Nga Luçiano BOÇI
Elbasani ynë, dikur i dijes, i kulturës, i luleve ka tashmë dy jetë.
Atë jetën e fasadës, jetën e kamerave, e ndriçimeve bashkiake për vit të ri, prapa së cilës fshihen vuajtjet e varfërisë e mjerimit dhe atë jetën e nëndheshme, kriminale që gëlon e që buron nga e para.
Kjo është dominantja. Ajo vendos çdo gjë, fate, karriera, jetë e që bën të pavlerë çdo institucion.
Muzika e Myzyrit është zevendësuar nga “melodia” e kallashnikovëve.
Vendin e luleve që këputeshin për bukurinë e aromën e tyre e kanë zënë jetët e këputura në mes.
Njerëzit e dijes që drejtonin dikur qytetin janë zevendësuar me dallkaukë politikë, cinikë e jo njerëzorë.
Qyteti i urtë ka marr sot damkën e qytetit të krimit.
Po policia? Po shteti? – do pyesë dikush.
Policia në Elbasan mbush letrat dhe statistikat e vdekjeve.
Misioni i saj ka përfunduar me 25 prill si shtylla kryesore e masakrës zgjedhore.
Që nga ajo datë Rama i ka dhënë pushimet.
E shumta vjel ndonjë gjobë makine ose trafiku narkotikësh. Sipas rastit.
Ndërsa çelësat e qeverisjes në Shqipëri i ka krimi dhe Rama.
Ky është stani, ky është bulmeti!