Është aktori i parë nga Europa Lindore që luajti një rol në një film hollivudian përgjatë Luftës së Ftohtë. Ai lindi në gjirin e një familjeje gjakovare në Sarajevë, ku familja e tij vuante internimin, e cila qëndroi me banim në Shkodër deri në vitin 1939. Pas pushtimit italian dhe bashkimit të një pjese të Kosovës me Shqipërinë, u zhvendosën drejt Prizrenit. Gjatë viteve 1956-1960, Bekim Fehmiu studioi në Fakultetin e Artit Dramatik në Beograd. Spikati veçanërisht në filmin “Mbledhësit e puplave” dhe menjëherë ra në kontakt me shumë shtëpi filmike ndërkombëtare.
Deri në atë kohë, ai kishte studiuar dhe ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmi nëpër botë. Ai është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, i cili ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë. Ka qenë një nga personalitetet që ka lënë gjurmë në kinematografinë ballkanike, por mbi të gjitha, ai është i madh për kontributin artistik në kinematografinë botërore. Ka luajtur një sërë rolesh, duke interpretuar në shqip, në maqedonisht, në serbisht, në turqisht, në spanjisht, në frëngjisht, në anglisht dhe në italisht. Mishërimi mjeshtëror i personazheve prej tij, do të hasej dukshëm në realizimet “Prova speciale”, “Odiseja”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vite të nxehta” dhe “Dezertori”. Fehmiu ka bashkëpunuar me emra të mëdhenj të artit filmik, si: Ava Gardner, Robert Shoè, John Huston, Dirk Bogard, Irene Papas, Claudia Cardinale etj. Bekim Fehmiu është një nga artistët më të mëdhenj shqiptarë. Nga viti 1987, kur në mënyrë demonstrative braktisi shfaqjen “Madame Kolontine” të Anete Playel, ku luante Leninin dhe Stalinin, në teatrin jugosllav të dramës, ai i dha lamtumirën aktivitetit artistik në Jugosllavi. Pas disa kohësh mori edhe vendimin për t’i dhënë fund karrierës edhe në aktivitetet artistike botërore.
Pak kohë më parë në Jugosllavi është botuar libri me kujtime i Bekim Fehmiut, “Shkëlqim dhe frikë”, në të cilin përshkruhet periudha që nga lindja e tij në Sarajevë, duke përfshirë gjithçka deri në vitin 1955, kur u pranua në teatrin e dramës së Prishtinës. Shqipërinë e vizitoi për herë të parë më 21 prill 1972, ndonëse nuk e fshehu kurrë dashurinë për vendin e origjinës. Në të gjithë hapësirën ballkanike është gati në përmasat e një miti. “Njeriu nuk duhet të fajësojë për diçka që i ndodhë as babanë as vëllezërit, as fqinjën, as perënditë, por vetëm veten. Njëra nga tragjeditë tona lidhet me atë, që duke jetuar për shekuj së bashku nuk kemi mësuar nga njëri-tjetri, por dhe kur e kemi bërë këtë kemi mësuar vetëm të keqen”, – shprehet ai. Fehmiu u gjet i vdekur në apartamentin e tij në Beograd, më 15 qershor 2010. Sipas deklaratave të para, u njoftua se ai kishte kryer vetëvrasje. Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç tha se aktori u gjet i vdekur në apartament dhe revolja ishte e regjistruar në emrin e tij. Ai ishte 74- vjeçar. U martua me Branka Petric dhe kishte dy djem.
PASAZHE NGA LIBRI ME KUJTIME, “SHKËLQIM DHE TMERR”
Nga Beogradi në Tiranë
Java e filmit shqiptar. I ftuar… Mbahej për herë të parë “Java e filmit shqiptar” në Beograd në Shtëpinë e Rinisë. Mezi arrita të shoh fundin e projektimit të njërit prej filmave. Takoj Abdurrahman Shalën, regjisorin e ri Besim Sahatçiu… Më njohën me dy regjisorë të rinj nga Shqipëria, Piro Milkani dhe Dhimitër Anagnosti.
