Klubi koreano-jugor Guangju është përfshirë në një çështje serioze disiplinore me organizatën më të lartë të futbollit botëror, FIFA, për shkak të mosrespektimit të rregullave që lidhen me kontributin e solidaritetit, një mekanizëm që synon të shpërblejë klubet e para që kanë formuar lojtarë profesionistë.
Sipas “Koreanfootballnews”, më 17 dhjetor 2024, FIFA vendosi t’i bllokojë Guangjusë merkaton e transferimeve pasi klubi nuk kishte paguar detyrimet financiare të parashikuara për kontributin e solidaritetit në lidhje me transferimin e Jasir Asanit, lojtarit të Kombëtares shqiptare.
Sipas rregullave të FIFA-s, kur një lojtar profesionist transferohet nga një klub te një tjetër para përfundimit të kontratës, 5% e tarifës së transferimit u shpërndahet klubeve që kanë kontribuar në zhvillimin e lojtarit në moshën 12–23 vjeç. Kjo ka për qëllim të shpërblejë akademitë e futbollit për punën që bëjnë me talentet e reja. Në rastin e Jasir Asanit, disa klube që e kanë formuar atë si Vardari apo një sezon Partizani B, kishin të drejtën për një shpërblim, por Guangju nuk e përmbushi këtë detyrim, çka solli ndëshkimin nga FIFA.
SHKELJA Pavarësisht se ndalimi ishte ende në fuqi, ekipi i Asanit gabimisht regjistroi një lojtar të ri në skuadër, gjë që përbënte shkelje të drejtpërdrejtë të vendimit të FIFA-s. Në përgjigje, Federata e Futbollit të Koresë (KFA) zhvilloi një hetim të brendshëm dhe doli me përfundimin se shkelja nuk ishte e qëllimshme. Sipas KFA-së, kishte mungesë të qartësisë në komunikim mes palëve dhe klubi nuk ishte plotësisht në dijeni të pasojave të veprimeve të tij. Duke marrë parasysh rrethanat dhe për të ruajtur stabilitetin e kampionatit Korean, federata vendosi që të mos anulohen rezultatet e ndeshjeve ku ka luajtur lojtari i regjistruar në mënyrë të paligjshme, dhe nuk do të aplikohen masa shtesë ndëshkuese, siç janë zbritjet e pikëve apo përjashtimet. Kjo lëvizje u pa si një vendim që përpiqet të balancojë respektimin e rregullave ndërkombëtare me ruajtjen e ekuilibrit sportiv në ligën vendëse.
ASANI NË QENDËR TË VËMENDJES Pavarësisht se nuk ka pasur asnjë shkelje nga ana e tij, Jasir Asani, sulmuesi anësor i Kombëtares shqiptare, është përmendur në dokumentacionin e FIFA-s si lojtari për të cilin u shkaktua shkelja. Ai u transferua te Guangju në fillim të vitit 2023 dhe pati një ndikim të madh në performancën e skuadrës në kampionat. Asani është një nga lojtarët më të spikatur të Kombëtares shqiptare në vitet e fundit dhe ka fituar popullaritet të madh në Korenë e Jugut për stilin e tij të shpejtë dhe golat nga distanca me këmbën e majtë. Megjithatë, rasti në fjalë tregon se edhe transferimet që përfshijnë lojtarë të nivelit të lartë, mund të kenë pasoja kur nuk respektohen të gjitha detajet ligjore dhe financiare.