Jeta dhe vdekja në Kamëz, midis kryeqytetit dhe traditës së qëmotit

Të rinj. Të bukur. Nën veshje t’lira. Të pastër. Të qeshur. Shëndetmirë. Të gjallë. Të zhurmshëm. Të thjeshtë. Ëndërrimtarë… Këto janë tiparet e menjëherta që një i panjohur has në takimin e parë me nxënësit e shkollës “100 Vjetori” në Kamëz, rreth 7 kilometra larg qendrës së Tiranës.
Shkolla ndodhet në të djathtë të një rruge të madhe, që kryebashkiaku i qytetit e ka quajtur Bulevardi “Blu” për të përjetësuar besnikërinë me ngjyrën e partisë që e mbështeti. Me një kapilaritet urban të çrregullt shpërndahen që andej dhjetëra rrugëza me emrat e pothuaj të gjitha kryeqyteteve të botës, e ku banojnë të ndara komunitetet e zbritura nga skajet e Shqipërisë që prej fillimit të viteve ’90.
Në njërën nga këto rrugë, Sulltana Daci, 51-vjeçare nga Lura mundohet të shtyjë jetën e saj të vështirë pas vdekjes së të shoqit brenda mureve të mbushura me fotografi dervishësh dhe montazhe bektashinjsh.
Sulltana e ka ndarë mendjen se tashmë do të bëjë vetëm jetë fetare.
“Nuk kam më jetë. Tashmë ajo që lidhet me mua është vetëm teqeja”, thotë. “E nuk më duhet se ç’bëjnë në Tiranë. Kemi zakonet tona dhe respektoj vetëm ato. Jam nuse Kukësi”, e mbyll ligjërimin me fjalorin e saj të kufizuar.
Nusja e të birit e ndjek nga pas derës së kuzhinës, pa folur asnjë fjalë. Nuk del nga shtëpia, derisa t’i vijë burri nga emigracioni. Pazaret i bën e vjehrra, veshur krejt me të zi. Nusja bashkon rruaza dhe kjo përbën argëtimin e vet, por edhe kumton shenjën sesi e ruan traditën e vendit nga ka ardhur. I biri që nuk i ndahet i tregon revolen-lodër kujtdo që kalon derën e shtëpisë.
Jashtë shtëpisë së Sulltana Dacit, një dron mund të shquajë një mozaik kaotik shtëpish- që nga jerevitë deri ato shumëkatëshe, të cilat rrethohen nga vargmali që vjen nga Kruja dhe e ndan Bathoren si me thikë nga zona veriore prej nga kanë zbritur një pjesë e mirë e banorëve të saj.
Secila nga shtëpitë ruan diçka tradicionale që të mos i jepet krejt Tiranës. Ndërsa brezi mbi 60-at e mbart me vete krahinizmin përmes formës së lidhjes së shamive, dimitë, xhamadanët, qeleshet, plisat, rupat, brezat e mesit.
Halil Lala, 70 vjeç e bën mikpritjen sikur të jetë në shtëpinë e tij në Dibër. Gruaja e tij e ka ruajtur veshjen tradicionale dhe gjatë ditës, secili është i ndarë në punët ditore të stinës.
“Jemi të kujdesshëm për zakonet tona. Po humbëm ato zëre se kemi vdekur për së gjalli. Të rinjtë kanë qenë në emigracion, por edhe ata bëjnë zakonet në shtëpi”, thotë i moshuari.

“Mos harro se nga vjen”!