– A do të kishit ardhur tek ne si i ftuar? – më pyet Dhimitri, ai shtatshkurtri me tipare të zeza, i cili studimet e kamerës dhe të regjisë i kishte kryer në Leningrad dhe në Moskë.
– Me shumë dëshirë, nëse më ftoni!
Atelie 212. Jam i ulur në bufe me kolegët. Hyn Borisllav Mihajlloviç – Mihizi, një nga intelektualët më të mëdhenj të vendit. “Dëgjova se do të shkosh në Shqipëri. Atje jeton një shkrimtar i madh. Quhet Ismail Kadare. Ka shkruar një roman të mrekullueshëm, ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’. Shiko nëse mund të ma sjellësh”
Erdhi ftesa që të jem i ftuar i “Kinostudios”. Ditë e zymtë. Udhëtova me atë karakatinën e JAT-it. Nga avioni mund të shihet plani urbanistik i Tiranës të projektuar në mënyrë të tillë që të mund të ndjekë rendin e fjalëve “Duçe” (kështu është quajtur Musolini). Aerodromi? Tipik për një vend të vogël dhe të varfër.
Për herë të parë në Tiranë. Procedura me kufitarët e ashpër dhe me doganierët, të cilët ngjasin me aerodromin, shkoi pa vështirësi, sepse më prisnin Dhimitër Anagnosti dhe Pirro Milkani si dhe drejtori i “Kinostudios”.
– A flisni shqip? A njihni njeri në Shqipëri që do të dëshironit të takonit?
Më ndihmuan të sistemoj valixhen time të udhëtimit në bagazhin e automjetit tip “Lada”. Gjatë udhëtimit për në Tiranë, drejtori më pyet përsëri.
– A keni ndonjë dëshirë që do të mund t’ua plotësonim sa jeni në Shqipëri?
– Kam dy. E para, t’i përcjell përshëndetjet më të përzemërta nga ana e nënës sime, bashkëshortes së Bajram Currit, Dervishe Hanëmit. E dyta, të shoh dashurinë time të parë.
U stepën.
– Ju keni një dashuri të parë në Shqipëri? Si quhet? Prej nga është?
– Nga Shkodra. Quhet Bukuroshe Tahiri. Ka një vëlla, i cili quhet Riza dhe një motër me emrin Safete.
– Mirë! Do të shohim! Më sistemuan në hotel “Dajti” në qendër të qytetit. Më pëlqeu heshtja, pa atë zhurmën e qarkullimit të automjeteve, vetëm ndonjë biçikletë. Tirana duket e bukur. Bulevarde të gjëra, me shumë lule, me pemë anash… Monumenti i Gjergj Kastriotit dominon tërë qendrën. Mikpritësit kishin organizuar shfaqjen e filmit “Odiseja”. Salla e kinemasë e mbushur plot e përplot me të ftuar të përzgjedhur. Duartrokitje dhe pritje njëlloj sikur presin një njeriun e tyre. Me krenari, me gëzim, me ngrohtësi. Filluan vizitat zyrtare. Në Lidhjen e Shkrimtarëve, krahas me të tjerët, njihem me Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin… Ismail Kadareja, intelektual tipik, me syze me skelet metalik, duke dalë më thotë: “Do të doja t’ju dhuroj romanin tim “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, por kam vetëm versionin në gjuhën frënge.
– Do të më bëhej shumë qejfi.
Më dhuroi bestsellerin e tij me dedikim. Vizitova Akademinë e Arteve. “Kinostudion”. Biseda të thjeshta. Pyetjet, profesionale. Ndjehet kërshëria e tyre, dëshira për të ditur sa më shumë. Pyetjet i bëjnë të përzgjedhurit. Jashtë në rrugë më drejtohet një djalosh me trup atleti, me sy të zinj dhe të mëdhenj, me flokë të zinj të dendur:
– A mund të më jepni një autograf? Unë jam student i vitit të tretë të Akademisë së teatrit. Quhem Timo Flloko. Kam një motër në Jugosllavi. Njerëzit e mi janë nga Peja… Ata që më shoqëronin ma bënin me shenjë që të nxitoja.
– Ju do të jeni Omar Sharifi shqiptar!
