Java e fundit e afatit kalimtar të verës për ligat më të mëdha të Evropës – përveç Premierligës – mund të sjellë ndryshime të mëdha në disa klube.
Gjashtë ditë, 144 orë… dhe 600 milionë euro në pritje për t’u shpenzuar. Kjo është java e fundit në afatin kalimtar të verës për shumicën e ligave të Evropës – përveç Premierligës, ku afati kalimtar u mbyll më 8 gusht, shkruan AS.
Në listën e futbollistëve që po e presin fundin e këtij afati kalimtar për ta qartësuar të ardhmen e vet përfshihen edhe Neymari, Rodrigo, Pogba, Correa, Mariano, Rakitic… Të hënën e ardhshme në 23:59, të gjitha dyshimet do të bëhen realitet.
Deri më tani, klubet spanjolle kanë shfaqur fuqi të madhe ekonomike e deri më tani Real Madridi e kryeson listën. Klubi madrilen i ka shpenzuar 298 milionë euro e ndiqet nga Barcelona me 355 milionë, pastaj Atletico me 243 milionë.
Klubet angleze nuk mbeten shumë prapa spanjollëve: Manchester City (168), Manchester United (159), Arsenal (152) dhe Aston Villa (148). Juventusi (188) dhe Interi (138) janë dy klubet italiane që kanë shpenzuar më së shumti, përderisa PSG-ja, nën vëzhgimin e FFP-së së UEFA-s, i shpenzoi vetëm 80 milionë euro.
Por, ende mbetet një shumë e madhe parash që mund të shpenzohen para se të mbyllet afati kalimtar. Nuk është e paarsyeshme të mendohet se 600 milionë euro mund të shpenzohet gjatë këtyre gjashtë ditëve të fundit.
Pogba vazhdon të vlejë 170 milionë euro, ndërsa për Neymarin, përkundër që nuk dihet çmimi i tij i saktë, vazhdojnë të jenë të interesuar Real Madridi dhe Barcelona.
Atletico Madrid pritet ta marrë Rodrigon për 60 milionë euro, duke ia lënë Correas derën e hapur për t’u transferuar në Milan për 50 milionë euro.
Real Madridi shpreson se do t’i marrë 20 milionë euro për Marianon, përderisa Rakitici, që ishte në stol për ndeshjen kundër Betisit, mund t’ia sjellë Barcelonës 50 milionë euro.