Evenimentet e fundit politike rumune përfaqësojnë një refleks të krizës gjeopolitike globale që është manifestuar në fazën finale të fushatës elektorale amerikane dhe pas zgjedhjes së Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Motivi është i lehtë për t’u kuptuar: gjatë 10 viteve të fundit, të paktën në planin e deklarimeve zyrtare, Rumania ka qenë nxënësi i urtë i interesave gjeopolitike amerikane në Europë dhe në botë. Kjo situatë ka qenë shumë evidente në rastin e zgjedhjeve amerikane, kur shumica e analistëve të politikës së jashtme dhe të gjeopolitikës që shfaqeshin në hapësirën publike dukej se e përjashtonin deri në momentin e fundit zgjedhjen e Trump. Qenë të qarta shpresat e këtyre analistëve që Trump do t’i pengohej marrja e drejtimit të ekzekutivit, ndoshta në momentin e fundit, për një ndryshim të opinionit të votuesve. Zgjedhjet legjislative rumune, të mbajtura më 11 dhjetor 2016, kanë përkuar me periudhën e ndryshimit presidencial në Shtetet e Bashkuara. Praktikisht, janë mbajtur midis zgjedhjes “popullore” të Trump (9 nëntor) dhe zgjedhja e tij nga ana e 538 “zgjedhësve të mëdhenj” (19 dhjetor).
Me këtë evolucion në sfond, në Rumani zgjedhjet janë fituar kategorikisht nga PSD-ja (Partia Social Demokrate); bashkë me një parti të orientimit liberal, ALDE-në dhe me Bashkimin Demokratik të hungarezëve të Rumanisë, PSD-ja ka arritur të formojë në Parlament një koalicion të qëndrueshëm, që i ka dhënë qeverisë Grindeanu 295 vota kundrejt 133 votave të opozitës. Opozita është formuar nga PNL-ja (Partia Liberal Kombëtare, me besnikëri presidenciale, por jo në totalitetin e anëtarëve të saj), nga USR-ja (Bashkimi Shpëtoni Rumaninë, një parti dukshëm antisistem, shumë e kapur pas vlerave të “shoqërisë së hapur” të promovuar nga rrjetet e tipit sorosian) dhe nga PMP-ja (Partia Lëvizja Popullore, e drejtuar nga ish-Presidenti Traian Basescu).
E instaluar në pushtet në mënyrë qartazi solide, qeveria Rindeanu ka përjetuar momentet e para të kontestimit të dhunshëm nga ana e Presidentit Klaus Johannis, i cili ka tentuar, për më tepër pa sukses, që ta përçajë koalicionin qeveritar, duke dëshiruar që të favorizojë lindjen e një qeverie të re, të afërt me vizionin e tij të gjërave. Ish-qeveria e Rumanisë, e drejtuar nga Dacian Ciolos, ishte një model për Presidentin rumun: ishte shumë i pëlqyer në Bruksel (Dacian Ciolos kishte qenë komisar europian për Bujqësinë midis 2010 dhe 2014) dhe ishte thirrur “qeveri teknokratike”, duke qenë një amalgamë e interesave të BE dhe SHBA, me disa përjashtime që konfirmonin rregullin.
Qysh nga fillimi, qeveria Grindeanu është parë si një qeveri me frymëzim ndryshe. Më shumë “populiste” dhe (pothuajse) sovraniste, në kuptimin e Viktor Orbanit, qeveria aktuale ka qenë objekt i një kontestimi analog me atë që ka pasur si objektiv Kryeministrin hungarez. Vektori kryesor i sulmit kundër qeverisë aktuale është “korrupsioni”, i të cilit PSD-ja do të ishte fajtori kryesor. Parti me strukturë masive dhe territoriale të mirëpërcaktuara dhe trashëgimtare, në një masë të caktuar, e strukturës së kuadrove të ish-partisë–shtet PCR (Partia Komuniste rumune), sot PSD-ja paraqet karakteristika konservatore, edhe pse deklarohet e majtë.
Vektori i dytë i sulmit, më pak i theksuar, por gjithsesi evident, bazohet mbi atë që quhet “antioskidentalizmi” i qeverisë aktuale. Ky term bart domethënie të ndryshme: analistët e deklaruar atlantistë janë shprehur të preokupuar për sa i përket orientimit gjeopolitik të qeverisë aktuale të Bukureshtit: dyshimi rreth ekzistencës së tendencave të caktuara “drejt Lindjes” në orientimin e koalicionit aktual është në rend të ditës. Konteksti është dukshëm më i gjerë dhe hapësira nuk na mundëson që të futemi në hollësira. Megjithatë, kalimthi mund të kujtojmë disa elemente: kreu i ekzekutivit që i ka paraprirë qeverisë Ciolos, Victor Ponta, shefi i PSD-së, është dyshuar gjithmonë për “lidhje të rrezikshme” me Kinën dhe me Turqinë (Victor Ponta dhe Erdogani duket se janë miq), si edhe me Rusinë e Putinit. Calin Popescu-Tariceanu, shefi i ALDE-së dhe ish-Kryeministër, më 2006 ka shkaktuar në shtyp një skandal të madh kur ka propozuar tërheqjen e trupave rumune nga Iraku, ku natyrisht që ndodheshin përkrah trupave amerikane. Një orientim politik i kësaj natyre sigurisht që nuk mund të pëlqehej nga hegjemoni absolut i Rumanisë, domethënë nga Shtetet e Bashkuara. Sot, duke qenë Calin Popescu-Tariceanu President i Senatit (praktikish posti nr. 2 i shtetit) dhe duke qenë një prej aktorëve kryesorë politikë të brendshëm, këto histori riaktivizohen.