– i them djaloshit kur u ndamë
DURRËSI
Durrësi. Teatri. Në hyrje, busti i Aleksandër Moisiut. Marr pjesë për herë të parë në një koncert me këngë e valle. Zëra madhështorë, të shkolluar. Bukuria e atyre valleve të ngadalta për nga ritmi, por dinjitoze dhe, menjëherë më pas shumë të gjalla. Valltarët e veshur me kostume popullore shumëngjyrëshe. Jam i emocionuar, thuajse më zihet fryma dhe jam shumë krenar që po më jepet rasti të shoh këtë bukuri. Më shpunë të njihem me anëtarët e Ansamblit. I përgëzoj dhe i falënderoj që më bënë të përjetoj këtë ndjesi të paharrueshme. Nuk e kisha ditur se në Durrës kishte një amfiteatër, madje edhe i madh sa ai i Koloseut romak. Është zbuluar vetëm një e treta. Shoqëruesit më takuan me arkeologun amator. Dridhet nga emocioni, duke më treguar një varëse të hollë prej ari, ku ishte varur në figurë në formën e gjethes së duhanit. Dridhet sa herë që e prek. Çfarë thesari! Thesar i vërtetë kulturor, shpirtëror. Me sugjerimin e atyre që më shoqëronin, më dhuroi si pa qejf, një kopje të Afërditës të shekullit IV-V p.e.s.
Kruja
Vendlindja e Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Cili është ky gjeni, i cili arriti që për një çerek shekulli të ndalë fuqinë e pandalshme të Perandorisë Osmane dhe të mos e lejojë depërtimin e saj drejt Perëndimit. Kalaja e Skënderbeut, e cila dominon në tërë kodrën e qytetit, është e rikonstruktuar nga disa pjesë të saj të shekullit XIV.
– Përse përkrenarja e Skënderbeut ka një kokë dhie? – e pyes ciceronin e muzeut.
– Gjatë një beteje Skënderbeu lidhi pishtarë pishe në brirët e dhive, të cilat pastaj i lëshoi para ushtrisë së tij. Turqit u frikësuan “nga kjo ushtri e madhe që po vinte drejt tyre” dhe u tërhoqën. Në shenjë përkujtimi për këtë betejë ai e zbukuroi përkrenaren e tij me kokën e dhisë me brirë. Sapo hymë në kështjellë, e pyes:
– Përse keni ndërtuar një muze prej alumini e qelqi në një ambient të rrethuar me gurë qindravjeçarë? Keni futur Amerikën në kështjellë.
Në Shkodër
Shkodër. Qytetin nga i cili kam disa kujtime të gjalla, nuk e njoha fare. Hoteli? Një ndërtesë njëkatëshe, një shtëpi e bukur me çardak, oborr dhe bahçe. Më kujtoi shtëpinë e Shaip Pashës në Prizren. Më shpunë tek një zonjë e vjetër, e veja e Bajram Currit, e cila më priste. Shtëpia e saj mbushur me kushërinj dhe miq të ftuar. Dervishe Hanëmi, e dashur dhe e ngrohtë, qëndronte ulur në minder. Në mur, sipër kokës së saj, fotografia e të shoqit. Iu afrova dhe i putha dorën.
– Hedija, gruaja e Ibrahim Fehmiut, së bashku me fëmijët e saj ju dërgojmë përshëndetjet e tyre të përzemërta dhe mu lutën t’ju përqafoj. Fytyra e saj ndriste si shenjtëreshë. Përqafimi i saj, i butë dhe erëmirë, tamam si prej plake. Më uli afër vetes, duke më mbajtur dorën ndërmjet duarve të saj.
– Cili je ti? – më tha.
– Ai më i vogli, Bekimi – i thashë
Më pyeti për Dijen dhe të gjithë të tjerët emër për emër. E rrëmbyen kujtimet për të shoqin, për babain tim, e në mënyrë të veçantë për Dijen dhe ato kohë të stuhishme. Fytyrat e të pranishmëve si të përskuqura. Kur u ndamë, bëmë një fotografi për kujtim. Ditë e re. Dolëm për të bërë një shëtitje nëpër Shkodër. Shkodra është e pastër si të gjitha qytetet. Duke shëtitur na afroheshin njerëz. Turma që na shoqëronte po bëhej gjithnjë e më e madhe…
– Çfarë është bërë me dashurinë time të parë, Bukuroshen?
