetërZgjedhjet e 11 Majit/ Gazetari Poli Hoxha: Fushata ka nisur, Basha po faktorizohet e po ngjall simpati, po i denoncon shokët Ramës!