Jam shkrirë gazit këto ditë, sepse nuk kisha mundësi të qaja!

Nga Artan FUGA

Unë i mirëkuptoj të gjitha shqetësimet dhe angazhimet për të ruajtur të pacënuar nga askush vlerat dhe kontributin e rezistencës antifashiste gjatë Luftës së Dytë botërore në Shqipëri, për respektin për këdo që ka marrë pjesë në të, komunistë, nacionalistë, demokratë, si edhe për të gjitha kontributet, luftëtarë, dëshmorë, viktima, të deportuar në kampe, popullsi e martirizuar, etj, familje dëshmorësh.

Duke pasur nja pesë a gjashtë dëshmorë e të martirizuar në familje nga bashkëpuntorët e fashizmit dhe larot e tradhëtarëve më kujtohet gjyshja që edhe në vitet 60, më kujtohet si turbull, që lëviste nëpër shtëpi si një hije e mërzitur, e pezmatuar, e harruar në vetminë e vet të pashërueshme nga dëmet e Luftës, nga tradhëtarët që si qenër i kishin kafshuar shpirtin, duke tymosur duhan nga mëngjesi në darkë, folur me vete, veshur në të zi dhe qarë e qarë me afshe zemre.

Vuajtur nga të gjitha anët ky popull, paralufte, gjatëlufte dhe paslufte!

E kishte goditur rëndë lufta gjyshen time të mjerë e të mirë si gjyshet e gjithkujt. Nuk ja harroj askujt! Po pa asnjë hakmarrje!

Të dallohen pra kush ka qenë për rezistencën, kush ka qenë neutral, kush ka qenë tradhëtar!

Kur të na bëhet mbarë edhe unë dëshiroj t’i them mikut tim Agron Tufa çfarë mendoj për ndonjë botim, i të cilit ai nuk është autor. Sikur bisedojmë ngahera për libra të tjerë!

Por, kur dëgjoj se ai qenkesh fashisti i fundit në Shqipëri, nuk e mbaj dot të qeshurën : hahahahahahaha! Shqipëria nuk qenka çliruar akoma!!! Paska mbetur ushtari i fundit Agron Tufa!

Goni është fashist poaq sa unë nuk jam biri i dy partizanëve në Luftën Clirimtare, kujtimin e të cilëve në atë periudhë e kam të shenjtë në traditat familjare!

Goni na qenka edhe fshatar! A thua se është sharje përbuzëse të vish nga zona dhe krahina plot tradita nga cdo cep i vendit! Sa qejf po të isha edhe unë fshatar si Gon Tufa!

Hahahahahahahaha!

Me kulturën perëndimore që ai ka marrë në universitete ruse, paradoks i madh, por i vërtetë, ai më ka habitur me botëkuptimin e tij postmodern që më ka lënë mbresa të forta dhe admirim edhe mua që prej shtatë a kusur brezash kam tradita familjare qytetase në qytete mijëvjecare! Më urban në këtë rrafsh sesa unë ai!

Goni qenka edhe spiun rus! Vërtet ka ca tipare si të Sorges ai! Ore mos është ai që i ka dërguar z. Putin planet e sulmit të fashistëve shqiptarë mbi Moskë që po përgatitet për 21 qershorin e këtij viti?

Edhe kjo na duhet, të niset një fushatë makartiste si gjueti shtrigash ndaj intelektualëve tani!

Qetësohuni miq, shokë, zonja dhe zotërinj !

Mjaft e thelluat kulturën antiMukje!

Unë kam tezën se diktatura na krijoi idenë se ne e kishim kapërcyer Rilindjen e shekullit 19 -të dhe ishim bërë unitarista si komb, por kam nisur të kem dyshime të forta shumë. Por, ne nuk paskemi kaluar as antiMukjen!

Nuk e di se çfarë thotë për këtë e shenjta dhe e heshtura Akademi e Shkencave që po rinohet e bëhet si nuse në kujdesin e ndoca 14 deputetëve bashkëpuntorë me forcat e regresit intelektual në vend!

As Agron Tufa nuk është fashist, as çlirimtarët nuk barazohen dot me kriminelë lufte!

E ka fajin folja “me qenë” që në shqip përdoret pa njohur punimet e të madhit Alfred Korzybski në semantikën e tij monumentale gjenerale. Por për këtë, sakohë që ende nuk po përgatitet botimi në kantjer e sipër mund të drejtohemi në ministrinë e jashtme sepse atje ju sqarojnë për cdo gjë!

Jam shkrirë gazit këto ditë, sepse nuk kisha mundësi të qaja!

Artikulli paraprakDenoncoi skandalin e ryshfetit që i kërkuan për llogari të drejtorit, kreu i OSHEE rreh në zyrë qytetarin
Artikulli tjetërLirohet nga qelia vrasësi me pagesë…