– Për fat të keq nuk arritëm ta gjenim. Nuk ka në Shkodër ndonjë familje me mbiemrin Tahiri.
Duke ecur, vura re dy rrathë të përkryer: njëri me perimetër më të madh dhe tjetri më i vogël brenda tij.
PARADA E 1 MAJIT
Shokët më thonë se duhet të jem i pranishëm në tribunën ku do të jetë edhe Enver Hoxha. Më pyesin nëse pranoj, duke pasur parasysh se mund të kem probleme në vendin ku jetoj. 1 Maji i vitit 1972. Në tribunën para hotel “Dajtit”, ja ku jam edhe unë në rreshtin e parë, i rrethuar nga qindra kinezë të veshur me rroba doku dhe të kopsitura deri në grykë. Nga ana ime e majtë, rreth njëzet metra, Enver Hoxha përshëndet me dorë ata që parakalojnë. Parakaloi edhe ushtria me uniforma ngjyrë kaki dhe e “armatosur” me automatikë. Qëndrimi i tyre ushtarak, rreshtat, nuk më pëlqyen. Përkundrazi. Fytyrën e Enver Hoxhës nuk arrita ta shoh.
Dita e fundit. Teksa shëtisim nëpër bulevard, shokët më flasin për konfliktin dhe ndarjen me Hrushovin dhe BRSS-në, për shkak të të cilit për pak sa nuk kishin vdekur nga uria. Kishin qenë të detyruar ta blinin me ar grurin në Kanada
– A e patë shokun Enver. Ja tek është. Vetëm dy shoqërues.
E vështrova. Një zotëri i vjetër, veshur me kostum ngjyrë bezhë. Pa kravatë, borselino në kokë, duart pas kurrizit, shëtit ngadalë nëpër bulevardin e zbrazët.
– Përse nuk ka ndonjë sigurim të veçantë?
– Jo! Nuk është nevoja. Nuk ka asnjë rrezik. Populli e do. Shoku Enver banon këtu.
Më treguan një vilë të rrethuar me gjelbërim e lule. Hymë edhe në dy banesa private. Në banesën e parë, të mobiluar thjesht, Dhimitër Anagnosti më njeh me të shoqen, një artiste bukuroshe. Miku i familjes sonë, Ramadan Sokoli, të cilin nuk e njihja, një intelektual i jashtëzakonshëm dhe i cili nuk ishte fort i dashur për regjimin, më dhuroi shiritat e magnetofonit me regjistrime të monologëve të Aleksandër Moisiut. Çfarë dhurate!
Aktori: Nga viti 1981 jeta ime ka qenë një ferr
“L’Unità” ka botuar, të hënën e 30 gushtit 1993, bisedën telefonike të aktorit të famshëm shqiptar Bekim Fehmiut me gazetarin italian Alberto Crespi, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.
Aventura e vërtetë e Uliksit “L’Unità”, e hënë, 30 gusht 1993
Një ditë më parë, “Raitre” filloi të shfaqë Odisenë e vjetër të Franco Rossi-it. Kështu, keni mundur të shihni Uliksin, ose Bekim Fehmiun, një aktor që u bë shumë i njohur 25 vite më parë falë kësaj “shfaqjeje – drame” të shkëlqyeshme dhe me fat. Por çfarë ndodhi me Bekim Fehmiun? Ai jeton në Beograd dhe si një shqiptar nga Kosova, i lindur në Sarajevë, jeta e tij nuk është e lehtë në Serbinë e sotme. Le ta dëgjojmë sesi e tregon atë.
