Januzaj tek Milani?

Shkëlqimi dhe rënia e një ylli. Adnan Januzaj nuk gjen paqe. Pas rikthimit te Manchester United që zotëron edhe kartonin e tij, mesfushori me origjinë shqiptare është stacionuar vetëm për disa javë në radhët e “Djajve të Kuq” pasi e ardhmja e tij është larg “Old Trafford”. Jose Mourinho nuk e ka në planet e tij mesfushorin që tashmë duhet të kërkojë një destinacion të ri për të treguar vlerat e tij. Stacioni i tij i radhës mund të jetë Milano me destinacion skuadrën kuqezi të drejtuar nga Vincenzo Montella. Trajneri italian ka shprehur interesin për ta afruar në grupin e tij lojtarin me pasaportë belge, i cili u la jashtë listës së Euro 2016 nga trajneri Wilmots. Mediat italiane raportojnë se Milani ka nisur kontaktet për ta huazuar me të drejtë blerjeje në fund të sezonit edhe pse drejtuesit e klubit nuk janë bindur ende plotësisht, duke parë eksperiencën e dështuar të Januzajt te Borussia Dortmund.
Ai ka një kontratë që e lidh me Manchester United deri në vitin 2018 dhe një pagë prej 2.5 milionë euro në sezon. Te Milani, sulmuesi me origjinë shqiptare do të kompletonte repartin e sulmit ku janë projektuar edhe Niang, Lapadulla, Luiz Adriano e Suso. Gjithsesi, Januzaj mbetet ende larg fanellës kuqezi pasi bisedimet nuk janë futur ende në rrugën e duhur. Manchester United kërkon që në kontratë të përfshihet pika që e detyron Milanin ta blejë përfundimisht, por Adriano Galliani ka dyshime për formën e sulmuesit, i cili ka gjetur shumë pak hapësira gjatë sezonit të shkuar, duke humbur terren në hierarkinë e futbollit europian edhe pse pak vite më parë cilësohej si një nga lojtarët më interesantë në qarkullim.
Ndërkohë, Zlatan Ibrahimoviç po thyen çdo rekord edhe pse ka vetëm pak ditë nën urdhrat e trajnerit Jose Mourinho te Manchester United. Edhe pse nuk janë ende zyrtare, shifrat që “Djajtë e Kuq” mendohet se kanë arkëtuar nga shitja e fanellave me emrin e gjigantit suedez, janë thjesht të çmendura. Sipas tabloidit “The Sun”, Manchester United ka arkëtuar plot 90 milionë euro nga fanellat e reja të Ibrahimoviç. Në këto momente, fanella e Ibras mban numrin 9 që iu hoq pa shumë zhurmë sulmuesit francez, Anthony Martial. Vlera e fanellës është 105 euro dhe sipas llogaritjeve, deri në këto momente janë shitur rreth 800 mijë të tilla. Nëse shitja vazhdon me këtë ritëm, atëherë Manchester United nuk do ta ketë aspak problem të plotësojë menjëherë çekun për blerjen e Paul Pogba, për të cilin Juventusi nuk kërkon të dëgjojë oferta më të ulëta se 100 milionë euro.
Në momentin që Ibrahimoviç zbarkoi në Angli, eksperti i financave te Manchester United, Rob Wilson, bëri një parashikim që në ato ditë u cilësua i çmendur. Ai theksoi se nuk do të habitej aspak nëse Zlatan do të shiste më shumë fanella se Cristiano Ronaldo apo Lionel Messi. Tashmë që situata është bërë më e qartë, duket se profecia e tij u realizua, madje duke thyer edhe disa tabu, pasi edhe në Afrikë janë regjistruar shitje rekord. Me këtë ritëm, skuadra e Mourinhos duket se është në rrugën e duhur për të dominuar klasifikimin e përvitshëm për numrin e fanellave të shkuara, pasi vitin e shkuar ishte Barcelona që mbante vendin e parë me 3.6 milionë, e ndjekur nga Bayern Munchen dhe Chelsea.

Exit mobile version