Jam Ajtanga Lubonja, qytetare e Republikës të Shqipërisë, 68 vjeç, banuese në Tiranë, e persekutuar politike, e dënuar me damkën e egër si “Armike e Popullit”!
Për funksionet që mbani, jeni shpresa e çdo qytetari! Duke provuar të gjitha rrugët ligjore, duke trokitur në çdo institucion që presupozohet të zgjidhë problemet e popullit dhe duke mos marrë asnjë zgjidhje… vendosa t’Ju drejtohem!
Trajtimi i të persekutuarve politikë dihet botërisht se në çfarë përmasa çnjerëzore është trajtuar dhe vazhdon të trajtohet!
Kam 25 vjet që vetëm pres! Sot jam e lënë në harresë nga shteti im në një kohë kur ngrihen në piedestal kriminelë, hajdutë, oligarkë!
Vuajtjet dhe ulërimën e popullit nuk e dëgjon askush! Vjedhja, korrupsioni na kanë mbuluar… Boll me spektakle sikur po luftoni për popullin!
Diçka njerëzore ju kam kërkuar… atë që më takon “Rehabilitimin dhe kompensimin e të persekutuarit” për vuajtjet që kemi hequr që edhe kur t’i zhdëmtoni 100% nuk zhdëmtohen dot kurrë! Prindërit më vdiqën me buzë të plasur e në varfëri (vetëm një këst mori babai i shkretë dhe vdiq)!
Nëna ime, e bija e Et’hem Totos, burrë shteti, patriot e ministër i Brendshëm në vitet 1935-‘36, vdiq po ashtu, ne bijtë po plakemi në varfëri të plotë. Unë po vdes në një dhomë të mjerë konvikti, ku jetoj prej 25 vitesh e sëmurë dhe nuk kam mundësi kurimi… se ne na japin ilaçe të skaduara që të pasurohen politikanët tanë!
Jetoj me një pension minimal. Kërkova “pension special” sepse i kam shërbyer vendit tim sa ta meritoj këtë pension! Emri i familjes Lubonja e thotë; emri i familjes Toto e thotë!
Kam qenë në ballë të lëvizjes për demokraci, kam marrë pjesë në nisma ku jam dënuar me vdekje; isha pjesë e lëvizjes për rrëzimin e Fullanit! Por Fullani po zhdëmtohet, po kërkon miliona, ndërsa unë vazhdoj të jem “Armike e Popullit”, sepse pensionet speciale dhe privilegjet vazhdojnë t’u jepen komunistëve, spiunëve, lakejve!