Zona e Kamzës ka përjetuar rritjen më të vrullshme të popullsisë mes viteve 1989-2001, duke numëruar mbi 104 mijë banorë sipas Censusit 2011. Megjithatë, më shumë se dy dekada pas këtyre zhvillimeve, banorët udhëhiqen ende nga rregullat e vjetra fisnore që mbizotëronin në fshatrat, komunat dhe qytetet prej nga ata erdhën.
Pjesa më e madhe pretendohet se janë me origjinë nga Kukësi dhe Dibra, ndërsa një numër gjithashtu i madh vjen nga Tropoja, Puka dhe Mirdita. Kjo ka bërë që zona kaq shumë e populluar vetëm 7 kilometra larg nga Sheshi Skënderbej të ketë gati një përfaqësim matematik nga i gjithë peizazhi demografik i veriut të vendit, por edhe nga jugu.
Pinjollët e rinj të këtyre familjeve përpiqen që gjatë ditës t’i shpëtojnë përkohësisht sistemit në bazë të lidhjeve të vjetra fisnore dhe rurale, ndërsa janë integruar në jetën e bashkëmoshatarëve të tyre vendas.
Megjithatë, kjo ngarkesë e madhe e traditave nxjerr krye shpesh në shkollën “100 Vjetori” në Kamëz, ku mësojnë një pjesë e mirë e brezit të tretë.
“Shumica e sherreve të adoleshentëve dhe disa kanë qenë gati fatale bëhen në bazë lokalitetesh. Që do të thotë tropojanët zihen me kuksianët dhe dibranët. Këta të fundit me mirditorët”, thotë një mësues.
Fëmijët kalojnë gjysmën e ditës në këtë përballje traditash, ndërsa në shtëpi i pret një realitet i patrazuar prej kohësh të largëta. Shumë syresh i kanë të ngulitura thellë në kokë porositë e prindërve për çdo mëngjes: Kujdes, mos harro se nga vjen! Mos luaj me ata! Ata s’kanë zakonet tona. Mos u përzje me myslimanë! Ata janë fëmijët e fiseve të tjera.
“Prindërit më thonë të kem kujdes, mos të përzihem me myslimanët”, thotë një vajzë me origjinë nga Mirdita, që më pas shikon shoqen e vet nga Kukësi dhe qesh. Kjo e fundit rrudh buzët, shenjë mospëlqimi, por edhe çapkënerie për shoqen e saj me të cilën ndan thuajse gjithë ditën.
Kujdes me kë shoqërohesh! Ata janë të pabesë! Nuk kanë zakonet tona. “Mos vish xhinse të grisura”. “Kujdes, jo fundin sipër gjurit”, rendit porositë një tjetër nxënëse nga Dibra.
“Problemi është sa të kalosh rrugën”, më thotë një djalë. “Pastaj mund të bësh ç’të duash. Prindërit e kanë të vështirë të mësohen me zakonet e Tiranës, paçka sa u pëlqen dhe punët që kanë zënë atje i kanë ndryshuar”.
Më shumë se Tirana fqinje, ndryshimi në këtë zonë vjen nga emigracioni. Por edhe në emigrim, vendasit kanë lakmuar zona që përshtaten me traditat e tyre.
Familja e djalit të Halil Lalës e gjeti veten në Kretë për 15 vjet.
“Atje zakonet ishin si tonat. Kretanët ishin të pagojë dhe shumë besnikë. Na dukej vetja si në zonën tonë”, thotë nusja. “Megjithatë, aty pamë sesi tradita që ruhet në fshat nuk shkon aq shumë me qytetin, ani të dyja mbijetojnë”, shton ajo.
Në Kamëz, gratë e vjetra mbajnë ende xhamadanin dhe dimitë. Vendasit kremtojnë Shën Gjergjin më 6 maj dhe atë të dimrit më 6 dhjetor. Bërja e festave dallon fiset apo komunitetet se cili është më i respektuar. Sa më thjeshtë, por edhe në rregull të kremtohen festat, aq më shumë diferencë nderi ke me të tjerët.
Respektimi i këtyre ligjësive sjell rivalitete mes të rinjve.
“Pak kohë më parë u zunë në shkollë, se njëri ishte nga një rreth dhe tjetri nga rrethi tjetër. Në shkollë kjo ndodh shpesh”, më thotë një 15-vjeçar nga Kukësi. “Por sherret më të mëdha janë pse më sheh ti mua dhe pse të shoh unë ty, por edhe për vajzat, që nuk duhet të përzihen me ata që s’janë nga vendet e tyre”, shton ai.
Vajzat ndërkohë tentojnë të jenë më të lira.
“Te shkolla tjetër e Bathores, vajzat kur vinin mbanin rroba të ngushta dhe bënin make-up. Prindërit nuk i thoshin gjë. Këtu është e vështirë. Ka rregull dhe mësuesit janë të ashpër për rregullin. Na kontrollojnë shumë shpesh”, thotë një vajzë nga Burreli.
Ndërsa të rinjtë janë të joshur nga moderniteti, s’ndodh kështu me të vjetrit. Patriarkalizmi gati burimor, zakonet e shtresuara, rudimentet e Kanunit dhe mënyra e pandryshuar e jetesës duket në marrëdhëniet vetjake.
“Më së pari martohemi mes vete. Një kuksian e ka më lehtë të martohet me një kuksian, porse një dibran e ka më lehtë me dibranin… Unë vetë, nuk do të martohem me mirditor”, thotë një vajzë me origjinë nga Mirdita.

