Java e Europës 19 deri më 31 maj, BE-ja hap thirrjen për artistët! Roli i artit për përparimin e vizionit kulturor e social të Europës

Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri fton regjisorët, aktorët, muzikantët, koreografët, kërcimtarët, artistët vizualë, konceptualë dhe krijuesit ndërdisiplinorë për të sjellë në jetë idetë e tyre gjatë Javës së Evropës 2025, që do të zhvillohet nga data 19 deri më 31 maj.

 

Zyra e BE-së në Tiranë, publikoi dje në rrjetet sociale thirrjen për të gjithë artistët shqiptarë, që të aplikojnë për t’u bërë pjesë e Javës së Evropës 2025. Përmes një sërë aktivitetesh artistike që përfshijnë disiplina të shumta, java synon të mëkojë prodhimin dhe performancën artistike dhe angazhimin e komunitetit, duke frymëzuar dhe lidhur komunitetet vendore në mbarë Shqipërinë.

Këto aktivitete duhet të paraqesin rolin jetik të artit për përparimin e vizionit kulturor dhe social të Evropës. Për këtë arsye, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri fton artistët dhe aktorët kulturorë shqiptarë të bëhen pjesë e programit të Javës së Evropës këtë vit, duke dorëzuar propozime për krijime artistike në disiplina të ndryshme. Këto propozime duhet të pasqyrojnë në mënyrë origjinale aspiratat e popullit shqiptar për integrim në BE dhe vizionin e tyre lidhur me kuptimin e BE-së, duke festuar këndvështrimet e ndryshme dhe shprehjet artistike që i paraqesin shqiptarët si pjesë integrale të BE-së.

“Çdo artist që kërkon një skenë për të shfaqur krijimtarinë e tij këtë vit, Java e Evropës 2025 do të jetë hapësira për të krijuar në: Performanca teatrore; të muzikës live; ekspozita të artit pamor ose konceptual; performancat e dansit bashkëkohor; ekspozita ose performanca artistike ndërdisiplinore,” njofton Zyra e BE-së në Tiranë. BE ndau në rrjete sociale linkun: https://bit.ly/4103KqY, për detaje më të plota, teksa njoftoi se të gjitha kostot e performancës janë të mbuluara dhe aplikimet janë hapur deri në datën 3 mars 2025, me e-mail: [email protected]. Propozimet e përzgjedhura do të shpallen në 7 mars 2025 në rrjetet sociale të BE-së. Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri feston çdo vit Ditën e Evropës dhe Deklaratën Historike të Schuman të vitit 1950, e cila hodhi themelet e BE-së. Java e Evropës promovon vlerat e BE-së, angazhon qytetarët dhe thekson arritjet e BE-së përmes veprimtarive dhe aktiviteteve të ndryshme. Shfaqjet kulturore, seminaret dhe nismat edukuese mëkojnë bashkimin në diversitet, ndërgjegjësojnë lidhur me BE-në, dhe frymëzojnë pjesëmarrje, veçanërisht tek të rinjtë. Duke theksuar demokracinë, të drejtat e njeriut dhe qëndrueshmërinë, forcohen partneritetet dhe theksohet angazhimi i BE-së për përparim të përbashkët.

koko

Artikulli paraprakSkemat e mashtrimit me mikrokreditë, një nga të akuzuarit kërkoi lirimin nga qelia! Ja vendimi që mori GJKKO
Artikulli tjetërProtestat në Serbi, komisionerja për Zgjerim në BE bën thirrje të hetohet dhuna ndaj demonstruesve