Neni 16
Komisariati i Policisë së Rinasit është nën varësi të Ministrisë së Rendit Publik dhe bashkërendon punën me organizmat e tjera që operojnë në aeroport, në bazë të legjislacionit në fuqi dhe neneve të kësaj rregulloreje. Detyrat e saj janë:
a) Parandalimi dhe zbulimi i veprave penale, të cilat mund të përbëjnë rrezik për aviacionin civil.
b) Ruajtja dhe patrullimi i zonave në aeroport.
c) Kryerja e kontrollit të dokumentacionit identifikues të çdo personi që kalon nëpërmjet vendkalimit kufitar të Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit
Tahiri nxori dje drejtorin e Policisë së Tiranës për të larguar përgjegjësinë e Policisë së Shtetit për grabitjen spektakolare të mbi 3 milionë eurove në Aeroportin e Rinasit. Drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj, deklaroi para mediave se, gjithçka që ndodhi në aeroport ishte përgjegjësi e firmës private të sigurisë, të kontraktuar nga koncesionari i aeroportit. Ai u kujdes të jepte detaje se deri ku shtrihej juridiksioni i policisë shqiptare. Sipas Hodajt, “Policia e Shtetit mban përgjegjësi për sigurinë e udhëtarëve në aeroportin ‘Nënë Tereza’ dhe veçanërisht në Pikën e Kalimit Kufitar Ajror, që është territori nga kabina e kontrollit, salla e tranzitit deri në vendqëndrimin e avionit”.
Drejtori i Tahirit u shpreh se, zona ku ka ndodhur grabitja, pra, saktësisht në portën e pasme të avionit, mbulohet nga kompania private e sigurimit. Në deklaratë nuk u dha detaji se avioni, i cili ishte në pritje të ngarkesës me valutë, i rrëmbyer nën kërcënimin e armës nga tri persona, ishte me pasagjerë. Pra, nëse personat e armatosur nuk do të ishin hajdutë, por terroristë që mund të rrëmbenin ose të shpërthenin avionin, ata do ta kishin realizuar dhe sipas Hodajt faji për këtë do të ishte i firmës private të sigurisë. Gjë që do të thotë se, siguria kombëtare në këtë rast është më shumë se sa e cenuar. E megjithatë, Policia e Shtetit, nëpërmjet drejtorit të Policisë së Tiranës deklaroi se, nuk ka përgjegjësi për vendin e ngjarjes, rrjedhimisht nuk mban përgjegjësi edhe për faktin nëse avioni do të ishte objekt i sulmit terrorist. Jo vetëm kaq, por Hodaj u mundua të fshehë edhe shumën e saktë të parave të vjedhura nga maskat. Ai deklaroi se janë vjedhur më pak se një milionë euro, ndërkohë që burimet kanë bërë të ditur se janë grabitur më shumë se 3 milionë euro.
Është vërtet i pabesueshëm guximi dhe papërgjegjshmëria e Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme, për të hequr nga vetja çdo lloj përgjegjësie për ngjarjen e rëndë të Rinasit, duke ia hedhur të gjithë fajin aeroportit dhe kompanisë private që kishte marrë përsipër transportin e valutës.
Kjo sindromë e kthyer tashmë në një strategji të dalë boje, të kësaj qeverie, më së paku është kthyer në qesharake. Por kush është sipas ligjeve në fuqi, roli dhe përgjegjësia e Policisë së Shtetit në objektet e rëndësisë së veçantë dhe posaçërisht në Aeroportin e Rinasit?
Në vendimin Nr.139, të datës 22.3.2001 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e rregullores për bashkërendimin e veprimeve të organeve të kontrollit shtetëror dhe jo shtetëror, në Aeroportin Ndërkombëtar të Republikës së Shqipërisë”, në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “ë” të nenit 3 të Ligjit Nr. 8310, datë 19.3.1998 “Për sigurinë në aviacionin civil”, përcaktohen qartë detyrat dhe përgjegjësitë e policisë në aeroport.
Neni 16
Policia
16.1. Komisariati i Policisë së Rinasit është nën varësi të Ministrisë së Rendit Publik dhe bashkërendon punën me organizmat e tjera që operojnë në aeroport, në bazë të legjislacionit në fuqi dhe neneve të kësaj rregulloreje. Detyrat e saj janë:
a) Parandalimi dhe zbulimi i veprave penale, të cilat mund të përbëjnë rrezik për aviacionin civil.
b) Ruajtja dhe patrullimi i zonave në aeroport.
c) Kryerja e kontrollit të dokumentacionit identifikues të çdo personi që kalon nëpërmjet vendkalimit kufitar të Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit.
d) Parandalimi i kalimit të paligjshëm të kufirit, të trafikut të armëve, të drogës, të substancave psikotrope e radioaktive, të veprave të artit e muzeale dhe vlerave valutore.
e) Zbatimi i masave të sigurisë në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, për parandalimin e zbulimin e veprave penale, të cilat përbëjnë rrezik e krijojnë incidente të rënda dhe raste të jashtëzakonshme, si grabitje aviacioni, sabotazh apo kërcënim me bomba.
