Ja sa përfitojnë Gashi e Hyka në MLS

Emrat e mëdhenj të futbollit europian kanë zbuluar prej kohësh Amerikën. Përfitimet financiare nga lojtarët në perëndim të karrierës janë të konsiderueshme, ndërsa trajtim preferencial në “tokën e mundësive” kanë edhe dy kuqezinjtë, Shkëlzen Gashi dhe Jahmir Hyka.
Dominimi i tij mund të ndërpritet nëse sezonin e ardhshëm në Shtetet e Bashkuara do të transferohet Zlatan Ibrahimoviç. Megjithatë, për momentin Ricardo Kaka mbetet futbollisti më i paguar i Major League Soçer. Ish-fituesi i “Topit të Artë” përfiton rreth 7,2 milionë dollarë me Orlandon dhe për të tretin vit radhazi është lojtari më i paguar në kampionatin amerikan.
Në vendin e dytë, pozicionohet Sebastian Giovinco me 7,1 milionë dollarë, ndërsa më pas vijnë Michael Bradley me 6,5 milionë. Në pesë pozicionet e para janë edhe Andrea Pirlo me 5,9 milionë dollarë dhe David Villa 5,6, ndërsa Bastian Schweinsteiger është i shtati me pagën prej 5,4 milionë dollarësh në Chicago.
Për sa i takon futbollistëve shqiptarë, sipas të dhënave zyrtare Shkëlzen Gashi paguhet rreth 1,7 milionë dollarë. Sulmuesi është lojtari i dytë më i paguar i Colorado Rapids, i lënë pas vetëm nga portieri Tim Howard, pagesa vjetore e të cilit arrin kuotën e afro 2,5 milionë dollarëve.
Nuk mund të ankohet as Jahmir Hyka, i transferuar në merkaton e janarit te San Jose Earthquakes. Mesfushori shtatshkurtër përfiton 520 mijë dollarë në vit, duke përfshirë edhe bonuset. 29-vjeçari është pjesë e listës së futbollistëve më të paguar te skuadra kaliforniane, që po ndjek politikën e rrogave të kontrolluara, sepse asnjë futbollist nuk paguhet të paktën 1 milion dollarë. Hyka është lojtari i tretë më i paguar i ekipit, duke u konfirmuar si një prej liderëve në fushë për San Jose.

Artikulli paraprakMurinjo snobon Pep
Artikulli tjetërNjë grup i lidhur me Al-Kaidën merr përgjegjësinë për sulmin në Rusi