Ja se si Valverde ringjalli Barcelonën

Fitorja e Barcelonës përballë Juventusit rikonfirmoi momentin e mirë që po kalojnë blaugranat, si dhe kanë arritur të rigjejnë ritmin e duhur në mekanizmat e tyre të lojës ku sigurisht që një meritë të veçantë ka edhe tekniku i tyre Ernesto Valverde. Sezoni i kaluar nuk mund konsiderohet i dështuar për katalanasit, por përsa i përket aspektit të lojës, linte për të dëshiruar në disa aspekte. Ndërkohë këtë edicion të ri, të paktën deri më tani situata duket shumë më ndryshe. Por çfarë ka ndryshuar në lojën e Barcelonës?
Element karakteristik i tyre është mbajtja e topit. Vitin e kaluar skuadra shfaqej gjithmonë dominuese në përqindjen e mbajtjes së topit, por pa dhënë rezultate, e kundërta është paraqitur në këto katër takime të para, tre në kampionat dhe 1 në Champions. Katalanasit tashmë kanë një formacion bazë, Ter Stegen, Semedo, Pique, Umtiti, Alba, Rakitiç, Busquets, Iniesta, Dembélé, Messi e Suarez, ndërkohë në stol alternativat nuk mungojnë, një tjetër detaj që Barçës i ka munguar vitet e fundit dhe jo në pak raste, mungesa e alternativave në stol i ka penalizuar.
Mesfusha është e njëjta me Busquets, Iniesta dhe Rakitiç, por kjo treshe është më e bashkuar dhe më të saktë në fazën difensive. Në tërësi e gjithë skuadra është më mbledhur dhe mbrohet më mirë. Në aksionet e golit, ekipi tregohet më i qetë. Në lojën e tyre katalanasit qëndrojnë pak të tërhequr për të afruar kundërshtarin në zonën e tyre, një mekanizëm që përdoret për të nisur kundërsulmin. Një 4-3-3 fals, pasi në sulm Messit i është dhënë mundësia për të bërë disa role, atë të organizatorit duke qëndruar pas Dembele dhe Suarezit, si qendërsulmues dhe sigurisht për t’u vendosur në krah. Në këto katër takime të para, Barcelona ka arritur të realizojë 12 gola dhe nuk ka pësuar asnjë. Fillim sezoni mëse pozitiv për një skuadër që vitet e fundit kishte humbur disi shkëlqimin.
Andres Iniesta, 33-vjeçar, është në vitin e fundit të kontratës me Barcelonën dhe ka pasur spekulime të shumta se mund të transferohet te Juventusi në vitin 2018. Por, diçka të tillë e ka hedhur poshtë, Giuseppe Marotta, i cili beson se ai do të rinovojë shumë shpejt kontratën me klubin nga “Camp Nou”. “Iniesta është lojtar i shkëlqyer, por ai është i koncentruar te Barcelona”, tha Marotta për “La Sexta”.
“Ai do të nënshkruajë kontratën e re me ta pasi është lojtar shumë i rëndësishëm për klubin, me të cilët ka marrëdhënie të shkëlqyer. Kështu që nuk e shoh Iniestan të largohet nga Barcelona”. “Mendoj se ai do të qëndrojë në Barcelona”, theksoi mes të tjerash Marotta.

Artikulli paraprakRikthimi i Ronaldos
Artikulli tjetërNeymar ëndërron “Topin e Artë”