Dje GJKKO ka dhënë vendimin në lidhje me masat e sigurisë për të arrestuarit e SPAK për inceneratorin e Tiranës.
Përgjatë një seance maratonë të pranishmit dhe njëherësh të akuzuarit, përjashto dy të shumëkërkuarit që nuk u arrestuan asnjëherë, janë njohur me përfshirjet e secilit në aferën korruptive që lidhet me atë incinerator. Nga 15 masat e mëparshme, që u ekzekutuan katër ditë më parë, vetëm një masë nga arrest me burg u ndryshua në arrest shtëpie, ndërkohë që të tjerat u lanë si në krye të herës, kur edhe u ndërmor operacioni i BKH-së dhe i policisë.
Të akuzuarit, kryesish ish-ministri Lefter Koka dhe ishvartësi i tij, Alqi Bllako, jo vetëm i kanë mohuar akuzat, por madje kanë gjetur edhe fajtorët për të cilët gjenden në qeli, ndërkohë që Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri vijojnë të jenë në kërkim. Lefter Koka para gjyqtares së çështjes deklaroi se akuzat ndaj tij dhe stafit janë ngritur në bazë të opinionit politik dhe mediatik. “I kërkoj ndjesë të gjithë stafit nëse janë këtu për shkakun tim. Ata kanë bërë më të mirën që mund të bënin. Akuzat janë ngritur mbi bazë të opinionit politik e mediatik. Jam viktimë e Saliut dhe e partiçkës së vogël. Ndjesë të gjithë juve (personave që janë akuzuar në dosjet ku ai është pjesë)”, – është shprehur Koka.
HETIMET DHE AKUZAT
Hetimet e SPAK për inceneratorin e Tiranës, të cilat çuan në lëshimin e 15 urdhrave të arrestit kanë zbuluar një seri parregullsish në procedurat e ndjekura për t’i dhënë koncesionin kompanisë fituese. Përveç shkeljeve ligjore, thuajse e gjithë praktika është realizuar në bashkëpunim me dy sipërmarrësit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, përfituesit e koncesionit.
Aktet e Prokurorisë dëshmojnë se ishin ata, që kanë kontrolluar të gjithë procesin nga fillimi deri në fund, ndërsa funksionarët shtetërorë të përfshirë, kujdeseshin të mbyllnin procedurat pa vonesë, sipas interesave të dy sipërmarrësve. Në njoftimin zyrtar vihet në dukje se “shoqëria propozuese ‘Integrated Energy BV’, në përbërje të së cilës është aksionere edhe shoqëria ‘Integrated Technology Services’ sh.p.k në pronësi të Zotos, ka qenë në dijeni të rrethanave konkurruese që përpara se të shpallej procedura e dhënies së koncesionit”. Po ashtu kjo shoqëri “është pajisur me dokumentacionin e nevojshëm që duhej të dorëzonte në Ministrinë e Mjedisit para dhe gjatë procedurës koncesionare, me qëllim shpalljen fitues të kësaj shoqërie”. Edhe dokumentet e koncesionit rezultojnë “të jenë hartuar nga punonjësit e Zotos, i cili ua ka dërguar më pas punonjësve të Ministrisë së Mjedisit.
Ndërsa përllogaritjet e kostove në studimin e fizibilitetit janë marrë – sipas Prokurorisë së Posaçme – nga studimi i fizibilitetit të shoqërisë propozuese ‘Integrated Energy BV’, pa kryer asnjë verifikim në lidhje me vërtetësinë e tyre”. Gjë e cila ka sjellë në një fryrje të kostove që sot janë të detyruara të paguajnë bashkitë e Qarkut Tiranë. Lidhja e sipërmarrësve me ish-drejtuesit e Ministrisë së Mjedisit, ministrin Lefter Koka dhe sekretarin e përgjithshëm në atë kohë, Alqi Bllako, duket të ketë qenë aq e fortë, sa këta të fundit nuk janë shqetësuar as për faktin se kompania “Integreted Energy BV”, me seli në Holandë, nuk ishte regjistruar si subjekt në Qendrën Kombëtare të Biznesit, siç e kërkon ligji.
Ndonëse ky fakt i është vënë në dukje Ministrisë së Mjedisit nga ministrja e atëhershme e Shtetit për marrëdhëniet me parlamentin, më 15 nëntor 2016, procedurat kanë vijuar, pavarësisht se janë shprehur vërejtje dhe nga ministria e Financave e ajo e Drejtësisë. Dhe gati tri javë më pas më 7 dhjetor 2016, qeveria ka miratuar dhënien e bonusit prej 8 për qind, një kompanie të paregjistruar. Për më tepër që sipas akteve të Prokurorisë, kontrata finale rezulton e lidhur jo me “Integrated Energy BV”, por me “Integrated Energy BV SPV”, e regjistruar ditën e nënshkrimit të kontratës, më 31 gusht 2017.
Bllako: Makinerinë e birrës e bleva vetë
Ashtu si në të gjitha akuzat e ngritura edhe më herët ndaj Alqi Bllakos, edhe akuza e fundit është kundërshtuar prej tij. Në fakt, kundër prokurorit të çështjes kanë qenë edhe pjesa tjetër, të cilët kanë fiksuar faktin se kanë zbatuar vetëm ligjin dhe asgjë tjetër. Të njëjtin qëndrim dhe madje me akte konkrete ka mbajtur edhe sh-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako, në mbrojtjen e tij ka pretenduar se për blerjen e makinerisë së birrës me vlerë 119.755 disponon fatura. “E kam blerë personalisht në Çeki. Disponoj fatura që mund t’jua vë në dispozicion. Ësahtë një kontratë e ligjshme me sektorin privat. As me rregullore, as me ligj nuk ndalohet. Është një nga tre ekspertët më të mirë në republikë sa u përket studimeve për trajtimin e mbetjeve. Paga e personit të punësuar është e ligjshme, sa kohë është e ligjshme s’ka motiv për të ngritur akuzë”. Sa u takon komunikimeve të disa prej zyrtarëve me Klodian Zoton apo punonjës të kompanisë së tij, të akuzuarit kanë pretenduar se në rastin e ofertave të pakërkuara duhet të ketë komunikim, bisedime e kontakte mes firmës që ka shfaqur interes dhe kontraktorëve.
ARREST ME BURG
1 – Lefter Koka, ish-ministër i Mjedisit
2 – Alqi Bllako, ish-sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit
3 – Taluant Tusha, drejtor i Drejtorisë së Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës
4 – Bledar Karoli, ish-zyrtar i Ministrisë se Energjisë
5 – Namik Simixhiu, ish-anëtar i komisionit të prokurorit të inceneratorit të Tiranës
6 – Erion Murataj
ARREST SHTËPIE
7 – Alba Thoma, ish-drejtoresha Juridike e Ministrisë së Mjedisit
8 – Valbona Ballgjini, anëtare e Komisionit të dhënies së koncesioni
9 – Sidita Temali, anëtare e komisionit të dhënies së koncesionit
10 – Silena Tola, punonjëse e Qendrës Kombëtare të Biznesit
11 – Etleva Kondi, anëtare e komisionit të dhënies së koncesionit
12 – Pëllumb Abeshi, ish-zyrtar i Ministrisë se Mjedisit
13 – Jetmir Llapaj