Ama një gjë duhet nënvizuar: sulmet në adresë të qeverisë kanë shpërthyer menjëherë pas vizitës së delegacionit të PSD-së në Shtetet e Bashkuara, me rastin e pranimit zyrtar të mandatit presidencial nga ana e Donald Trump.
Veç kësaj, sot hyn në skenë edhe ai që mund ta quajmë “faktori gjerman”. Në këtë moment, Presidenti Klaus Johannis duket një lloj përfaqësuesi i interesave gjeopolitike gjermane në Rumani. Nga ana tjetër, deri në një pikë të caktuar, kjo mund të shpjegojë: pas zgjedhjes së Trump, rrjetet amerikane me orientim për më tepër sorosian kanë qenë më diskrete. Ka mundësi, duke synuar mbi një tërheqje relative të soft-power amerikan nga Rumania, Gjermania është ndjerë e inkurajuar që të mëshojë mbi marsh dhe të marrë në dorëzim filozofinë e përgjithshme të këtyre rrjeteve, e cila mund të sintetizohet në formula që janë bërë mantra të vërteta të luftës politike: “vlera europiane perëndimore” dhe “antikorrupsion”. Manipulimi duket se është deri më i fuqishëm se ai i ushtruar nga amerikanët: nëse “vlerat euroatlantike” të çonin në Tokën e Premtuar amerikane, “vlerat europiane” kanë një status ambig, nga momenti që miliona rumunë ndodhen tashmë në Europë (përfshi Gjermaninë), kompani të shumta gjermane kanë bërë tashmë investime në Rumani (veçanërisht në Transilvani) etj. Një veçanti pak e njohur, por që pasuron kuadrin e situatës rumune: shtypi ka spekuluar mbi faktin që gjatë fushatës elektorale presidenti aktual i vendit është mbështetur nga Michael Schmidt, një biznesmen i lidhur me Automobile Bavaria dhe i martuar me motrën e një personaliteti politik të Republikës së Moldavisë i afërt me Kremlinin, të quajtur Renato Usatii!
Faktori rus mund të përfshihet në këtë përmbledhje të shkurtër të ngjarjeve rumune. Ndryshimi kryesor në marrëdhëniet midis Bukureshtit dhe Moskës ka qenë ardhja e një ambasadori të ri të Federatës ruse në kryeqytetin rumun, zotin Valerij Kuzmin. Ky diplomat ka qenë më parë ambasador në Republikën e Moldavisë dhe ka fituar një familjaritet të caktuar me çështjet rumune. Pjesa më e madhe e analistëve ka theksuar se, caktimi i Kuzminit nga ana e Kremlinit si ambasador në Bukuresht do të shkaktojë një ftohje të marrëdhënieve midis dy shteteve. Ky opinion bazohej mbi pozicionet e marra nga diplomati rus në Kishinjau, pozicione të etiketuara si “antirumune”. Pavarësisht kësaj, gjërat janë shumë më tepër të sfumuara nëse vërehen nga afër. Politikani i parë rumun që ka komentuar ardhjen e Kuzminit ka qenë ish-Presidenti hiperatlantist Traian Basescu. Në kundërshtim nga sa pritej, Basescu ka qenë mjaft optimist! Pak a shumë, ai ka thënë: “Ajo që ne nuk kemi arritur të bëjmë me Malginovin (ish-ambasadori rus në Bukuresht), ndoshta do të arrijmë ta bëjmë me Kuzminin!”. Kjo deklaratë e habitshme e një ish-Presidenti atlantist, të bëra lidhur me një ambasador rus të kataloguar në thelb si “armiqësor”, duhet të bëjë të reflektojmë: shpesh retorika politike nuk bën gjë tjetër veçse fsheh realitete më të thella, të cilat dalin në dritë kur është e mundur…
Veç kësaj, në rastin e manifestimeve aktuale të protestës kundër qeverisë (duhet thënë se ekziston edhe një lëvizje më dinamike proteste kundër Presidentit dhe mbështetjeje ndaj qeverisë), diplomacia ruse, zakonisht shumë e matur në pozicionet lidhur me problemet e brendshme të Rumanisë (kohët e fundit pozicionimet e vetme të marra nga diplomacia ruse kishin të bënin me veprimet e NATO-s në territorin e vendit, sidomos instalimi i mburojës antiraketore amerikane në Deveselu), ka manifestuar një interesim të veçantë dhe i ka transmetuar një mesazh diskret mbështetjeje qeverisë Grindeanu.
Të gjitha këto evolucione janë koherente me dinamikën e paprecedent që karakterizon gjeopolitikën europiane dhe globale të kohëve të fundit. Përshpejtimi gjeopolitik global pas grushtit të shtetit të dështuar në Turqi dhe pas zgjedhjes së Donald Trump nuk mund të mos e përfshinte edhe Rumaninë. Duke u ndodhur mbi vijën e rrezikshme të kufirit midis NATO-s dhe hapësirës ruse, Rumania po bëhet, me hir apo me pahir, një leksion përgatitor për atë që do të jetë bota e nesërme multipolare.
(Nga Estica)
Përgatiti:
ARMIN TIRANA