Ja pse bashkëpunojnë Rama e Berisha në prapaskenë

Nga Fitim Zekthi

Drejtuesit më të lartë të opozitës dhe Partisë në qeverisje janë nën një shantazh, kërcënim (kështu ndjehen ata sepse e dinë çfarë kanë bërë dhe çfarë mund t’i gjejë) të rëndë dhe ata duhet të marrin vendime të diktuara nga ky shantazh që shkakton ankth.

Ata janë nën kërcënim nga SPAK si të dyshuar për korrupsion gjatë këtyre 34 viteve pluralizëm.

Ata, masa dërrmuese e drejtuesve të dy partive, ministra dhe kryeministra, drejtues të lartë në prona apo dogana, deputetë apo qeveritarë të këtyre 34 viteve janë nën hetim, dyshohen se kanë bërë lloj zullumi dhe rrezikojnë jo thjesht mbijetesën politike por dënimin dhe burgosjen.

Kjo shkakton panik, ky është shantazh i rëndë dhe atyre nuk mund t’u kërkohet të mos bëjnë marrëveshje për t’u mbrojtur, nuk mund t’u kërkohet të mos marrin vendime së bashku për t’u mbrojtur nga dënimi i mundshëm.

Atyre nuk mund t’u kërkohet të mos luftojnë SPAK. Atyre nuk mund t’u kërkohet të bëjnë ligje për shqiptarët dhe qeverisjen e mirë, atyre nuk mund t’u kërkohet të bëjnë ligj zgjedhor që i jep pushtet votuesve, atyre nuk mund t’u kërkohet të veprojnë kundër “vetes”.

Ata janë robër, nuk janë të lirë, janë në shantazh. Ata pak që nuk kanë frikë dhe ankth nga burgu sepse në këto 34 vite nuk kanë pasur detyra dhe të dyshohen për korrupsion kanë një frikë më poshtëruese, janë në një shantazh edhe më të madh.

Ata janë në shantazhin e mos zgjedhjes deputet. Kështu që nuk ka kuptim zhgënjimi apo mërzia se pse dy partitë bëjnë marrëveshje kaq të këqija së bashku.

Shoqëria duhet të gjejë tek vetja forcën t’i neverisë.

Shoqërisë mund t’i kërkohet në këtë rast të jetë në anën e drejtë, ajo është e pa shantazhuar, dhe ajo mund t’i fëlliqë.

Exit mobile version