James Rodriguez u transferua verën e kaluar nga Real Madridi te Bayern Munich. Shorti i gjysmfinaleve të Ligës së Kampionëve i ka vendosur këto dy skuadra përballë njëra-tjetrës. Kolumbiani do të luajë kundër së shkuarës së vet, çka përbën diçka emocionuese, por premton maksimumin për bavarezët, me të cilët do të shkojë në finalen e madhe të Kievit.
–Çfarë ju erdhi në mendje kur mësuat kundërshtarin e gjysmëfinaleve të Ligës së Kampionëve?
Real Madridi, Liverpool, ose Roma ishin rivalë të fortë, që kërkojnë të kalojnë në finale. Ajo që me të vërtetë ka rëndësi është se ne jemi të qetë, kemi besim në mundësitë tona dhe duam të zhvillojmë dy ndeshje të mira. Kjo është ajo që dua.
Si ndjeheni para një klasikeje europiane të futbollit, si Real Madrid-Bayern Munich?
Mirë. Mendoj se nuk duhet ta marrim atë si hakmarrje, por si mundësi për të treguar veten dhe shkuar në finale. Mes këtyre dy skuadrave janë pothuajse gjithmonë përplasje unike. Ne duhet të përqëndrohemi te vetja, të jemi të aftë fizikisht dhe në gjendje për të konkurruar në mënyrën më të mirë të mundshme, mbi të gjitha ndaj Real Madridit.
–A ka recetë të veçantë Real Madridi në Champions?
Është e vërtetë se ata ndryshojnë shumë kur luajnë në Champions. Ndryshe nga La Liga, japin më shumë nga vetja. Madrilenët e dinë se çfarë është e nevojshme për të luftuar vit pas viti për këtë trofe. Real Madridi është ekipi historik i këtij kompeticioni. Por, Bayern Munich nuk duhet të fshihet. Historia e tij është atje dhe ka treguar në më shumë se një rast se di si të përballet me Real Madridin.
–Çfarë mendoni për çerekfinalen kundërthënëse kundër Juventusit, me atë penallti të Cristiano Ronaldos?
Unë pashë vetëm golat, sepse kemi luajtur vetë, në të njëjtën ditë, kundër Sevilla. Real Madridi është si gjithmonë, dëshiron të fitojë dhe nuk ndalet, duke u përpjekur deri në fund. Askush nuk priste që loja do të shkonte 0-3, por në fund, Real Madridi nuk u ndal për të fituar dhe penalltia në kohën shtesë ishte çmimi për çdo gjë që bëri.
-Keni emocione, sepse do të luani kundër asaj, që ishte shtëpia juaj?
Natyrisht, këto dy ndeshje janë shumë të veçanta për mua. Kam luajtur atje për tri vite, isha i lumtur. Kam lënë kryesisht miq dhe kujtime të mira. Është diçka shumë e bukur, por unë mendoj vetëm për ekipin tim dhe si të përgatitemi në mënyrën më të mirë të mundshme.
–A do të ketë mundësinë “Bernabeu” të shikojë që James është një lojtar i rëndësishëm te Bayerni aktual?
Unë nuk mendoj për këtë, vetëm për të ndihmuar shokët e mi, për të dhënë më të mirën, në mënyrë që ne mund të shkojmë në finalen e Kievit. Ne duam të shkojmë në finale dhe me këtë synim do të luajmë kundër Real Madridit. Pjesa tjetër nuk ka rëndësi.
–Ndonjë mesazh që keni shkëmbyer me kolegët tuaj të vjetër?
Unë nuk kam folur asgjë me ta. Mundësia për të folur do të vijë, por jo tani.
–Si mund ta ndaloni Cristiano Ronaldon?
Ai është një makinë golash dhe e ka treguar këtë në më shumë se një rast. Shifrat flasin për çka përbën si futbollist. Unë shpresoj që të luajmë në bllok dhe Ronaldo të mos jetë aq mirë në dy ndeshjet kundër nesh. Natyrisht, duhet të jemi shumë të kujdesshëm me të, por edhe me lojtarët e tjerë. Real Madridi nuk është vetëm Ronaldo. Ka lojtarë të mëdhenj, praktikisht të gjitha pozicionet. Nuk do të jetë e lehtë.
–Heynckes ju jep shumë vazhdimësi. Si e arrini këtë në fund të sezonit, në aspektin fizik?
Jam mirë. Sa më shumë që luaj, aq më shumë mund t’i jap ekipit dhe trajneri e di këë. Unë vetëm dua të luaj dhe jam shumë i kënaqur me minutat e grumbulluara gjatë gjithë këtij sezoni.