Mimoza Hajdarmata
Babëzia e qeverisë së betonit, i ka shpallur luftë natyrës, gjelbërimit, pyjeve dhe mjedisit.
Kriza e shkatërrimit me rruspa dhe tritol të shtëpive dhe bizneseve të shqiptarëve në një drejtim dhe betonieret në mal e në bregdet për të ngritur sarajet e deputetëve dhe ministrave, në drejtimin tjetër, janë dy anët e medaljes së qeverisë së krizës.
“Moratorium” apo legalizim i katastrofës mbi pyjet dhe pylltarinë shqiptare? Kjo është një nga dilemat e ekspertëve, por dhe një nga hallet e shumë banorëve në fshatra që jetojnë me burimet e pyjeve.
Falë paaftësisë dhe abuzimit të qeverisjes suaj, në më pak se tre vjet ia dolët që ta ktheni inekzistent shërbimin pyjor shqiptar.
Dëshmi e programit të Rilindjes së pyjeve është dhe bilanci dëshpërues i burimeve njerëzore në këtë sektor.
Në fund të vitit 2015 u pezullua nga puna i gjithë personeli pyjor në drejtoritë e shërbimit pyjor të qarqeve me pretekstin që pritet të miratohet ligji i ri dhe pyjet do të kalojnë në pronësi të bashkive, ndërkohë që në të gjithë vendin vazhduan ankandet për shitjen e lëndës drusore.
Masakra me pyjet dhe abuzimi ditën për diell ka nxjerrë edhe më në pah dy tiparet kryesore të kësaj qeverie:
Korrupsioni masiv dhe terrori ndaj individit apo komuniteteve të pambrojtura.
Kemi tani për shqyrtim dhe miratim këtë arnë ligjore pas Moratoriumit të Pyjeve, i cili po rezulton një demagogji dhe manipulim i shkruar vetëm në letër, sepse realiteti është gri, i djegur dhe aspak me ngjyrë shprese.
Flasim për mbrojtje mjedisi dhe shtim të gjelbërimit e pyllëzim, kur në fakt mendësia e qeverisjes suaj është shkatërrimi dhe betoni.
Po shohim këto ditë me një trishtim makineritë shkatërruese të INUK, të cilat qëllimisht me shpërfillje të imazhit apo marketingut, në nisje të sezonit turistik kanë rifilluar aksionin e shembjes së pronave të shqiptarëve në zonat turistike të bregut për të spastruar territorin dhe konkurrencën në favor të hotelerive dhe bizneseve të deputetëve socialistë në Jug.
“Aty ku shikon të ngrihen kulla kështjella, pallate shumëkatëshe, është e oligarkëve, ndërsa aty ku shkatërrohet dhe prishet është e hallexhinjve, po thoshte një ditë një kalimtar tek shikonte rruspat e Rilindjes.
Rilindja e mjerimit dhe dëshpërimit që është ulur këmbëkryq në mendjet dhe shpirtrat e pashpresë të shqiptarëve, e skamjes së 400 mijë shqiptarëve pa ushqim e vakte normale, e dhjetëra mijëra biznesve të mbyllura që kanë shkaktuar papunësinë në nivelin zyrtar të të rinjve afro 30% apo të grave dhe vajzave mbi nivelin 40%.
Dhe dalim te lidhja mes rruspave dhe pyjeve, që ka të bëjë me mendësinë që keni ju, për këtë territor të vendit me natyrë të mrekullueshme e resurse të mëdha, por që politika antikombëtare, antisociale e juaja po e gllabëron nga dita në ditë me koncesione qindra miliona euro dhe në kurriz të shqiptarëve që thellohen në borxhe dhe pamundësi për një jetë normale.
Për t’u kthyer tek demagogjia që sillni ju për mbrojtjen dhe shtimin e pyllëzimit, me të drejtë mund të ngrihet pyetja:
A mund t’i besohet kësaj mazhorance dhe qeverie mbrojtja e pyjeve me ligje farse dhe praktika antiligjore kur shteti i së drejtës nuk funksionon në asnjë sektor publik e privat dhe u dashka ta besojmë në mjedis?
Ndërtimi i cilësuar “park për fëmijët”, po ndodh pa lejet mjedisore përkatëse, në një frymë konfliktualiteti brenda vetë qeverisë dhe në një rezistencë të ashpër nga qytetarët e Tiranës e aktivistët civilë.
Pra, situata ndodh në një realitet absurd dhe dëshpërues njëkohësisht, pasi në njërën anë Parlamenti gjoja miraton ligje në mbrojtje të mjedisit dhe qeveria i zhbën ato me leje betonimi apo edhe më keq nuk pyet fare për ligjin, duke anashkaluar firmat dhe procedurat e përcaktuara në këtë rast.
E gjithë kjo maskaradë mbështillet me heshtje, errësirë transparence, shkëmbime batutash konfliktuale, mpirje e opinionit, ndërkohë që nga ana tjetër betonieret hedhin zhavorrin, kompanitë kopsitin letrat e korrupsionit në zyrat qeveritare, ndërsa qytetarëve, u thuhet se më 1 qershor do të kenë gati parkun e lodrave për fëmijët.
Kur po mbushen tri vite qeverisje, mjedisi, gjelbërimi rezulton çdo ditë e më shumë një shaka e madhe, një tallje, një supermashtrim i qeverisë Rama dhe i kësaj mazhorance.