Për dasma e vdekje

“Ne na pëlqejnë shumë dasmat”, tregon një vajzë e re me origjinë nga Kukësi.
“Vërtet na pëlqejnë. Por janë pak të rënda në këto kohë, sepse duhet të rrish një javë e veshur dhe e izoluar. Duhet të rrish veç. I kemi shumë të bukura ne nga Kukësi”.
“Të bëjnë të qash dhe të mallëngjesh të gjithë familjen”, shpotit një vajzë nga Puka. “Po ti një herë martohesh, pse nuk duhet të qash?”.
Tradita i ndan, por edhe i bashkon të rinjtë, që mundohen të tregojnë dora-dorës detaje që nuk i kanë të tjerët. Dasma shqiptare u pëlqen dhe mënyra sesi ruhet folklori tregon se të gjithë e vlerësojnë.
Në shkollë kanë bërë një mbrëmje dhe kanë veshur kostumet e krahinave të tyre, por në fund ka mbaruar me garë se cili kishte fustanet më të bukura. Esmeralda, një vajzë e re, këmbëngul se kanë zakone të bukura dhe të përbashkëta në veri, por veçon dibranët e saj.
“Dasmat bëhen ende me bajraqe. Ka bajraqe të para dhe të dyta. Kush është bajrak i parë mban dhe flamurin në dasmë, të tjerët i kanë modifikuar fare dhe nuk merakosen”, na thotë një 40-vjeçar nga Reçi i Dibrës. Sidomos për dajën, dasma është më e kushtueshme. Nipi shkon te daja për një javë, kurse daja thirret që të shtunën që të merret me dasmën.
“Mentaliteti nuk na pëlqen. Nuk duhen kaq shumë shpenzime”, kundërshtojnë vajzat.
Çuditërisht, brezi i moshuar është më tolerant me të rinjtë sesa prindërit e tyre. Këta të fundit, të përballur me jetën e vështirë nuk duan të humbasin traditat që i quajnë si një ogur të identitetit, kurse pleqtë e shijojnë me tolerancën për nipërit jetën e re në fund të rrugëtimit të tyre.
Ndryshe nga dasmat, traditat që lidhen me vdekjen nuk u pëlqejnë të rinjve. Kjo për shkak të zisë së gjatë, kushteve të vështira në respekt të të vdekurit dhe shumë e shumë gjëra të tjera.
Një pjesë e rëndësishme e këtyre traditave që lidhen me vdekjen, ata i interpretojnë me Kanunin. Që në momentet e para kur kanë ardhur, ai ka qenë kodi me të cilin janë marrë vesh mes vetes, por edhe me të tjerët.
“Janë të tmerrshme zakonet. 40 ditë zi! Veshur me të zeza”, ankohet një vajzë.
Por Sulltana Daci tregon se një grua si ajo që burri i ka vdekur herët, duhet të pajtohet me situatën. Me dy fëmijë në Greqi, Sulltana e ka zgjidhur me besimin jetën brenda mureve të shtëpisë.
“E vetmja gjë që kam në kokë është të iki në Mekë”, tha ajo për “BIRN”.

Vota shkon në origjinë

Përveç traditave, në shkollën “100 Vjetori” të Kamzës përplaset edhe paradoksi i emrave të origjinës me emrat ndërkombëtarë të rrugëve ku aktualisht banojnë.
Orsida është nga Kurbneshi dhe banon në lagjen 4 të rrugës “Buenos Aires”; një djalë nga Fushë-Kruja flet për rrugën “Berisha”; Mikaela nga Shën Mëria e Kukësit vjen nga… lagjia “Valeta”, Entela nga rruga “Londër” ndërsa Esmeralda nga Kalaja e Dodës banon në rrugën “Moxart”…
Drejtori Rasim Beluli mundohet të zbusë diferencat në këtë shkollë model ndoshta për të gjithë Qarkun e Tiranës.
“Traditat janë elementi që mban të bashkuar komunitetin, por edhe ndarja është e kuptueshme, sepse shumë syresh ruajnë identitetin”, shpjegon ai.
Zgjedhjet nuk bëjnë përjashtim nga rregulli i ruajtjes së identitetit.
Komunitetet nuk votojnë për individin, por për përfaqësuesit që vijnë nga e njëjta origjinë. “Gjyshi na thotë se sa të jetë ai gjallë, të gjithë do të votojnë për LSI, kushdoqoftë kandidati”, tregon një vajzë me origjinë nga Skrapari.
“Vijnë japin para shpesh, por ato para nuk mjaftojnë as për tre muaj”, kritikon ajo.
Kuksianët dhe dibranët ishin gjithashtu gati të përlesheshin në kohën e zgjedhjeve lokale, pasi kryetari aktual i Bashkisë është nga Dibra, ndërsa kandidati potencial ishte nga Kukësi.
Pavarësisht ndasive që i kanë rrënjët thellë në origjinë, brezi i të rinjve është bashkuar përballë një rreziku më të madh: paragjykimit që vjen nga kryeqyteti, emrave turpërues që u vendosin, papunësisë së madhe dhe veçimit social, por edhe mungesës së jetës kulturore dhe shanseve të barabarta.
Halil Lala, 70-vjeçari që na ka ndihur me vizitat në disa shtëpi, na heq udhë deri në fund.
“Duhet me bërë adetin”, thotë ai, ndërsa na përcjell drejt sinorit hipotetik që ndan Kamzën nga Tirana, edhe në këtë dimër të vitit 2017.

“BIRN”

Exit mobile version