16.2. Në rastet kur policia ka dyshime apo vihet në dijeni për shkelje të Kodit Doganor në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, njofton menjëherë Degën e Doganës në Rinas.
Policët privatë: Nuk na lejohet të mbajmë armë në pistën e avionit
Zbardhen dëshmitë e punonjësve të policisë private që shoqëronin paratë që u grabitën në Rinas. Burime nga policia bëjnë me dije se, ata kanë shpjeguar se, në pistën e avionëve ku prisnin të ngarkonin paratë ishin të paarmatosur pasi, nuk u lejohet të hyjnë me armë. “Nuk kishim mundësi të reagonim, personat ishin të armatosur. Nuk e dimë shumën e parave që po transportonim”, mësohet të kenë deklaruar ata. Mësohet se rojet janë mbrojtur duke thënë se, paratë janë grabitur jashtë juridiksionit të tyre. “Ne i kemi lënë paratë deri në doganë. Autoritetet e aeroportit merren me kontrollin”, janë shprehur ata.
Një ditë pas grabitjes spektakolare në Aeroportin e Rinasit, Policia e Durrësit dhe e Tiranës, ka shoqëruar 20 punonjës të firmës private, si dhe titullarët e kompanive “Nazeri 2000” dhe “Jaguar”. Kompania e parë ishte e licencuar të shoqëronte paratë në avionin që do të fluturonte drejt Vjenës, ndërsa e dyta ka qenë pranë vendngjarjes për llogari të një banke tjetër. Por sipas burimeve, ajo nuk ka ndërhyrë kur ka parë grabitjen e parave.
Veç kësaj, policia dyshon se rojet private mund të kenë bashkëpunuar me grabitësit. Madje ata akuzohen se kanë shkelur rregullat e sigurisë, pasi në vend që të ishin 7 persona që do të ruanin gjatë kohës së transferimit të parave, ishin vetëm 3. “Nuk jemi njoftuar menjëherë nga firma private”¬, ka deklaruar policia.
Ndërkohë, burime të policisë, bëjnë me dije se grabitësit dyshohet të jenë larguar në Malësinë e Niklës në Krujë. Tri persona të armatosur kanë mundur të hyjnë dy ditë më parë në Aeroportin e Rinasit duke grabitur një sasi të madhe parash. Forcat e policisë vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e tyre.
Grabitësit qëlluan me armë brenda Aeroportit të Rinasit
Të dhëna të reja dalin në dritë në lidhje me grabitjen e paprecedent të kryer një ditë më parë në Aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas. Tre personat e armatosur që sulmuan një makinë të transportit të vlerave monetare teksa ajo po kalonte shuma të mëdha valute në një avion, kanë qëlluar në ajër për të trembur punonjësit e sigurisë. Ngjarja ndodhi kur në avion gjendeshin të paktën 150 pasagjerë. Fillimisht është menduar se bëhej fjalë për një sulm terrorist, të ngjashëm me ato të ndodhur në Stamboll. Por më pas është kuptuar që bëhej fjalë për grabitje. I gjithë momenti i grabitjes është filmuar nga kamerat e sigurisë.
Më shumë se 3 milionë euro të një banke të nivelit të dytë u grabitën mesditën e së enjtes në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, teksa do të transportohej jashtë Shqipërisë me avion. Dyshohet se autorë të kësaj ngjarjeje kanë qenë tri persona të maskuar e të armatosur. Grabitja ndodhi në pistën e aeroportit, edhe pse dy ditë më parë policia njoftoi se në aeroport kishte rritje të parametrave të sigurisë, pas sulmeve terroriste të ndodhura në Stamboll.
Ndërkohë, menjëherë pas ngjarjes, Policia e Shtetit tha zyrtarisht se grabitësit mundën të hynin me makinë në pistën e aeroportit duke prerë menteshat e një prej portave hyrëse. Pas grabitjes së parave, autorët i vunë flakën makinës dhe e braktisën në Fushë-Prezë.
