James në Mynih

James Rodriguez zbarkon në Mynih, për të nisur një aventurë të re në karrierën e tij, pikërisht Bayernin. Futbollisti kolumbian mbërriti në aeroportin e Mynihut me një charter, i shoqëruar nga përfaqësuesi i tij ligjor. 25-vjeçari u paraqit menjëherë në ambientet e klubit i veshur me fanellën e skuadrës së tij të re. I lumtur për këtë transferim, Rodriguez u shpreh se ishte bërë pjesë e një klubi të madh, me të cilin synon të fitojë trofe.
“Jam shumë i gëzuar që jam bërë pjesë e një klubi të madh dhe që do të luaj me një skuadër të madhe. Çdo njeri e njeh Bayernin dhe se çfarë përfaqëson në futbollin botëror. Është një eksperiencë e re për mua, një klub i ri, një jetë e re. Jam shumë i lumtur. Kam ëndrra të mëdha dhe shpresoj të kem sukses te Bayerni”, ka deklaruar James.
Një prononcim i shkurtër, por domethënës ky i ish-lojtarit të Realit të Madridit, i cili iu nënshtrua menjëherë vizitave mjekësore dhe hodhi firmën e tij në fanellën e Bayernit. Ka qenë vetë tekniku i kampionëve të Bundesligës, Carlo Ancelotti që ka insistuar për kolumbianin, të cilin e ka patur nën urdhrat e tij pikërisht te Los Blancos. Reali kërkoi fillimisht 75 milionë euro për kartonin e Jamesit, por në fund palët arritën marrëveshjen për huazim me të drejtë blerjeje pas dy sezonesh.
James Rodriguez ka shkaktuar problemin e parë pa arritur ende në Bayern Munich. Real Madrid dhe Bayern Munich kanë arritur marrëveshje për huazimin dyvjeçar të kolumbianit, James Rodriguez. Por, ende pa arritur në Munich, James ka shkaktuar sherrin e parë. Bëhet fjalë për numrin e fanellës që do të mbajë James, pasi këtë e përcakton kontrata që ka me kompaninë Adidas. Sipas asaj kontrate, James duhet të mbajë fanellën me numër 10 në çdo skuadër ku luan, shkruan “TZ”. Ky do të jetë një problem i madh në Bayern, pasi tashmë e tetë vite këtë numër e mban legjenda holandeze, Arjen Robben.
Momentalisht në Bayern është i lirë numri 11, i lënë i lirë nga Douglas Costa dhe në rast se arrin marrëveshje me Robben, atëherë holandezi do të merrte numrin 11, të cilin e mban edhe te kombëtarja e Holandës.
Sipas mediave kolumbiane ishte vetë italiani që bindi Jamesin të transferohej në “Allianz Arena”. Ai këtë madje e arriti me vetëm një fjali. “James, më duhesh këtu”, thuhet t’i ketë thënë Ancelotti mesfushorit kolumbian, i cili më pas ka thirrur agjentin e tij për të mbyllur kalimin në Bayern. James është huazuar për dy sezone te Bayern, me skuadrën gjermane që ka të drejtë të nënshkruajë përfundimisht në vitin 2019.
Lojtari me anë të një postimi në Twitter ka falënderuar të gjithë për këto tri vite fantastike në “Santiago Bernabeu”. Ai thotë se me shumë krenari e ka veshur fanellën e Real Madridit. “Të dashur madrilenë, shpreh gjithë mirënjohjen time për 3 vite fantastike, ku me shumë krenari kam veshur këtë fanellë. Dashuria për ju është në zemrën time”, shkruan James.

Exit mobile version