Ashtu siç është shprehur edhe kreu i FSHF-së, Armand Duka, kjo është java ku do të ulet me trajnerin Silvinjo për t’i komunikuar rinovimin e kontratës dhe kushtet e përfshira në të. Nga ana e federatës ka një simpati dhe do të kërkohet që braziliani të vijojë në drejtimin e kuqezinjve, ndërkohë pritet të shihet qëndrimi i Silvinjos dhe pretendimet e tij, nëse gjithmonë do të ketë. Ai mbërriti në Tiranë për të zëvendësuar Edi Rejën në janar të 2023-shit dhe në stafin teknik përfshiu edhe dy emra të tjerë, Pablo Zabaletën dhe Dorivën.
Fushata kualifikuese ishte perfekte, duke shënuar një rekord, ku ekipi kombëtar përfundoi për herë të parë si kokë grupi, duke lënë pas Çekinë dhe Poloninë. Ndërkohë, në Europian paraqitjet ishin deri diku pozitive, duke parë kundërshtarët që ishin përballë, si dhe eksperiencën e pakët që shumica e lojtarëve kishin, përfshi këtu edhe stafin teknik, e sakaq, vend për tu përmirësuar ka gjithmonë. Pritët të shihet nëse Shqipëria do të drejtohet ende nga Silvinjo, ku Liga e Kombeve vjen shumë shpejt, pasi në fillim të muajit shtator, do të luhet me Ukrainën, ndërsa në avancë janë kualifikueset e Botërorit, ku pjesëmarrja do të ishte diçka historike për vendin tonë.
Pritët të shihet se me çfarë mendje do të kthehet nga pushimet Silvinjo, a ia ka “prishur mendjen” ndonjë ofertë nga Spanja, Portugalia apo Brazili? Me kuqezinjtë këtë herë flitet për një rinovim dy vjeçar i cili mund të ketë kosto financiare, por mund të kemi sërish një “financim” nga qeveria shqiptare, e cila kaloi 700 milionë lekë të vjetër para 1 viti e gjysmë drejt FSHF-së për të mbuluar rrogën e Silvinjos.