Prokuroria e Krimeve të Rënda merr në dorë hetimet
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë në dorë hetimet për grabitjen e ditës së enjte në Rinas të rreth 3 milionë eurove. Vendimi është marrë nga Prokuroria e Përgjithshme, pas dyshimeve se kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal që qëndron pas kësaj ngjarje. Fillimisht hetimet iu lanë Prokurorisë së Krujës, por pas pak orësh kryeprokurori Adriatik Llalla vendosi ndryshe.
Një prokuror i Krimeve të Rënda ishte dje në Komisariatin e Policisë së Rinasit për të mbledhur dëshmi dhe prova. Gjithsesi, fakt është se vjedhja rezultoi një skandal nga pikëpamja e sigurisë. Grabitja spektakolare e parave në pistën e aeroportit ndodhi ditën e enjte, rreth orës 14:45, në një kohë që dy ditë më parë në këtë aeroport ishin forcuar kontrollet policore nga frika e sulmeve terroriste.
Kamerat e sigurisë në Aeroportin e Rinasit kanë filmuar dy minuta e ca aksion, pasi disa kamera të tjera, që mbulojnë një pjesë të perimetrit të jashtëm të aeroportit ishin jashtë funksionit. Historia e ngjarjes ka filluar rreth orës 14:20 të ditës së enjte, duke iu referuar pamjeve filmike, bëjnë me dije burimet.
Në vendkalimin e avionit të linjës, ndodheshin avioni, përballë tij makina e blinduar “Nazeri 2000”, që kishte edhe paratë e transportuara, në mes tyre, pikërisht në turirin e makinës së blinduar, ndodhej një makinë e dytë, ajo është makina që shoqëron avionët e linjave pas uljes për në vendkalimin e tyre.
Në orën 14:22 të ditës së djeshme, gjendja në vendin e grabitjes është po e tillë, pa ndryshime në vendndodhjen e avionit, makinës së blinduar të parave dhe makinës së shërbimit të aeroportit.
Mirëpo, në orën 14:24, “Benzi” i grabitësve mbërrin aty dhe parkon vetëm 10-12 metra larg nga makina e parave, ndërsa makina e shërbimeve dhe avioni të gjendur thuajse në një vijë të drejtë.
Nga pamjet, duket qartë se nga makina e grabitësve, del vetëm njëri nga ata, ndërsa drejtohet në derën e hapur nga krahu i djathtë i makinës së blinduar të parave, kurse makina e shërbimit të aeroportit nis të lëvizë dhe largohet nga vendi ku po qëndronte prej disa minutash, para se të niste grabitja.
Pamjet tregojnë, sipas po të njëjtit burim, se nga makina nuk pati asnjë reagim, përveç largimit në krahun e kundërt me vendparkimin e makinës së grabitësve. Me të ndodhur largimi i makinës së shërbimeve të aeroportit, grabitësi i parë kalon në krahun tjetër të makinës së blinduar ku ishin paratë, nga pjesa e përparme e saj.
Pikërisht në këtë çast, pamjet tregojnë se një grabitës i dytë del nga makina e tyre dhe i drejtohet portës në krahun e djathtë të makinës së blinduar, sapo ai mbërrin atje, thuajse njëkohësisht, para makinës së blinduar, ngjitur me të, mbërrin një tjetër makinë, kjo e fundit, është makina e shërbimit kargo të Aeroportit të Rinasit. Burimi tregon se pamjet e videos, të lënë të kuptosh se makina ka ndaluar pikërisht në vendin ku po ndodhte grabitja, por çuditërisht asnjë person nuk del apo vepron nga makina e kargos.
Grabitësit e ngarkuar me thasë në duar, largohen nga makina e blinduar dhe vrapojnë në drejtim të makinës së tyre. Por vetëm atëherë kur dy grabitësit mbërrijnë dhe ulen në makinën e tyre, makina e shërbimit kargo të aeroportit lëviz nga vendi dhe bën përpara duke kryer një gjysmë harku, përsëri në ballinë të makinës së grabitësve pa vepruar në drejtim të tyre.
Me të përshkruar 20 metra në këtë trajektore, makina e grabitësve niset, merr një hark në krahun e djathtë, kalon m’u ngjitur me pjesën e pasme të makinës së shërbimit kargo të aeroportit e më pas vijon drejt përpara me shpejtësi.
Ndërsa makina e shërbimit të aeroportit, që kishte ndaluar në vend, nis të vijojë trajektoren dhe parkon thuajse në vendin ku ishte parkuar makina e grabitësve, gjatë momentit të ngjarjes. E çuditshme, por kjo ka ndodhur vetëm në dy minuta e ca sekonda, kaq janë dhe pamjet ku është fiksuar grabitja.