Kryeministri japonez Shinzo Abe kërkoi falje, pasi Ministria e Financave pranoi se kishte ndryshuar dokumentat që lidheshin me një skandal nepotizmi. Dokumentat kishin të bënin me shitjen e një toke në pronësi të shtetit një shkolle private me të cilën ka lidhje bashkëshortja e zotit Abe, me një ulje të konsiderueshme çmimi. Ministria e Financave konfirmoi se, dokumenta zyrtare ishin ndryshuar, duke hequr emrat e zotit Abe dhe gruas së tij, Akie. Zoti Abe tha se ndjehej përgjegjës. “Kjo është një situatë që ka tronditur besimin tek e gjithë qeveria. Dhe si kreu i saj, unë ndjej përgjegjësi. Do të doja t’u kërkoj thellësisht ndjesë të gjithë qytetarëve”. Zoti Abe u tha gazetarëve se donte që ministri i Financave, Taro Aso të sqaronte faktet: “Për të zbuluar se pse ndodhi kjo dhe për të qartësuar gjithçka, ne do të vazhdojmë hetimin tonë. Shpresoj që ministri i Financave Aso të përmbushë përgjegjësitë e tij”. Zoti Aso po përballet me thirrjet për të dhënë dorëheqjen. Ai kërkoi falje në emër të Ministrisë, por përsëriti se nuk do të jepte dorëheqjen. Mbijetesa e tij politike është thelbësore për ambicjet e zotit Abe për një mandat të tretë. Popullariteti i tij u godit rëndë për këtë çështje, gjë që ishte e dukshme edhe në një anketë këtë muaj. Dokumentat nga të cilët ishin hequr emrat e zotit Abe dhe bashkëshortes së tij, kishin të bënin me shitjen e një toke shtetërore një çmim jashtëzakonisht të ulur, një shkolle private me të cilën ka lidhje gruaja e kryeministrit. Drejtori i shkollës dhe e shoqja u arrestuan në korrik, nën dyshimet se kishin marrë subvencione të paligjshme. Zoti Abe ka mohuar vazhdimisht që të ketë favorizuar shkollën dhe ka thënë se do të japë dorëheqjen, nëse provat tregojnë të kundërtën.
Kryesore
Continue to the categoryPërse progres-raporti i BE nuk flet për arrestime politike në Shqipëri?
Nga Ervis Iljazaj
Në mediat shqiptare sot është publikuar progres-raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2024. Ky progres raport hedh poshtë të gjitha...