Java vendimtare e qeverisë së Kosovës

Qeveria e Kosovës përballet këtë javë me dy sfida: procedimin në Kuvend të marrëveshjes së demarkacionit dhe votimin në Kuvend të mocionit të opozitës për rrëzimin e qeverisë Mustafa.
Qeveria e Kosovës nuk arriti ta procedojë për në Kuvend marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, megjithë paralajmërimin e kryeministrit Isa Mustafa, se kjo do të ndodhte këtë të hënë (08.05). Vendimi për ditën e procedimit në Kuvend të marrëveshjes së demarkacionit pritet të merret ndërmjet dy partnerëve kryesorë të koalicionit, PDK-LDK. Në një njoftim të qeverisë së Kosovës, thuhet se, “pas diskutimeve të partnerëve të koalicionit qeverisës PDK-LDK, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u arrit dakordimi që mbledhja e kabinetit qeveritar, ku do të shqyrtohet projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për kufirin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, të mbahet pas seancës së Kuvendit të Kosovës, ditën e mërkurë”, datë (10.05). Në këtë ditë do të votohet edhe mocioni i mosbesimit i opozitës për rrëzimin e qeverisë Mustafa.

Qeveria shpreh përkushtimin
“Qeveria e Kosovës shpreh përkushtimin e saj të plotë, që në bashkëpunim të ngushtë me partnerët strategjikë ndërkombëtarë, SHBA-në dhe BE-në, të adresojë me prioritet dhe përkushtim të plotë çështjen e ratifikimit të kufirit me Malin e Zi, si një prej vendimeve më të rëndësishme për të ardhmen e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës”, thuhet në kumtesë.
Marrëveshja për demarkacionin po kundërshtohet ashpër nga opozita, si dhe një numër i deputetëve nga partitë në pushtet. Opozita thotë se me nënshkrimin e këtij versioni të demarkacionit Kosova humb mbi 8 mijë hektarë tokë.
Në fundjavë, kryeministri Mustafa, njoftoi se ka pasur një telefonatë me zëvendësndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, Hoyt Yee, ku është “diskutuar për nevojën që të procedohet pa vonesë në Kuvend projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, si një prej marrëveshjeve më të rëndësishme për vendin”. “Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Yee, e konsideroi vendim të duhur adresimin e kësaj çështjeje të rëndësishme për Kosovën dhe qytetarët e saj, duke shprehur bindjen se kjo marrëveshje do të votohet nga të gjithë deputetët e Kuvendit”, u tha në njoftimin e qeverisë së Kosovës.

Koalicioni në krizë
Çështja e demarkacionit duket se ka lëkundur partnerët e koalicionit PDK-LDK. Ata po kritikojnë njëri-tjetrin për mungesë të rezultateve. Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, që është edhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se partia e tij udhëheq një qeveri të pakorruptuar. “Në qoftë se qytetari i Kosovës dëshiron të ketë qeveri të pakorruptuar, në qoftë se qytetarët e Kosovës duan të kenë ministra të pakorruptuar, në qoftë se qytetarët e Kosovës dëshirojnë të kenë ministra që e dinë punën e vet dhe që e bëjnë punën e tyre, një qeveri që ka marrëdhënie shumë të mira me institucionet e Bashkimit Evropian, me SHBA-në, me institucionet financiare ndërkombëtare, atëherë ata e dinë zgjedhjen e tyre”, tha Isa Mustafa.

Boks poshte fotos

PDK akuza ndaj LDL
Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës akuzon Lidhjen Demokratike për nxitim në çuarjen në Kuvend të marrëveshjes për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, pa garanci, se mund të sigurojë votat e deputetëve të saj. Kryetari i Partisë Demokratike, Kadri Veseli, që është edhe kryetar i Parlamentit të Kosovës, tha se kryeministri Mustafa duhet të sigurojë së pari votat e partisë së tij për demarkacionin. “Unë shpresoj se LDK-ja do t’i sjellë 33 nënshkrime të grupit parlamentar. Në të njëjtën kohë, në momentin që LDK-ja është e gatshme me 33 nënshkrime, do t’i sjellim edhe ne 36 nënshkrimet tona dhe i kemi mundësitë të mbajmë një seancë të jashtëzakonshme”, tha Kadri Veseli.
Këtë situatë analistët e cilësojnë si një gjendje të paqëndrueshme politike në Kosovë. Ramush Tahiri i tha “DW”, se presioni mbi LDK po shtohet edhe nga partneri i koalicionit PDK, përderisa kjo e fundit nuk deklarohet publikisht nëse e përkrah ose jo mocionin e mosbesimit të opozitës. “Qëndrimi i PDK-së në kundërshtim me marrëveshjen e koalicionit qeverisës, që palët nuk përkrahin mocionin e votëbesimit të qeverisë, po kuptohet si presion mbi LDK dhe opinionin. Një lloj shtensionimi do të ishte sikur PDK të deklarohet sot, se nuk e përkrah mocionin për votëbesimin e qeverisë. Korrekte do të ishte edhe sikur PDK tash të deklarohet për prishjen e koalicionin me LDK. Miqtë ndërkombëtarë, zyrtarët e SHBA-së, u deklaruan për detyrat që ka për t’i kryer ky koalicion qeverisës: demarkacioni, asociacioni, reforma, lufta kundër krimit dhe korrupcionit. Duket se po presin që Kryeministri të japë dorëheqjen”, thotë Ramush Tahiri.
Çështja e demarkacionit me Malin e Zi, e nënshkruar në vitin 2015, ka nxitur përplasje të thella ndërmjet pozitës dhe opozitës në Kosovë. Mospajtimet rezultuan me protesta dhe dhunë në Kuvendin e Kosovës dhe jashtë tij, ndërmjet kundërshtarëve të versionit aktual të demarkacionit dhe Policisë së Kosovës. Ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, është kusht për Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave. Kosova është i vetmi vend në Ballkan që ka regjim vizash.

Artikulli paraprakPutin dërgon mesazh për Perëndimin
Artikulli tjetërSHBA, thirrje për demarkacionin