Biseda me të nëpërmjet telefonit ishte njëkohësisht emocionuese dhe frustruese:
“Familja ime vjen nga Kosova, nga një qytet që ka dy emra: një shqiptar, Gjakovë dhe një ‘sllav’, Giakovica. Babai im ishte fëmijë i vetëm dhe pati studiuar në Shkup, Maqedoni. Ai ishte mësues. Gjatë gjithë rinisë së tij, ai luftoi kundër turqve, si me pushkë, ashtu edhe me libra. Qëllimi i tij si mësues ka qenë gjithmonë t’iu japë njerëzve tanë njohuri, krenarinë e identitetit të tyre kulturor. Ai gjithmonë ka punuar për të hapur shkolla ku mund të studiohet gjuha jonë shqipe. Më 1972 shkova në Shqipëri dhe në një arkiv në Shkodër zbulova se babai im ishte dënuar me vdekje nga serbët dy herë, në 1914 dhe 1917. Më 1929 u martua me nënën time dhe dy javë më vonë ata u internuan (u dëbuan). Të gjithë familjen e futën në një tren, dhe e dërguan në Sarajevë. Unë kam lindur atje, në qytetin që sot është simbol i hipokrizisë botërore. Babai dhe nëna ime ishin me fat në krahasim me të tjerët, ata mbijetuan. Kur isha tre vjeç, më 1939, u kthyem në Shqipëri dhe më 1941 u transferuam në Kosovë, në Prizren, i cili sipas ‘Le Corbusier’ ishte qyteti më i bukur në botë.
Më në fund ishim në tokën tonë. Aty u rrit familja jonë: tetë fëmijë, katër djem dhe katër vajza. Jeta ishte e qetë për shumë vite. Babai im jepte mësim, unë flisja shqip në familje, por kurrë, nuk them kurrë se i shoh serbët dhe malazezët si armiq. Unë gjithmonë kam menduar se ka njerëz të mirë dhe njerëz të këqij në të gjitha racat dhe të gjitha fetë, dhe unë ende mendoj kështu.
Asnjëherë nuk më është dashur të fshihem se jam shqiptar dhe kur shkova në Beograd në vitin 1957, më duhej të mësoja më mirë gjuhën serbo-kroate për të hyrë në Akademi, por isha i pari aktor shqiptar që recitoja (aktroja) në historinë e teatrit jugosllav. Beogradi ishte një qytet i bukur dhe një metropol i shkëlqyeshëm, i hapur për të gjitha ndikimet më moderne dhe të gjalla kulturore. Një shembull? The Caretaker e Pinter-it (Harold) pati shfaqjen e tij të parë jashtë vendit, jashtë Londrës, në Beograd në 1959 dhe unë interpretova atje, në Atelier 212, teatrin ku unë punoja. Sot, Beogradi është një qytet i trishtë.
Të rinjtë dhe intelektualët largohen. Më të bukurit, më inteligjentët, largohen. E gjithë puna jonë, puna e të gjithë artistëve, është shkatërruar.
Megjithatë, unë jam këtu. Dhe nuk po iki. Nga viti 1981 e tutje jeta ime ka qenë ferr. Sepse atëherë filloi urrejtja në Kosovë ndaj shqiptarëve, por atëherë askush jashtë vendit nuk e kuptoi se çfarë do të ndodhte, askush nuk kujdesej për Kosovën! Por ne e dinim shumë mirë se çfarë do të ndodhte.
Tragjedia ishte në rritje, ngadalë, në mënyrë të pashpjegueshme, nuk mund të punoja më. As që mund të mendoja për aktrimin. Hyra në një periudhë depresioni shumë të rëndë. Kam menduar shumë herë të vras veten. Mbase, t’i vë flakën vetes në shesh! Ndoshta do të kishte ndihmuar, ose mbase jo, kush e di?
Depresioni sapo përfundoi. Këtu në Beograd jeta për një shqiptar nuk është e lehtë, por nuk mund ta mohoj se, duke qenë aktori më i famshëm në këtë vend, unë jetoj më mirë se të tjerët. Unë mbështes fëmijët e të afërmve të mi në shkollë, të cilët përndryshe nuk do të kishin mundësi të studionin. Ndihem si dikush që ka udhëtuar nëpër ferr, si Dante. Tani jam në purgator. Por ferri vazhdon rreth meje.
