Ja pse Keidi Bare nuk debutoi me Atleticon

30 tetori 2016 duhej të ishte dita e debutimit të Keidi Bares te Atletico Madrid. Mesfushori kuqezi u grumbullua nga trajneri Diego Simeone, në ndeshjen e Kupës së Mbretit, ku “colchoneros” fituan 6-0 në fushën e Guijuelo-s. Duhej të ishte një ndeshje e mirë për të testuar plotësisht potencialin e Bares dhe për ta shndërruar më pas 19-vjeçarin në një alternativë të rëndësishme për ekipin e parë.
Megjithatë, në suksesin tenistik në duelin e parë të raundit të katërt, me Atleticon që hipotekoi kualifikimin në 1/8-at, mesfushori nga Fieri mbeti jashtë ekipit, me stafin teknik që grumbulloi Olabe-n. Gazeta spanjolle “AS” zbuloi prapaskenat e lënies jashtë dhe debutimit të munguar të Keidi Bares. Shkak është bërë një karton i kuq, me të cilin lojtari ishte ndëshkuar në ndeshjen e fundit me Atletico B.
Klubi madrilen i dërgoi një shkresë zyrtare Federatës spanjolle për të sqaruar situatën e mesfushorit dhe faktin nëse ai mund të luante në Kupën e Mbretit. Në mënyrë të habitshme, Federata nuk dha asnjë përgjigje dhe mes dyshimit se aktivizimi i parregullt i shqiptarit mund ta penalizonte Atleticon, Keidi Bare u la jashtë skuadrës, për të pritur një tjetër shans nga trajneri Simeone, ndoshta në ndeshjen e kthimit ndaj Guijuelo-s, më datë 20 dhjetor.
Vendimi u mor për të evituar një tjetër situatë si ajo e sezonit të kaluar, kur Reali i Madridit u përjashtua nga turneu pas aktivizimit të mesfushorit Cheryshev në ndeshjen me Cadiz. Edhe në atë situatë, Federata spanjolle nuk i lajmëroi “Los Blancos” për pezullimin e futbollistit, një pakujdesi të cilën Reali e pagoi duke u larguar nga turneu edhe pse ishte një prej skuadrave pretendente.

Artikulli paraprakStrakosha luan derbin e zjarrtë
Artikulli tjetërMihajloviç: Ajeti është i justifikuar, të tjerët jo