Adnan Januzaj nuk do të jetë pjesë e kombëtares belge në Euro 2016. 21-vjeçari shqiptar i lindur në Bruksel është lënë jashtë skuadrës nga trajneri Mark Wilmots, ai i cili para pak kohësh e cilësonte si talent të madh, duke i prishur mendjen që të zgjidhte Belgjikën para Shqipërisë. Madje për t’i djegur mundësinë për t’u veshur kuqezi, Wilmots e aktivizoi Januzajn për shumë pak minuta në Botërorin e shkuar. Duke qenë se Belgjika i mbylli derën, mediat britanike shkruajnë se 21-vjeçari i Manchester United dëshiron që tashmë të luajë për kombëtaren e Kosovës. Kjo e fundit u pranua pak ditë më parë me të drejta të plota në UEFA, ndërkohë që të premten pritet të pranohet edhe nga FIFA.
Adnan Januzaj është gati t’i kthejë kurrizin “djajve të kuq”, por nuk bëhet fjalë për Manchester United, por për skuadrën përfaqësuese të Belgjikës. Sulmuesi me origjinë nga Kosova nuk është përfshirë në listën që ka bërë trajneri Marc Wilmots për finalet e Euro 2016, pas një sezoni personal katastrofik.
Januzaj u dërgua në formë huazimi në fillim të sezonit te gjermanët e Dortmund, por ata e kthyen mbrapsht në fund të fazës së parë me justifikimin e mungesës së dëshirës. Me vetëm 18 ndeshje në të gjithë sezonin 2015-2016 shpresat e Januzajt për në Euro 2016 dihej që ishin shumë të pakta. Dhe tani 20-vjeçari ka vendosur të mos luajë më për vendin e lindjes, por të bashkohet me kombëtaren më të re të njohur nga UEFA, Kosovën.
Dhe FIFA ja krijon një mundësi të tillë me mekanizmat e saj. Marrëdhënia mes familjes së futbollistit (babai i Januzaj është edhe manaxheri i tij) dhe ekipit kombëtar të Belgjikës (veçanërisht trajneri aktual Wilmots) janë prishur plotësisht, pas “mosveprimeve” të këtij të fundit, pra mos grumbullimin.
Dhe ky është rasti që futbollisti të zgjedhë një tjetër përfaqësim ndërkombëtar, shkruajnë mediat britanike. Januzaj është e mundur që të luajë për Kosovën, pasi në kohën kur ai pranoi të përfaqësonte Belgjikën, Kosova nuk njihej nga UEFA dhe FIFA.
Futbollisti duhej të zgjidhte mes Belgjikës (vendi i lindjes), Kosovës, Serbisë, Turqisë dhe Shqipërisë (të gjitha vende me të cilat është i lidhur nga trungu i tij familjar).
Pas shumë negociatash, ku pjesë padyshim u bë edhe përfaqësuesja e Shqipërisë dhe trajneri De Biasi, Januzaj, nëpërmjet babait të tij, vendosi të zgjidhte Belgjikën, e cila kishte siguruar kualifikimin për në Kampionatin Botëror “Brazil 2014”. Por, atje ai luajti vetëm për disa minuta. Tani duket më se e qartë që Kosova nuk do ta refuzojë mbërritjen e tij në Prishtinë.