Disa ditë më parë isha në Kosovë për të vizituar të afërmit e mi. Situata është absurde. Mund të shpërthejë në çdo moment. Në çdo moment jeni në prag të masakrës. Shqiptarët trajtohen si skllevër, pushohen nga puna, nuk kanë për të ngrënë. Por, duket e jashtëzakonshme, ekziston të paktën një gjë e bukur në Kosovë, për mendimin tim. Nuk ka urrejtje.
Ndoshta serbët po e kuptojnë ngadalë se shqiptarët nuk janë “armiku”. Ka atje 50.000 policë, por nuk ka incidente. Ndoshta shqiptarët do të jenë të mençur si në fund të Luftës së Dytë Botërore, ku pati masakra dhe hakmarrje në Bosnje dhe Kroaci, por jo në Kosovë. Shpesh mendoj i lehtësuar se Nënë Tereza e Kalkutës është shqiptare, dhe se mbase nuk është rastësi.
Është gjithashtu e vështirë për ne të shpjegojmë se çfarë ndodhi në vendin tonë. Frojdi na mëson se instinkti për të vrarë është gjithmonë i pranishëm te njeriu, por Jung dhe Adler thonë të kundërtën, unë mendoj se njeriu është një krijesë e re, krahasuar me epokën e këtij planeti. Ne sapo kemi filluar të çlirojmë veten nga instinktet e kafshëve. Por unë gjithashtu mendoj se bota është hipokrite. Se kushdo që përfiton nga këto masakra është hipokrit.
Evropa dhe bota po lejojnë diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë: që Sarajeva është rrethuar prej dy vitesh, Sarajeva, qyteti i tre feve dhe të tre racave, të cilat ende jetojnë së bashku, dhe ky është paradoksi. Utopia e Sarajevës nuk ka vdekur, sepse unë njoh shumë njerëz atje, që janë të racave dhe feve të ndryshme dhe që vazhdojnë, edhe në këto kohë të errëta, të respektojnë njëri-tjetrin.
Unë nuk kam një shpjegim politik. Sigurisht, pyes veten se kush dëshiroi ta shkatërrojë këtë vend, Jugosllavinë, që ishte maja e ekuilibrit midis Lindjes dhe Perëndimit. Edhe nëse nuk jam politikan, i përgjigjem vetes në këtë mënyrë: kishte vetëm një imperializëm në Evropë, ai Sovjetik.
Gorbaçovi e rrëzoi atë dhe si mund ta mbajë (luajë) rolin e saj Rusia e re? Duke filluar (nxitur) një luftë në Evropë. Nëse kjo luftë do të përfundojë, Rusia është jashtë loje. Nëse vazhdon, Rusia e ruan fuqinë, duke e mbajtur Serbinë në orbitën e saj ndërsa Kroacia tani është një vend satelitor i Gjermanisë.
Është si në 1912. Ne u kthyem pas një shekull. Gjithmonë është loja e fuqive të mëdha në lëkurën e njerëzve të varfër, dhe është vetëm fillimi, bota është e vogël dhe koha është e shkurtër, dhe nuk dua të dukem kërcënues, por është e qartë se Italia është fqinji ynë më i afërt. Nuk duhet të mbyllni sytë. Nuk duhet të bëni sikur kjo luftë nuk ju përket!
Sa për mua, nuk aktroj më. Djali im, Uliksi, aktron. Padyshim quhet kështu sepse lindi në 1968, gruaja ime ishte shtatzënë dhe më priste ndërsa unë luaja Odisenë, ajo ishte me të vërtetë Penelopja ime. Unë gjithashtu kam një djalë tjetër 17 vjeç, emri i tij është Hedon, një emër arab që do të thotë “dhuratë nga Zoti”, i mbështes ata dhe nuk pendohem për kohërat kur isha yll.
Sigurisht, unë isha aktori i parë jugosllav që u bëra i famshëm në të gjithë botën, isha “lumturia” dhe krenaria e vendit tim, ndihesha po aq ambasador, sa artist. Kam plot kujtime, kam parë botën, kam njohur kultura, kam mësuar gjuhë, kam miq në të pesë kontinentet dhe e di mirë që bota është e vogël dhe se njerëzit janë të gjithë njerëz, dhe nuk mund t’i besoj kufijtë e rinj që lindin në shtetin tim.”