“Jemi të vendosur të mbrojmë territorin e NATO-s” – Kancelari Merz pas vendosjes së trupave gjermane në Evropën Lindore: Lituanezët mund të mbështeten te Gjermania

Gjermania dhe partnerët e saj “janë të vendosur të mbrojnë territorin e NATO-s kundër çdo agresioni”, theksoi kancelari Friedrich Merz nga Vilniusi, ku, në një gjest simbolik, viziton forcat gjermane në krahun lindor të Aleancës.

 

“Revizionizmi agresiv i Rusisë kërcënon jo vetëm sigurinë e Ukrainës, por edhe atë të Evropës dhe të hapësirës euroatlantike”, deklaroi Merz, duke theksuar se situata në rajonin e Balltikut mbetet “shumë e tensionuar”.

“Ju mund të mbështeteni te ne. Siguria e aleatëve tanë është edhe siguria jonë”, i tha ai presidentit lituanez Gitanas Nausėda. Të dy liderët, bashkë me ministrat e Mbrojtjes të të dy vendeve, do të vizitojnë më vonë trupat gjermane të vendosura në Lituani.

“Nuk ka pasur kurrë një vendosje më të madhe dhe më të qëndrueshme të Bundeswehr-it në Evropën Lindore. Dhe dua t’ia bëj këtë të qartë botës: Të dashur lituanezë, mund të mbështeteni te Gjermania”, u shpreh kancelari.

Në Lituani, që nga viti 2023, janë vendosur gradualisht rreth 4.800 ushtarë të Bundeswehr-it dhe 200 punonjës civilë, të cilët do të qëndrojnë atje të paktën deri në vitin 2027, me qëllim forcimin e krahut lindor të NATO-s dhe parandalimin e një agresioni të mundshëm rus.

Për herë të parë, Gjermania ruan një bazë kaq të madhe ushtarake jashtë vendit, por Ministria gjermane e Mbrojtjes vlerëson se pozicioni gjeografik i Lituanisë e bën atë “shtetin më të cenueshëm në anën lindore të NATO-s”. Për shkak të kërcënimit rus, qeveria lituaneze njoftoi në janar se do të rrisë shpenzimet e saj për mbrojtjen në 5-6% të PBB-së deri në vitin 2030.

Artikulli paraprakZYRTARE/ E papritur për fituesin e Topit të Artë, Real Madrid konfirmon vendimin përfundimtar për Modriç
Artikulli tjetërAkuzohet si i përfshirë në vrasjen e ish-policit Santiago Malko! Gjykata e Lartë prish vendimin e Apelit të GJKKO për Blendi Tetën, rikthen dosjen për gjykim