Zgjedhjet e ardhshme në Kosovë po zhvillohen për serbët nën hijen e protestave në Serbi, por vlerësohet se këto lëvizje nuk do të kenë shumë ndikim në pozitën e komunitetit serb në Kosovë. Çdo ndryshim në hierarkinë politike në Kosovë do të ishte i mundur vetëm nëse Lista Serbe do të pësonte një disfatë të rëndë, e cila praktikisht është e pamundur, përderisa ajo Listë është nën patronatin e Partisë Përparimtare Serbe të Aleksandar Vuçiçit.
Komuniteti serb në Kosovë e ka shumë më të vështirë t’i rezistojë autoriteteve serbe në Beograd, sesa studentët dhe demonstruesit e tjerë në Serbi. Serbët në Kosovë kanë gjashtë lista që mund të votojnë, por bashkëbiseduesit e DW paralajmërojnë se mrekulli vështirë se priten.
Realiteti i trishtë për serbët në Kosovë
“Protestat e studentëve nuk kanë jehonë në Kosovë dhe Kosova mbetet në duart e Listës Serbe”, thotë për DW komentatori i politikës së jashtme, Boshko Jakshiç.
“Qeveria po i mban peng ata, që është shumë keq për serbët në Kosovë. Mendoj se këto zgjedhje vetëm do të konfirmojnë një status quo të dhimbshme për komunitetin serb në Kosovë”.
mund të dëgjohet mendim tjetër. Lista Serbe është shpallur e vetmja që mund të kujdeset për ta, dhe ky është një realitet i trishtë për serbët në Kosovë”, thekson bashkëbiseduesi ynë.
Alternativa (jo)ekzistente
Gazetari Milivoje Mihajloviç beson se “protestat e studentëve do të ndikojnë disi në disponimin e votuesve serbë, por nuk do të ketë ndryshim shumë domethënës”. Pres që shumicën e atyre dhjetë vendeve të garantuara t’i fitojë Lista Serbe, sepse është degë e SNS-së, thekson ai. Shumë më e rëndësishme se kjo është që Lista Serbe është një degë politike për menaxhimin e parave që Serbia u dërgon serbëve të Kosovës. “Votuesit serbë atje besojnë se varen nga autoritetet në Beograd dhe pushteti, e mbi të gjitha paratë që ndahen për ta janë ende në duart e Aleksandar Vuçiçit”, vlerëson Mihajloviç për DW.
Nuk ka alternativë serioze, sepse Lista Serbe prej vitesh është “instrument i Aleksandar Vuçiçit për të menaxhuar vullnetin e serbëve të Kosovës”. Nëse dikush ia arrin të fitojë ndonjë mandat tjetër, do të jenë ndoshta një ose dy mandate, jo më shumë. “Kjo nuk mjafton për të ndryshuar doçka të rëndësishme për serbët në Kosovë”, thekson Mihajloviç.
Çfarë dëshiron Serbia në Kosovë?
Kjo është një politikë mjaft agresive, thotë Boshko Jakshiç, i cili shton se “kjo mund të matet edhe me qëndrimin e qeverisë ndaj Milan Radoiçiçit, të cilin qeveria e mbron në çdo mënyrë të mundshme”. Pra, këtu nuk ka fare vend për optimizëm.
Beogradi zyrtar pret që Lista Serbe t’i fitojë të dhjetë mandatet. Po shihet se u bë një gabim katastrofik kur serbët u urdhëruan të tërhiqen nga institucionet. Kjo është një përpjekje për të korrigjuar atë gabim, por tani shtrohet pyetja – nëse gjërat mund të ndryshojnë? Lista Serbe me dhjetë deputetë nuk mund të ndikojë në politikat madhore. “Thjesht nuk dihet se çfarë dëshiron Serbia në të vërtetë nga Kosova”, tha Jakshiç.
Status quo vazhdon në Kosovë
Milivoje Mihajloviç thekson se gjërat në fakt janë mjaft të thjeshta në Kosovë: “Kushdo që sulmon Beogradin, e në këtë rastai është Albin Kurti, ai mund të llogarisë me fitore ”. Sa i përket deklaratës së Richard Grenellit se Kurti dhe qeveria në Kosovë nuk ka aq mbështetje sa pretendojnë, kjo mund të prekë vetëm disa shtresa të caktuara. Kurti ka mbështetje të konsiderueshme në mërgatë dhe tek disa qarqe më agresive. Propaganda e Vuçiçit thotë se Kurti i përkrah studentët në Serbi, gjë që i shkon në favor vetëm atij, sepse kështu fiton mbështetjen tek shqiptarët, të cilët mendojnë se ai është aq i fuqishëm sa të ndikojë edhe në protestat në Serbi. “Kjo, natyrisht, nuk është e vërtetë, por kështu paraqitet në disa qarqe në Kosovë ”, vëren Mihajloviç.
Ai mendon se në Kosovë do të mbetet status quo-ja politike edhe pas zgjedhjeve të ardhshme. Mihajloviç, megjithatë tërheq vëmendjen për disa palogjikshmëri, në radhë të parë “fakti që në listën e votuesve në Kosovë janë dy milionë njerëz, ndërsa në regjistrim thuhet se atje ka më pak banorë ”. Ky është një rezervuar i tmerrshëm për vjedhje dhe manipulime. „Kurti ka arritur të imponojë dhunë ndaj serbëve dhe represion policor në vend të dialogut. Do të shohim pas zgjedhjeve, se cilat do të jenë objektivat e radhës të regjimit në Prishtinë”, përfundon Milivoje Mihajloviq në deklaratën e tij për DW./