Ish-Kryeministri Berisha ka denoncuar me foto ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, për përdorimin e automjeteve të Ushtrisë për fushatën elektorale të Partisë Socialiste. Denoncimi është bërë nga Berisha pas dërgimit të një mesazhi të dërguar nga një qytetar. “Në shkelje të rëndë të ligjeve të vendit, ndrikull Kodheli dhe gjeneal Trafiku shndërrojnë ushtrinë në armën e partisë-shtet! Qytetari dixhital denoncon me mesazh dhe foto këtë krim elektoral!”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar mesazhin e qytetarit dhe fotot.
“Doktor përshëndetje, po të informoj për një aferë… Ura që lidh komunën e Zallbastarit me Bastarin e mesëm është e fituar me tender dhe makinat e ushtrisë sot në ditë fushate po kontribuojnë për vënien e hekurave të urës. Me sa di unë, tenderin e kanë fituar vëllezërit e Xhemal Qefalisë, sepse ata po i ndjekin punimet”, shkruan qytetari.
Pak ditë më parë, ishte një qytetar nga Hasi, që i dërgoi Berishës fotot e automjeteve të ushtrisë që ishin dërguar nga Mimi në Has për ndërtimin e një rruge në këmbim të votave për Partinë Socialiste.