James Rodriguez, i rilindur te Bayerni

Me James Rodriguez si forcë të shtuar në organikë, Bayneri Mynihut ka arritur një avantazh prej 11 pikësh me ndjekësit më të afërt, duke shënuar njëherazi edhe sukse të tjera në kompeticionet paralele. Pas vetëm disa muajve të shpenzuar në klubin bavarez, i huazuar nga Reali i Madridit (marrëveshja parashikon qëndrimin e 26-vjeçarit në Gjermani deri në qershor të 2019-ës), mesfushori kolumbian shprehet shumë i lumtur për eksperiencën e tij te kampionët e Bundesligës.
“Bayerni qëndron në të njëjtat nivele me Realin e Madridit. Objektivat e tyre janë gjithnjë maksimale, synojnë titujt e të gjitha kompeticioneve ku marrin pjesë. Te Bayerni janë mësuar me fitoret. Pa më të voglin dyshim, Bayerni është një ndër klubet më të mira europiane. Kam nisur një jetë të re në Gjermani, jam përshtatur mirë dhe ndihem shumë i lumtur në këtë ambient”, tha James Rodriguez.
Diçka e dukshme në fakt, pasi James ka realizuar dy gola dhe ka dhuruar tre asiste në 12 takimet e fundit të Bundesligës. “I duhej pak kohë që të përshtatej, por tashmë e ka shumë të qartë mentalitetin tonë dhe është unifikuar me këtë skuadër. Jo të gjithë e kuptojnë sa shumë impenjohet, koha do ta tregojë se gjithnjë e më shumë ai do të bëhet një element vendimtar në ecurinë e Bayernit”, deklaron trajneri Jupp Heynckes për fituesin e Këpucës së Artë të edicionit 2014. Bayerni ka në marrëveshje të drejtën e blerjes më 30 qershor të 2019-ës, kohë kur përfundon edhe huazimi i tij.
Pas lamtumirës së Karlo Ançelotit, të gjithë ishin dëshmitarë të një rilindjeje për Bayernin e Mynihut. Heynckes rezultoi të ishte kura më e mirë për lojtarët e klubit bavarez, çka lë të kuptohet se, pavarësisht faktit që Ançeloti është një ndër më të mirët në fushën e tij, sintonia mes palëve nuk ishte në maksimum dhe kjo reflektohej e gjitha në fushë. Edhe ish-lojtari i Juventusit, Arturo Vidal, ka përfituar nga ndryshimet që ndodhën në stolin e klubit gjerman, duke u rikthyer të bëjë diferencën falë golave shumë të rëndësishëm, përkatësisht 5 të tillë në kampionat përgjatë 15 prezencave të tij. Në këtë fillim sezoni, kiliani 30-vjeçar i ka dhënë edhe më shumë karakter kësaj skuadre.
Zhgënjimi për moskualifikimin në Botërorin e Rusi 2018 të Kombëtares së Kilit nuk i erdhi aspak në ndihmë mesfushorit që përjetoi disa javë vështirësie dhe që e bëri të mendonte edhe për një lamtumirë të parakohshme nga përfaqësuesja e vendit të tij. Shpesh herë protagonist i polemikave të shumta duket se që me mbërritjen e Don Heynckes tek Bayerni, gjithçka ka ndryshuar edhe për mesfushorin. Ish-juventini tashmë luan gjithnjë titullar në një skuadër që gjithnjë e më shumë po tregon se nuk mund të bëjë më pa të. Tekniku gjerman është mjaft strikt dhe nuk lejon asnjë lloj komportimi jashtë normave që ka vendosur dhe Vidal është përshtatur në mënyrë perfekte me këtë mentalitet rigoroz, duke dhënë më të mirën e tij e duke premtuar shumë më shumë për pjesën e dytë të sezonit.

Artikulli paraprakMançini te Milani?
Artikulli tjetërKemi vdekshmërinë më të lartë të fëmijëve nën 5 vjeç