Futbollistëve të Barcelonës nuk u ka pëlqyer edhe aq shumë arbitrimi i Bjorn Kuipers gjatë ndeshjes kundër Juventusit. Edhe pse të gjithë e cilësuan si mëse të merituar barazimin e bardhezinjve në “Kamp Nou” dhe kalimin e tyre në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve, pamjet filmike të mbledhura nga televizionet spanjolle tregojnë qartësisht se gjatë ndeshjes, katalanasit kanë qenë shumë shpesh polemikë me vendimet e tij, duke mos kursyer protestat apo edhe fyerjet.
Lojtari më “aktiv” në këtë aspekt ishte uruguajani Luis Suarez. Ai kërkoi disa herë faulle nga gjyqtari dhe kur ky i fundit nuk i akordonte, shpërthente në fyerje ndaj tij. Sipas emisionit televiziv “El Chiringuito”, mes fyerjeve kishte edhe shumë të rënda, të tipit “ti je një lëpirës m…”, situata të cilat mund të sjellin edhe masa disiplinore për sulmuesin e Barcelonës.
Bjorn Kuipers ka një precedent të vjetër me Luis Suarez, pasi ai nuk pa një kafshim të uruguajanit kur ishte futbollist i Ajaksit dhe në vitin 2010, “testoi” kafshimet, duke i dhënë një tillë kundërshtarit të PSV-së, Otman Bakal.
Ndonëse ngjarja ndodhi para syve të Kuipers, ky i fundit nuk e ndëshkoi sulmuesin, i cili u bë i famshëm për shfaqje të tilla problematike gjatë karrierës së tij.
Ndërkohë, lojtarët e Barcelonës kanë qenë pjesë e karikaturave të shumta gjatë ditës së djeshme, pas eliminimit nga Liga e Kampionëve. Një e tillë është bërë edhe nga “Eurosport”, ku kanë paraqitur treshen sulmuese: Mesi, Suarez e Beymar si dhe trajnerin Alegri, transmeton “Gazeta Express”.
“Eurosport” i ka araqitur në këtë karikaturë treshen e quajtur MSN si minj, të cilët nuk arritën të shënojnë asnjë gol në dy ndeshje ndaj Juves. “Zonja e Vjetër” u kualifikua në gjysmëfinale falë fitores 3:0 javën e kaluar, që ishte edhe rezultati i përgjithshëm i dy ndeshjeve, pasi ajo kthyese në “Camp Nou” përfundoi 0:0.
Edhe Goal.com ka publikuar karikaturën e ditës, ku personazhe kryesore janë MSN e Barcelonës dhe Georgio Chiellini, Leonardo Bonucci dhe Gianluigi Buffon të Juventusit. Kjo treshe arriti që në dy ndeshje të ndalë Barcelonën, duke mos e lejuar që të shënonte as edhe një gol.