Kur në fillim të fjalës thashë se ky projekt dëshmon dy tiparet kryesore, korrupsionin dhe terrorin e kisha fjalën se me pyjet njerëzit afër qeverisë, nëpërmjet abuzimit me to po pasurohen dita-ditës, ndërkohë nga ana tjetër, në emër të të bërit shtet mbillet frika deri në palcë, kur gjobit dhe arreston fshatarin që pret ndonjë copë dru për t’u ngrohur në mungesë të energjisë elektrike për shkak të ndërprerjeve, në pamundësi të të paguarit të saj.
E meqenëse jemi në fushën tuaj të parapëlqyer që është dhuna shtetërore, më lejoni t’ju sjell në vëmendje se OSHEE është kthyer në një përbindësh si në kohët e legjendave që grabit e djeg njerëzit dhe fatet e tyre.
Po, po, sepse shtëpia e katandia është i gjithë fati i njerëzve në zonat e varfëra e të braktisura verilindore. 29 anëtarë dhe në këto momente që flasim janë në qiell të hapur në Bujan të Tropojës, sepse OSHEE u merr frymën e fundit me faturat që i paguajnë me borxhe, por nuk u jep asnjë lek kur u digjen shtëpitë me çdo gjë brenda, në 4 të mëngjesit nga luhatjet e tensionit, sepse mentaliteti i shefit të OSHEE sikurse dhe i kryeshefit të tij në qeveri është grabit sa të mundesh dhe mbrapa lër shkretë e djeg çdo gjë.
Unë besoj fort tek drejtësia e Zotit.
Lidhur me korrupsionin i referohem dëmtimit masiv që po pësojnë pyjet dhe mjedisi në tërë shtrirjen gjeografike të vendit për të pasuruar njerëz të qeverisë, klaneve pranë tyre dhe deputetë të mazhorancës.
Gërryhen pa fund lumenjtë, malet e vargmalet për mermer, gurë, zhavorr, masive pyjore për t’u pasuruar e shtuar oreksin pa fre qeveritar.
Flitet për moratorium, por sharra e kompanive pranë qeverisë, që eksportojnë stiva pa fund, nuk ndalon ditë e natë dhe trau i kalimit të lëndëve drusore nuk njeh refuzim, nuk njeh JO, kur bëhet fjalë për telefonat apo urdhrat nga Tirana dhe oborri qeveritar.
Denoncimi më i fundit që ne si opozitë i kemi bërë dëmtimit masiv të mjedisit, është prerja e ullishteve në rivierën e Jugut për t’i hapur terren zgjerimit të sarajeve në Qeparo.
Sepse ky është morali i Rilindjes, ligji me disa standarde, i ashpër dhe goditës për të varfërit dhe për shqiptarët e pambrojtur, i verbër e i shurdhët për qeveritarët dhe klanet e mazhorancës së ngritur me vota të trafikuara.
Projektligji i pyjeve i hap rrugë korrupsionit pasi strategjia e mbrojtjes së tyre është evazive, është e centralizuar nga ministria dhe pazaret në Tiranë dhe zbatimi i moratoriumit apo legjislacionit përkatës është i deleguar tek militantët e punësuar nga Rilindja, pasi reforma e të bërit shtet nxori në rrugë mbi 900 inxhinierë dhe ekspertë të pyjeve dhe mjedisit.
Ligji i ri i pyjeve u vonua, për shkak pikërisht të mangësive. Grupet e interesit, ekspertët e terrenit dhe profesorët e universiteteve e kanë kundërshtuar gjatë këtë projekt.
Aktualisht në pyjet e vendit ka mbi 700 mijë m3 material drusor të prerë e të shpërndarë nëpër pyje apo pikat e grumbullimit, sepse nuk lejohet të transportohen. Ligjërisht nuk ka specialistë që të monitorojnë moratoriumin.
Moskordinimi i qartë i kompetencave dhe influencave të pushtetit lokal mbi pyjet në reformën e re teritoriale dhe ligjeve që sjell kjo qeveri, ka sjellë kostot e veta të amullisë dhe tek pyjet.
Në veri e jug, fshatarët që presin ndonjë copë dru për ngrohje apo nevoja të vogla, dënohet me gjoba marramendëse, futen në burg ndërkohë që nga Devolli e pyjet e zonave juglindore vijnë dëshmi me foto e figura të kamionëve që transportojnë dru, mes tyre dhe lloje të rralla të florës kombëtare.
Kamionët i përkasin kompanive me imunitet qeveritar dhe sigurisht që ata nuk duhen prekur.
Gjithashtu pyjet në zonat e veriut të Kukësit, Hasit, Tropojës, janë lënë në mëshirë të fatit. Tymit dhe flakëve të zjarreve të qëllimshme apo jo, askush nuk u del për zot, askush nuk i mbron.
“Bjeshkëve të namuna”, dashamirësit e huaj të shumtë të Shqipërisë, por dhe vetë ne, me krenari i quajmë, bekimi ynë!
Por ne dhe shqiptarët nuk do të lejojmë që prej varfërisë, korrupsionit, kriminalitetit dhe babëzisë tuaj, të na e ktheni Shqipërinë tonë të bekuar në një vend të namun.